GJERMANI – Merkel e gatshme të diskutojë me Francën reformimin e eurozonës

GJERMANI – Merkel e gatshme të diskutojë me Francën reformimin e eurozonës

370
0

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, u shpreh e gatshme sot që të diskutojë, me kushte, idetë për reforimin të eurozonës të propozuara nga presidenti francez, Emmanuel Macron që sapo ka marrë një fitore të rëndësishme në zgjedhjet legjislative. “Kohezioni evropian mes Shteteve të eurozonës lë për të dëshiruar”, vlerësoi kancelarja konservatore gjatë një fjalimi para industrialëve në Berlin. “Për ta rregulluar këtë situatë, shumë mirë mund të imagjinojmë (…) një qeveri ekonomike të ngarkuar kryesisht me studimin e metodave më të mira për të promovuar punësimin në eurozonë”, theksoi Merkel. Gjatë fushatës së tij, Emmanuel Macron kishte paraqitur një reformim të eurozonës kryesisht për të bllokuar rritjen e populizmave, duke insistuar mbi idenë e një ministri të Financave dhe një buxheti të përbashkët për vendet e zonës euro. Angela Merkel, që ndodhet në një situatë politike të favorshme për t’u zgjedhur sërish kancelare në legjislativet gjermane në shtator, është treguar e hapur ndaj mundësisë për të përparuar mbi Unionin Monetar, por nga ana tjetër pret përpjekje nga presidenti i ri francez, pra reformimin e tregut të punës për ta bërë më konkurues dhe një lehtësim të financave publike.