Ç’U NISE PËR NË SMOKTHINË LULE SPAHO VELÇA, LULE

Ç’U NISE PËR NË SMOKTHINË LULE SPAHO VELÇA, LULE

79
0

NGA ALJOSHA KORKAJ FIRENZE 2024

 Nga që historia e zonë tonë nuk është e shkruar, ajo mbetet e gjallë në këngët popullore. Në traditën e trashëguar, kënga e kënduar në sofrën e burrave, si bashkëudhëtare e artit popullor, ilustrohej edhe përmes kujtimeve gojore. Këngët më të vjetra e më të njohura të Lumit të Bardhë të Vlorës përmbledhin në vetvete venën historike, gojëdhënat e brezave, ngjarje, legjenda për kulte a mite, akte trimërie, evente gëzimi, elegji…

Shkrimi i mëposhtëm me subjekt nga këto këngë, trajton një ndodhi të veçantë krahinore, e cila ndërlidhet me dy zakonet karakteristike shqiptare: Mikpritjen dhe Gjakmarrjen. Heroi i këtij skenari me profil përbindëshi është një azgan nga Velça. Spaho Miha e kishte emrin. Lexuar tekstin e kësaj kënge afro 200 vjeçare, kupton se objekti i poezisë (këngës), përveçse kujtesë historike dhe shpirtërore, është dhe aspekt i ndërthurur situatash e rrethanash midis folklorit, traditës dhe proçesioneve zakonore të ndikuara prej kulturës juridike të kohës – dokeve, nga që aty shkrihen bashkarisht disa elementët të epokës: historia e mëparshme e mendimit, plaga e vjetër e gjakmarjes, ironia therëse, dramaticiteti i shpirtit poetik, ligjërimi folklorik, ngujimi i afro 500 familjeve të Smokthinës përgjatë një nate pa gjumë përballë këtij balozi nga Velça, rezonanca dhe aplifikimi i kësaj bëme trimërie në gjithë krahinën e Lumit të Bardhë…

Para se të flasim për aktin heroik të Spaho Mihës të njihemi pak dhe personalisht me fizionominë e tij fizike, gjendjen familjare e shoqërore. Ja si portretizohej ai në kulmin e moshës burrërore te rrëfimet të moshuarve: shtatëlartë, i bëshëm, fytyrë e sprovuar ku spikatnin sytë e ndritshëm me shikim guximtari. Karakteri tipik velçioti – gjaknxehtë, por i sinqertë, plot gjallëri për jetën dhe punët vetiake. Jeta e përditshme i rezervoi veç mundime, hidhërime dhe deluzione. I druajtur, pa të keq, prej fatit nga që çalonte nga njëra këmbë. Jetonte i vetëm me nënën. Ishte i ve, pa trashëgimtar – fëmijë. Për vëllain thuhej që i ishte vrarë.

Te libri i vet “Velça – Figura Historike”. Botim 2010, Lilo Nuraj jep një version më të zgjeruar të kësaj ngjarje.

…. Pleqtë e fshatit, nga sa kishin dëgjuar prej bisedave të parardhësve të tyre, rrëfenin që, Spaho Velça ishte nip në fshatin Matogjin, te fisi Guçaj, tek stërgjyshi i Sefer Meços (vetë Seferi ishte vrarë në luftë 1944). Ndaj Lilo Nuraj, këmbëngulës e kurioz, nga fillimi i viteve ’70 -të, shkoi vetë në Matogjin ku ka ndodhur ngjarje dhe ka mbledhur fakte të thëna nga Asllan Haris Lula dhe Veip Haris Hasamataj (ndërruar jetë respektivisht 80 dhe 65 vjeç para vitit 1978).

Arsyet e kësaj ngjarje? Të shumta hamendjet mbi vitin e ndodhisë dhe qëllimin e hakmarrjes në fjalë.

Dero Muarati, te libri “Në Burgun e Memories”, botim 2014, shkruan që: “Spaho Miha do merrte hak për vëllanë”.

