Deputetja Dhima: Integrimi evropian kërkon përmirësim të standarteve të rendit dhe sigurisë

Deputetja Dhima: Integrimi evropian kërkon përmirësim të standarteve të rendit dhe sigurisë

505
0

Procesi i integrimit në Bashkimin e Evropian, si një sfidë e vendit tonë kërkon një luftë sa më efikase kundër krimit të organizuar, terrorizmit, korrupsionit dhe përmirësimit të standardeve të rendit e të sigurisë . Diskutimi sot në seancë plenare i projekligjit “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme”.

 

I nderuar zoti kryetar i Parlamentit !

Të nderuar koleg deputetë dhe deputete !

Të dashur Qytetarë!

 

Projektligji “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme”, që jemi duke diskutuar sot ka si qëllim sigurimin e institucioneve të forta e të besueshme, me profesionistë të cilët të kënë integritet si dhe përcakton drejt parimet, kriteret, procedurat e vlerësimit kalimtar dhe periodik, standardet, organizimin dhe funksionimin e organeve të vlerësimit. Procesi i integrimit në Bashkimin e Evropian, si një sfidë e vendit tonë kërkon një luftë sa më efikase kundër krimit të organizuar, terrorizmit, korrupsionit dhe përmirësimit të standardeve të rendit e të sigurisë . Projektligji parashikon parimet, në bazë të të cilave do të zhvillohet procesi i vlerësimit kalimtar, në veçanti parimin e procesit të rregullt ligjor,duke u garantuar këtë të drejtë subjekteve që i nënshtrohen vlerësimit, si dhe organizimin, rregullat e posaçme dhe procedurat për kryerjen e vlerësimit kalimtar dhe periodik nga organet e vlerësimit, me qëllim garantimin e qëndrueshmërisë së standardeve të pritshme nga ky proces. Procesi i vlerësimit kalimtar do të përfundojë brenda një periudhe prej 24 muajsh, nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe ka si objekt:

  1. a) vlerësimin e pasurisë.
  2. b) kontrollin e figurës.
  3. c) vlerësimin e aftësive profesionale.

Vlerësimi i pasurisë shtrihet për periudhën nga fillimi i marrëdhënies së punës në institucionet përkatëse, pavarësisht nga data e emërimit në pozicionin aktual, dhe/ose gradës që mban, deri në ditën e plotësimit të deklaratës së pasurisë. Për vlerësimin e figurës nuk është përcaktuar periudhë referimi, brenda së cilës të shtrihet kontrolli, pasi ky lloj vlerësimi lidhet me integritetin e punonjësit dhe, rrjedhimisht, nuk mund të kufizohet në kohë. Periudha e vlerësimit të aftësive profesionale fillon nga data e emërimit të punonjësit në gradën dhe/ose pozicionin që mban, por jo më shumë se 7 vjet. Për punonjësit, të cilët kanë më pak vite në detyrë, periudha e vlerësimit përfshin të gjithë kohën e ushtrimit të detyrës në institucionin përkatës. Për kryerjen e procesit të vlerësimit, sipas këtij projektligji, është i nevojshëm bashkëpunimi jo vetëm me struktura të Ministrisë së Brendshme, por edhe me institucione të tjera ligjzbatuese. Pas përfundimit të procesit të vlerësimit kalimtar, punonjësit do t’i nënshtrohen vlerësimit periodik çdo 3 vjet, sipas objektit dhe procedurës së përcaktuar në këtë projektligj. Ndërsa institucioni që do të verifikojë deklaratat e punonjësve, sipas shtojcave të këtij projektligji, do të jetë Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, sipas rregullave të përcaktuara në ligj dhe në udhëzimin e ministrit të Brendshëm.

Nëpërmjet këtij procesi synohet të garantohet zbatimi i parimit të integritetit, rritja e profesionalizmit dhe garantimi i një karriere të drejtë e të bazuar në meritokraci, duke krijuar, kështu, institucione të forta dhe të besueshme për të gjithë. Ligji për vlerësimin e punonjësve të policisë së shtetit në të gjitha nivelet, që mediatikisht është quajtur edhe si vetting në radhët e Policisë së Shtetit është një nga ligjet më të rëndësishme që ne miratojmë sot. Për vetë faktin, se këto iniciativa parlamentare na çojnë atje ku duhet, për të pastruar ligjërisht dhe me veprim të shpejtë figurën e çdo punonjësi policie të gradës madhore, apo më pak, që në shumë raste janë akuzuar edhe pa të drejtë. Në të 65 nenet e këtij ligji, është shkruar qartësisht se kjo procedurë ligjore, do të ketë absolutisht ndikim në atë ku është vënë theksi, që nga kryeministri Rama, ministri Xhafaj, por në fund të fundit atë që kërkon cdo qytetar, pastrimin e radhëve të policisë së shtetit nga të inkriminuarit. Ky është një proces që do të nisë së shpejti dhe është për ne, po aq i rëndësishëm sa Vetting-u që ka filluar në institucionet e drejtësisë, pasi krimi nuk mund të luftohet me prokurorë dhe gjykatës të korruptuar, por nuk mund të luftohet as edhe me drejtorë, shefa komisariatesh, apo policë të korruptuar. Një proces ligjorë dhe transparent do të bëjë të mundur largimin e të gjithë drejtuesve dhe efektivëve të përfshirë në veprimtari kriminale, apo me burime të pajustifikuara të pasurisë së akumuluar në këto vite. Të gjitha rezultatet në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, nuk do të thotë se policia e ka mbyllur betejën, përkundrazi me këtë ligj dhe operacionin forca e ligjit të inicuar nga ministri Xhafaj çdo shkelës ligji do ta ketë shumë, shumë të vështirë të kryejë aktivitetin e paligjshëm dhe kjo fillon që nga radhët e vetë Policisë së Shtetit.

