Abuzim 1.5 mln dollarë me naftën, arrestohet Drejtori i Hidrokarbureve në AKBN...

Abuzim 1.5 mln dollarë me naftën, arrestohet Drejtori i Hidrokarbureve në AKBN (EMRI)

402
0

Policia ka vënë në pranga drejtorin e Hidrokarbureve, Klodian Gradeci. 45-vjeçari u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Akciza”, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

AKBN

Gradeci dyshohet se së bashku edhe me biznesmenë dhe zyrtarë të tjerë i kanë shkaktuar një dëm prej 1.5 milionë dollarë buxhetit të shtetit.

“Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Akciza”, i finalizuar më datë 06.10.2020, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë, nga strukturat e DVP Tiranë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit K. G., 45 vjeç, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, thuhet në njoftimin e policisë.

 

Më parë u arrestuan Denis Durrësi, drejtor i Drejtorisë Ekonomike tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, vartësi i tij, inspektori Qani Hoxhaj dhe dy inspektorë tatimorë, Arben Doda e Simon Marku dhe biznesmenin Naim Kasa.

 

Si u firmosën faturat fiktive nga zyrtarët e AKBN-së. Zbardhet letërporosia e FBI-së

 

 

 

Prokuroria ka dyshime të arsyeshme se punonjësit e AKBN-së certifikuan punimet qe nuk ishin kryer asnjëherë në qytetet ku kompania “Feniks” kishte detyrim të investonte sipas një marrëveshjeje hidrokarbure për shfrytëzimin e 8 puseve të naftës.

 

Prokuroria dyshon se zyrtarët shpërdoruan detyrën duke u bazuar në fatura të falsifikuara, për të cilat FBI, e përfshirë në këto hetime, i konfirmoi Prokurorisë së Tiranës përmes letërporosisë se firma amerikane “Blac Swan” nuk ka përfituar asgjë. Vlera e faturave të falsifikuara sipas përgjigjes së FBI-së është 1. 2 milionë dollarë.

 

Po kështu, dy inspektorët e tjerë të tatimeve përpiluan raportkontrollin në kundërshtim me ligjin dhe sipas akuzës së kryeqytetit, sollën si pasojë një dëm prej rreth 500 mijë dollarësh. Kompania shqiptare “Feniks Petroleum”, që duhej të kontrollohej nga AKBN, drejtohet nga biznesmenët Naim Kasa, i arrestuar dhe Isuf Berberi, në kërkim.