Lilo Nuraj, te libri i vet “Velça – Figura Historike”, shtjellon dy variante: “…do merrte hak për dajon”, e tjetra: “Spahua ishte bërë garant për dikë por u tradhëtua! Ata që kishin armiqësi me njeriun e tij nuk e mbajtën besën sipas marrëveshjes. Miku për të cilin Spaho u bë garant, u vra pabesisht”

Në Velçë, përreth figurës së Spaho Mihos janë stisur mjaft rrëfime si dhe tre – katër variante këngësh të kënduara prej të moshuarve, që lidhen me zakonet, hakmarrjen dhe besën e dhënë. Në se versioni i rrëfimeve krijon një linjë historie, te këngët, rapsodi popull ka një garant që e frymëzon për t’i dhënë Spahos identitetin e papërsëritshëm, cilësitë më të afërta me mitin – trimin e çartur.

Asokohe, karakeristikat e trimit ishin parësore.

Varianti i parë i këngës shtjellon arësyen e ngjarjes:

… Spaho Miha shkon në Smokthinë për hallin e vet. Vetvetiu rrugët të çojnë te sheshi apo logu i fshatit, ku zakonisht, burrat rrinin e kuvendonin mes tyre. Spahua i përshëndet duke u dhënë “selam’n”. Kuvendbërësit jo vetëm që nuk ja kthyen “selamin” – përshëndetjen, por ata nxitën një tip budallai, që mbanin pranë për të tilla raste, i quajtur Begë, për ta ofenduar! Ky lloj “loloje”, përmes zërit fishkëllues i përgjigjet Spahos:

– Ik ore hak pa marrë! Pa na jep dhe “selamin” ti! Kuvendbërësit ja plasën gazit! Kjo ofezë kolektive e palyrë përbën momentin kyç të ngjarjes, pasi këtu fillon faza kritike e saj. Ky humorizëm i egër dhe therës me aspekt dyfrontësh (ofeza dhe gjakmarrja), në praktikën e atëhershme nuk kishte fajtorë, por viktimizonte vetvetiu. Nga që, gjithkush që nuk ishte i aftë të merrte dot hakën, trajtohej si burrë jo i zoti, dorë e dytë në shoqërinë e kohës, shtëpi e fundit në fshat. Kësisoj, nuk të pranonin as për mik! Dmth, faji i tij ishte tragjedia e sensit të fajit!

 

Ç’u nise për në Smokthinë

Lule Spaho Velça, lule,

I gjete në breg tek rrinë

U dhe selam’n e s’ta prinë,

Ata që s’pritën selamnë

Kallën Begë budallanë,

Të thanë: “je hak pa marrë”!

 

Ndjeu në faqe ofezën, dhimbjen, vuajtjen. E turpëruan me burracakërinë e tyre, në shtëpinë (fshatin) e tyre! Gjuha e helmuar e kuvendbërësve abuzoi me kodin e mikpritjes dhe respektin ndaj kalimtarit, që zbrisnin qysh nga proçesionet antike, e specifikonin që: “… kur një i huaj futet apo kalon për çdo arsye në shtëpinë apo fshatin tënd, mikpritja dhe respekti është detyrim zakonor … ai pritet sikur të ishte anëtar i kësaj familje dhe respektohet e mbrohet si mik”!

