Dalin fotot dhe harta se si Gruevski arriti në Hungari përmes Shqipërisë

Dalin fotot dhe harta se si Gruevski arriti në Hungari përmes Shqipërisë

403
0

“Arratisja e Madhe” e Gruevskit përmes Ballkanit duket se i ngjan më së miri një filmi me spiunë. Ish-kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, kaloi tre vende të Ballkanit duke përdorur ID maqedonas për të arritur Hungarinë, ku ai ka aplikuar për azil, ndërsa diplomatët hungarezë ndihmuan në sigurimin e logjistikës së transportit. Të dhënat nga policia maqedonase, shqiptare dhe malazeze tani paraqesin një pamje relativisht të saktë të rrugës të arratisjes së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, përmes Ballkanit në Hungari, për të shmangur dënimin me dy vjet burg. Largimi i tij nga Maqedonia është ende mister. Koha e largimit të tij nga kryeqyteti maqedonas, Shkupi si dhe ku e kur ai kaloi kufirin perëndimor të Maqedonisë me Shqipërinë janë ende duke u hetuar.

Policia shqiptare të enjten nuk saktësoi kohën e futjes së ish-kryeministrit maqedonas në territorin shqiptare dhe ka dyshime se ai ka hyrë në mënyrë ilegale.

Më pas rruga kalon përmes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë me mbështetje diplomatike ndërrim të shpeshtë të makinave.

 

Gruevski mbërriti në kryeqytetin shqiptar, të dielën. Ai qëndroi në ambasadën hungareze, ku së pari i informoi autoritetet hungareze për qëllimin e tij, për të kërkuar azil. Kjo u konfirmua pjesërisht nga shefi i kabinetit të kryeministrit hungarez Viktor Orban, i cili të enjten tha se Gruevski e bëri të qartë qëllimin e tij në një ambasadë hungareze, megjithëse nuk e specifikonte atë.

Policia shqiptare ka konfirmuar se Gruevski u largua nga vendi në kalimin kufitar nga Hani i Hotit, në orën 19:11, të dielën në mbrëmje. Gruevski ishte pasagjer në një makinë në pronësi të ambasadës hungareze në Shqipëri. Sipas policisë shqiptare Gruevski përdori kartën e identitetit, pasi pasaporta e tij u konfiskua vitin e kaluar nga autoritetet maqedonase. Po sipas policisë shqiptare në kohën e kalimit, Interpoli ende nuk kishte lëshuar një urdhër për arrestimin e tij, kështu që ai nuk ishte teknikisht një person i kërkuar.

 

Policia malazeze po ashtu konfirmoi se ata kanë të dhëna për hyrjen dhe largimin e Gruevskit nga vendi. Sipas këtyre të dhënave, Gruevski nuk ka humbur shumë kohë në këtë vend, duke dalë nga Mali i Zi të njëjtën natë, në orën 22:16, duke përdorur kalimin kufitar të Dobrakovës me Serbinë. Edhe në Malin e Zi, ish-kryeminsitri maqedonas është shoqëruar nga zyrtarë të ambasadës hungareze.

 

Nga Tirana drejt Podgoricës, ai u transportua me një automjet tip “Volkswagen Jetta”, nga dy punonjës të ambasadës hungareze. Në Podgoricë takoi zëvendës ambasadorin hungarez dhe pasi ndërruan makinën, të dy iu drejtuan kalimit kufitar të Dobrakovës me Serbinë.

 

Edhe kur hyri në Serbi, Gruevski iu dorëzua përfaqësuesve diplomatikë hungarezë që banonin në Beograd. Pasi u fut ne territorin serb, ish-kryeministri qëndroi në Hotel Lux, pranë qytetit serb të Prijepoljes. Autoritetet serbe ende duhet të konfirmojnë të dhënat e largimit të Gruevskit, por skenari më i mundshëm është se ai e kaloi kufirin serbo-hungarez të nesërmen. Serbia dhe Hungaria kanë dy kalime kufitare rrugore, në Hercegszanto-Kelebija dhe Tompa-Horgos-Roszke. Nuk dihet se ku kaloi Gruevski.

 

Gruevski ka qeverisur mbi 10 vjet Maqedoninë, duke u shndërruar gjithnjë e më tepër në një autokrat të rrezikshëm, i cili mbante lidhje të ngushta me Kremlinin.

 

Ai u dënua në Maqedoni me burg për shkak të keqpërdorimeve financiare me rastin e blerjes së një veture zyrtare në vlerë prej rreth 600 mijë euro.

 

*Foto është publikuar nga mediat malazeze