Nga Esmeralda Keta
Klaudio Berati ëndërron të bëhet futbollist i famshëm. Orët e edukimit fizik dhe ndeshjet mes çunave pas mësimit janë të vetmet argëtime të 15-vjeçarit,që, ndonëse adoleshent, ndjek klasën e pestë në shkollën “Androkli Kostallari” në Tiranë.
Ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij, Klaudio, nuk ka një kujtim të ditës sëparë të shkollës dhe ka nisur të mësojë ABC-në kur ishte në prag të adoleshencës, shumë më i madh se shokët e shoqet e tij të klasës. Ai është pjesë e komunitetit rom që jeton në banesat sociale në zonën e Shkozës dhe në kohën kur duhet të ishte në shkollëpunonte duke gërmuar në kazanët e mbeturinave në Tiranë, për të ndihmuar familjen e tij prej 6 anëtarësh. E megjithatë dëshira për shkollën, në prag të së cilës kalonte çdo ditë kur nisej për punë, nuk i ka munguar asnjëherë . Ka trokitur disa herë në dyert e shkollës dhe po aq herë e ka lënë, për shkak të problemeve të mëdha ekonomike. “Shkollën e kam nisur disa herë, por e kam lënë sepse më duhet të punoj për të ndihmuar familjen, – na tregon Klaudio. – Më pëlqen shumë shkolla, ndaj mora vendiminqëduhej ta vazhdoja patjetër. Prindërit në fillim nuk është se ishin dakord, por tani nuk më pengojnë më. Ndoshta nuk do të mund të shkoj shumë larg, por ama dua të di të shkruaj e të lexoj. Dhe që prej dy vitesh nuk kam bërë më mungesa, përveç rasteve kur jam i sëmurë” – rrëfen i entuziazmuar Klaudio, i cili edhe pseështë 15 vjeç (duhet të ishte në klasë të nëntë)tregon se nuk e ka ndjerë asnjëherë diferencën apo paragjykimin nga shokët e shoqet e tij të klasës. “Me shokët e shoqet shkojmë shumë mirë, ata më ndihmojnësa herë që unë kam nevojë. Sigurisht që në fillim nuk ishte e lehtë, kisha shumë vështirësi që t’i ndiqja në mësime, por tani thuajse jam në të njëjtin hap me ta dhe e ndiej veten shumë mirë”, – rrëfen 15-vjeçari.
I gjendur në këtë ambient ku jo vetëm nuk ndien diskriminim por madje merret si një model suksesi, Klaudio, bindi familjen që edhe i vëllai, Mikeli 11-vjeçar, i cili vuan edhe nga probleme shëndetësore, të mund të vazhdonte shkollën. Dhe që prej shtatorit, janë tëdy në klasë të pestë. “Më pëlqen sepse në shkollë mësoj gjëra të reja dhe ia kaloj shumë mirë me shokët”, – na thotë Mikeli që ndonëse vetëm këtë shtator ka prekur një libër me dorë, tashmë ka bërë mjaft përparime.
Silvi Cenko dhe Edgar Mema janë shokët e ngushtë të Klaudios dhe Mikelit. “Jemi shumë shokë dhe bisedojmë për çdo gjë, për pasionet tona, për mësimet, por më së shumti flasim për futbollin, pasi Klaudios i pëlqen të bëhet një futbollist i famshëm”, – na tregojnë Silvi dhe Edgari. Ndonëse jetojnë afër me shtëpi sërish i takojnë djemtë vetëm gjatë kohës që janë në shkollë. “Pasi mbarojnë shkollën ata të dy dalin të punojnë dhe vetëm ndonjëherë në të rrallë mund të takohemi për ndonjë ndeshje mes çunave”, – shpjegojnë ata që siç ndodh me fëmijët nuk shfaqin asnjë shenjë diskriminimi ndaj përkatësisë së shokëve të tyre.
Shkolla fillore “Androkli Kostallari” është shkolla e fundit që ndan kufirin midis Tiranës qytet dhe fshatrave. E pozicionuar në zonën e Shkozës, ajo aktualisht ka 700 nxënës nga klasa e parë në të pestë, nga të cilët 92 i përkasin komunitetit rom. Genta Dollia, drejtoresha e shkollës e ka kthyer në sfidë jo vetëm personale, por edhe për të gjithë stafin uljen e numrit të nxënësve braktisës. “Jemi një shkollë me komunitet problematik, por falë këmbënguljes së stafit të mësuesve, bashkëpunimeve të ngushta me prindërit e komunitetit dhe punës së palodhur të punonjësve tëqendrës sociale që ndodhet në këtë zonë, kemi bërë të mundur që numri i fëmijëve që braktisin shkollën të jetë shumëi pakët. I tillëështë edhe rasti i Klaudios. E ka nisur dhe lënë shkollën disa herë, derisa më në fund u rikthye jo vetëm ai, por u surprizuam që na solli edhe të vëllain. Për këtë rast unë kam respektuar ligjin që më jep mundësinë qëkjo kategori fëmijësh të mos e nisin klasën nga fillimi, por ta çoj në atë klasë që ka moshën. Kështu veprova me Mikelin, që e kam futur në të njëjtën klasë më të vëllain, që ai të mos ndihej i vetmuar. Sigurisht që me të punojmë me një program special dhe ai tani ka filluar të shkruajë e të lexojë”, – na tregon drejtoresha, e cila po ashtu sqaron se ka edhe nxënës që janë 15 vjeç dhe ndjekin klasën e parë.