Përshkuar prej stresit të fortë nervor, i zemëruar, kokëulur prej turpit, kthen kalin mbrapsht për te shtëpia e vet. Ditën tjetër gjen një armë, e cila asokohe kushtonte sa një sy njeriu. Fërfëllinte era e hakmarrjes. E kishte përpiluar me detaje në mendjen e vet planin. Mbasdite vonë, niset fshehurazi për në fshatin Matogjin. Rruga për t’ju futur këtij fshati fillon aty ku mbaron Verbasi. Por, për të mos e parë kush, ai zgjodhi kalimin tjetër. Grykave të egra rrëzës së malit. Për vetë pozicionin mes dëllinjave dhe shkurreve të dendura, drejtimin gjarpërues e karakterin malor, është një prej rrugëve më të padukshme. Kënga e bukëlthit dhe ftohtësia e shkëmbijve ishin tingujt e udhëtimit. I trysnuar nga klima e rëndë psikologjike pak përshtypje i bënte nëse i rrezikohej jeta. Ky koncept gjykimi mbi të cilin bazohej filozofia e këtij veprimi (gjakmarrjes) nisej nga një ide e qartë: kjo çështje zgjidhej sipas zakonit – dokeve, mbi bazën e të cilave realizohej tutela e vlerave. Fshehtas i afrohet shtëpisë të hasmit dhe vret njërin prej burrave që ishte ulur në shkallët e gurta. Rastisi që viktima kishte atributet e agait të fshatit. Me një xhest kreu dy të mira bashkë: mori hakën siç e donte ligji i gjakut (në gjakmarrje fshihej nderi individual, i familjes dhe ai i fisit), njëkohësisht mbylli përgjithmonë gojët e liga.

 

Mugu parë e tinë parë,

hajmedet, o Spaho trimi,

more udhën duke qarë,

Spahua sakat mbi kalë,

Qëllove again në shkallë:

– Na këtë “lule” në ballë

Ke të fala për filanë

Kishja hakë për të marrë!

…………………………

Kishte lindur nëna djalë…

 

Sipas rrëfenjave të moshuarve, të terrorizuar prej aktit të velçiotit, të parët reaguan familjarët dhe fisi i viktimës. Kur krisma e pushkëve mbërriti në veshët e smokthinjotëve, u mblodh jo vetëm fshati ku ndodhi vrasja, por edhe fshatrat përreth. Instikti i mbrojtes e detyroi Spaho Mihën të futej te shtëpia e gjyshit apo stërgjyshit të Mehmet Isait (Aliut), familje e shuar mbas viteve 1930. Por edhe këtu fjala e dhënë nuk u mbajt! Kështu që së bashkë me zakonin, u tradhëtua edhe Spahua. I zoti i shtëpisë, i pafuqishëm përpara presionit të bashkëfshatarëve, nuk e mbrojti dot. Për Velçiotin, ndjenja e krenarisë që u hakmor ishte mbizotëruese dhe burim heroizmi. Edhe pse i mbërthyer në çarkun e ankthit, ky flakadan me shpirt kalorsiak dhe heroik, doli i vetëm në “det të hapur” dhe luftoi gjithë natën përballë një krahine. Qëndresën heroike të Spaho Velçës dhe makabritetin e asaj nate të errët do ta dëshmonte i kuqi i mëngjesit dhe bardhësia e ditës. Raportet këngë – ndodhi kanë qenë në shekuj dëshmitarë dhe protagonistë. Vetë folklori na bind për këtë “dyluftim” midis Dragoit nga Velça dhe një Smokthine të tërë:

 

Pesëqind shtëpi në Smokthinë,

një natë pa gjumë e gdhinë,

përgjonin në vetëtimë!

Kë përgjojnë, gjalmëzinë?

Luftojnë me Spaho Mihë,

rrënjëdalin, suferinë …

 

Të gjitha aktet e tragjedisë shoqërohen nga dhimbja. Vrasja e Spahos, edhe pse një epilog dramatik, nuk ishte saktësisht një lamtumirë, pasi fantazma e tij do gëzonte përjetësinë folklorike te këngët e fshatit. Trimëria e tij, nëpër sofra gëzimi dhe kuvende burrash, konsiderohej si model pozitiv, nga që heroi i ditës ishte nga Velça, e kësisoj, emri i fshatit kishte më dinjitet dhe influencë publike se ai i personit. Gjakmarrja, kjo kolerë e padenjë, në rrjedhën historike ka përfaqësuar një tendencë absurde. Në thellësitë e mijëvjeçarëve dikush krijoi modën e gjakmarrjes dhe, mbasandaj, të tjerët, stilin e tij, u detyruan ta interpretonin si një ritual. Kjo barbari e trishtueshme, hera – herës do asgjësonte fshatra dhe fise të tëra. Për kujtesë sjellim sherrin masiv te zona e Shëngjergjit në Lugje, midis Velçës e Bratajt (vitet 1780 – 90), ku mbetën mbi dyzet viktima!