Ashtu sikundër dhe beteja kundër trafikantëve dhe trafiqeve të paligjshme nuk është një betejë vetëm e kryeministrit Rama dhe qeverisë, por duhet të jetë një betejë e të gjithëve.

Lufta me krimin e organizuar nuk është fillimi dhe fundi i misionit të Policisë së Shtetit, sepse qytetarët kanë nevojë për Policinë e Shtetit, jo për t’u mbrojtur thjesht dhe vetëm nga pasojat që sjell veprimtaria kriminale, kanë nevojë për Policinë e Shtetit për të qenë të barabartë përpara ligjit, për të shfrytëzuar hapësirat e bashkëjetesës, qoftë hapësirat urbane të bashkëjetesës, qoftë hapësirat në biznes, qoftë hapësirat në të gjitha fushat e tjera të veprimtarisë shoqërore, pa qenë të cenuar nga ata që shkelin ligjin, për të pasur garanci në pronën e tyre, në jetën e tyre dhe në të gjithë harkun e veprimtarisë së tyre në shoqëri.

Projektligji që ne miratojmë vendos pikat mbi “i” për policët që janë të implikuar në paligjshmëri, por edhe për ata që meritojnë më shumë se deri më tani në trajtim e vlerësim. Projektligji me procesin e rivlerësimit që mendohet të kryhet synon:

– nga njëra anë të spastrojë radhët e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, nga individët që në ushtrimin e detyrës kanë probleme me kriteret e integritetit, që mund të jenë të përfshirë në afera korruptive dhe në lidhje kriminale si dhe që gjithashtu mund të jenë dhe rezultojnë të paaftë profesionalisht në ushtrimin e detyrave të rëndësishme që u janë besuar.

Dhe, nga ana tjetër, ka si qëllim të evidentojë, mbështesë dhe promovojë fort ata punonjës të Policisë së Shtetit, të Gardës, të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme, që plotësojnë kriteret ligjore, morale e profesionale për të shërbyer në këto struktura kyç për rendin dhe sigurinë.

Atë që unë e vlerësoj maksimalisht këtë projektligji është fakti që janë parashikuar, një sërë procedurash të ndara në 6 hapa kryesorë, që nga dorëzimi i deklaratave individuale brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e projektligjit, deri tek procesi që zhvillohet në seanca dëgjimore dhe pastaj marrja e vendimit nga komisionet e vlerësimit, duke shmangur në këtë mënyrë çdo paragjykim.

Llojet e vendimeve që mund të merren do të jenë 4 1- konfirmimi në detyrë për ata që kalojnë me sukses testin e Vetting-ut,

2- detyrimi për trajnim për ata që kanë thjesht dhe vetëm probleme në formimin e tyre dhe në aftësitë e tyre profesionale,

3- emërimi në detyrë për ish-punonjësit që kalojnë testin e Vetting-ut dhe

4- përjashtim nga detyra për të gjithë ata që nuk kalojnë testin e Vetting-ut dhe në mënyrë të veçantë dy kriteret e para që janë edhe përcaktuese.

Natyrisht projektligji përcakton edhe të drejtat e subjekteve, pra të punonjësve që i nënshtrohen vlerësimit gjatë gjithë procesit. Punonjësit gjatë procesit të vlerësimit kanë të gjitha të drejtat e një procesi të rregullt ligjor për t’u vlerësuar në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe objektive.

I gjithë ky proces nuk mund të përballohet i vetëm dhe kërkon padyshim bashkëpunimin me institucionet publike. Të gjitha institucionet publike sipas këtij ligji janë të detyruara të vënë në dispozicion informacionet që posedojnë mbi punonjësit subjekt të procesit të vlerësimit.

Në përcaktimin e pagës së anëtarëve të Komisioneve të Vlerësimit është vlerësuar si më e përshtatshme paga e punonjësit të Policisë së Shtetit me gradën “Drejtues i parë”, ndërsa për përcaktimin e pagës së anëtarëve të sekretariateve teknike përkatëse është parashikuar niveli i pagës së punonjësit të Policisë së Shtetit me gradën “Kryekomisar dhe efekti financiar për vitin 2018 arrin, përafërsisht, në vlerën 58 milionë lekë.

Efekti financiar për komisionet që do të funksionojnë gjatë vitit 2019 do të përfshihet në llogaritjet e PBA-së 2019-2021 dhe vlera është rreth 478 milionë lekë.

Falenderoj ministrin e Brendshëm dhe stafin e kësaj ministrie për angazhimin dhe përgjegjësinë e treguar në hartimin e këtij projektligji si dhe partnerët ndërkombëtarë e komisionin për Sigurinë Kombëtare.

Në kushtet kur ky projektligj është në perputhje me nenet 78, 81 dhe 83, pikat 1 e 2, të Kushtetutës, në harmoni të plotë me legjislacionin në fuqi, është në përmbushje me objektivat e qeverisë shqiptare dhe në veçanti, të Ministrisë së Brendshme, dhe ka si qëllim krijimin e institucioneve të forta, me profesionistë të vërtetë dhe me integritet ju ftoj të nderuar kolegë deputete dhe deputet ta miratojm atë .

 

FALEMINDERIT !