Rikthime të bujshme, mungesa “big”, por dhe risi. Lista e parë e Sylvinho-s pas kualifikimin për në Evropian i kishte të gjitha. Trajneri i Kombëtares zbuloi 26 lojtarët e grumbulluar për dy takimet miqësore kundër Kilit dhe Suedisë. Ashtu siç pritej, Sylvinho riktheu në përfaqësuese dy “bomberat” kuqezi, Rey Manaj dhe Armando Broja. Risia e madhe në këtë listë është grumbullimi për herë të parë i Arbër Hoxhës, sulmuesi i cili aktivizohet te Dinamo Zagreb, por ra në sy edhe mungesa e Dakut dhe Mujës. Për të gjitha këto tema, Sylvinho është në këto momente live në konference për shtyp:
Mungesa e Dakut dhe Mujës?
Është e vërtetë që ka shumë dhimbje koke për një trajner, por kjo është e pranueshme për mua. Daku, Muja dhe Gjasula janë lojtarë shumë të rëndësishëm për ne, janë në konsideratën tonë, por nuk mund të marrim me vetë 30 lojtarë. Kemi Manaj që unë e kam për herë të parë në Kombëtare, kemi Brojën që e kemi pasur vetëm një herë, por që nuk luajti dot. Është Arbër Hoxha që kemi dy muaj që e ndjekim.
Çfarë pret nga dy miqësoret kundër Kilit dhe Suedisë?
Unë jam i kënaqur me ekuilibrin e skuadrës. Shqipëria i mbylli kualifikueset në mënyrën më të shkëlqyer, ishim mbrojtja më e mirë e grupit, por ka qenë një sakrificë e gjithë ekipit. Ne nuk cilësojmë asnjë ndeshje miqësore, Kemi përballë dy ekipe shumë të forta. Kili është një ekip që e njoh shumë mirë me lojtarë si Sanchez. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Suedinë, një skuadër shumë, shumë e fortë, me elementë që luajnë në nivele shumë të larta, me ekipe si Man.City, Atalanta etj