Ky memorial biografik, përveçse një homazh heroit të legjendës, është një nerv i zbuluar në marrëdhëniet Velçë – Smokthinë. Nga që rrëfimet dhe këngët për Spahon rikuperojnë direkt një raport grindjesh mes tyre. Fshatrat tona, vende të njohjeve të harruara. Smokthina nuk ishte një aleatët model i Velçës. Me ata vetëm pushtimet na kanë bashkuar! Në se shpirti i flaktë atdhetar i vlejti shumë Atdheut, marrëdhëniet fqinjësore linin shumë për të dëshiruar. Hera – herës situata do u shkiste nga dora duke mbivlerësuar efektet në vend të arsyes. Kaq mjaftonte që agresiviteti të kthehej në rutinë. Urrejtja manifestohej në mënyra të ndryshme. Boll ta ilustroj me sherrin për ujin e Zvorit, apo rastin kur kuvendi krahinor i pleqve detyroi Velçën, që, si kompesim dëmi për viktimat që i kishte shkaktuar Ramicës përgjatë një sherri, t’i jepte ramiciotëve gjysmën e fushës në skajin lindor të fshatit tonë. Paradoksalisht, akoma dhe sot, kjo është e vetmja “fushë e begatë” e Ramicës!

Gjitonia Velçë – Smokthinë është traumatizuar edhe nga shpifjet apo gojët e liga. Shpesh nuk është vetëm arma ajo që provokon krimin, gjëmën. Sa herë një fjalë e rëndë, e dalë nga goja e keqe, apo histori të sajuara, epitete ofenduese, krahasime të pakujdesshme kanë hapur sherre, grindje, vrasje, polemika të pafundme. Mbrojtja romantike e zakonit të keq, të shpifjes, fyerjes alegorike karshi gjitonit, smokthinjotë e demostrojnë edhe te sajesa e metaforës të mikpritjes midis Velçiotit dhe Vërmikasit, apo te përgojimi “kokë Velçe”!

Vetë fshatrat kanë zakonet e mira apo të këqija, mbi bazën e të cilave vlerësohen apo përgojohen. Natyra bujarisht i ka besuar velçiotit kokëfortësinë. Fisnik, i besës, trim e krenar, pikërisht te kokëfortësia karakteri i tij i ashpër nxjerr krye. Ostinacioni “Kokë Velçe”, u formua në vetë kulturën shtëpiake të këtij fshati, vendit të shenjtë ku jetohet, hahet e pihet, ku bindet e formohet mentaliteti me pinjolerinë private. Dmth qëndrimi strikt ndaj zakoneve, rregullave dhe formave të tyre. Velçioti ka qenë i drejtë, i prerë ndaj dredhive, pabesisë dhe gënjeshtrës. Meqë jemi në temë, kush tjetër pëveçse një “kokë Velçe” si Spahua, do i shkonte “lodrën” një Smokthine të tërë!? ….

Te kjo ngjarje nuk është hera e parë që Velça dëgjon zërin e saj. Në itinerarin e kujtesës folklorike të këngëve labe oshëtin jehona e bëmave të Selam Hasanit, Mezin Manaj, Abaz Malos (Kokaj), Ali Beqirit… etj.

Natyrisht që lexuesi nuk e njihte heroin tonë. Bëma e tij do kumbojë përjetësisht, nga që ngjarjet kanë përherë peshë në vetvete. Ky ishte Spaho Velça! Le ta lexojmë nga çdo këndvështrim!