Sfida e stafit të kësaj shkolle për të punuar me këta fëmijë nuk është e vogël. “Ne punojmë me secilin prej tyre individualisht, me strategji të miratuara nga Unicef, dimë nevojat e çdo njërit prej tyre, por edhe të familjes nga vijnë. Bëjmëtakime me prindërit thuajse çdo javë dhe në rast se nuk na vijnë në shkollë ka raste që u shkojmë ne tek shtëpia. Sigurisht që nuk është e lehtë, por jo e pamundur. Mbi tëgjitha këta fëmijë kanë nevojë për dashuri dhe t’i bësh të kuptojnë se është e drejtë legjitime e tyre shkollimi, si për çdo fëmijë tjetër në Shqipëri. Në shkollën tonë nuk bëhet fjalë për diskriminim, dhe nëse ndonjë mësues e ka pasur problem komunitetin me të cilin punojmë ne, i kemi kërkuar që të mund të gjejë ndonjë shkollë qëi përshtatet më shumë. Këtu funksionon e gjitha si një skuadër që ka vetëm një qëllim: sa më shumë fëmijë në shkollë, sa më pak fëmijë braktisës. Kemi pasur rezultatet dhe raste suksesi, por ka ende plot për të bërë”, – na thotë Genta, që ndjek çdo ditë personalisht se sa nga fëmijët problematikë me ndjekjen e shkollësi mungojnë dhe për çfarë arsyeje ata mungojnë.
Shkolla “Androkli Kostallari” ka fituar statusin qendër komunitare, ndaj ka mundësi që të ofrojë edhe orë ekstra të organizuar në klube të ndryshme si ai i artit, artizanatit, matematikës, sportit, anglishtes dhe trashëgimisë kulturore. Ai i sportit është i preferuari i 15-vjeçarit, Klaudio, ku jo vetëm ushtrohet për pasionin e tij, por edhe nuk e kursen ndihmën për asgjë. “Ai është një djalë i rrallë, nuk gaboj nëse them qëështë i rritur para kohe, – na tregon Arbër Sherifi, mësuesi i edukimit fizik në këtë shkollë. – Punon shumë, stërvitet shumë dhe mund të them se nëse do të kishte mundësi të ndiqej ai djalë ka talent. Por mbi të gjitha është një fëmijë me dinjitet që të habitet. Ka raste që vjen në shkollë edhe i paushqyer, por kurrë nuk e trego. Ai nuk e pranon mëshirën apo keqardhjen për situatën në të cilën ndodhet dhe as nuk e fsheh faktin që pasi lëçantën e shkollës në shtëpi, merr karrocën dhe del e punon nëpër Tiranë. Është një fëmijë i rrallë”, – na thotë Arberi, i cili nuk paguhet për orët e klubit të sportit, që zhvillohen një herë në javë.
Për drejtoreshën e shkollës, rasti i Klaudios është vërtetë një histori, por ajo këmbëngul në një bashkëpunim më të mirë të pushtetit vendor – shkollës- prindërve dhe qendrave sociale. “Nëse prej kohësh ne kishim arritur që asnjë nga fëmijët braktisës të mos mungonte në shkollë, u bënë ca muaj që një pjesë prej tyre po na mungojnë. Problemi nisi që në muajin dhjetor, kur kryetari i Bashkisë strehoi në banesat sociale të Lanabregasit familjet rome që jetonin këtu në zonën e Shkozës, dhe ata tashmë e kanë larg shkollën. Duke qenë se familjet e tyre nuk kanë ndonjë lidhje të fortë me shkollën, nuk po i sjellin më fëmijët në mësim. Për ne ky është një problem shumë i madh. Së bashku me qendrën sociale që i ofron shërbim këtij komuniteti ne i kemi dërguar një shkresë zyrtare bashkisë së Tiranës, ku i kemi kërkuar që të mundësojë vënien në dispozicion për fëmijët e këtij komuniteti një furgon që do i marrë dhe sjellë fëmijët në shkollë. Na kanë premtuar se ky problem do të zgjidhet së shpejti”, – na thotë drejtoresha e shkollës “Androkli Kostallari”, e cila fitoi çmimin si shkolla e vitit në 2016, pikërisht sepse arriti të ulë numrin e nxënësve braktisës.