Përvjetori i 32-të e ka gjetur Çiljeta Xhilagën mes surprizave të miqve, por edhe të moderatorit Ermal Mamaqi.
Ai e ftoi Çiljetën në emisionin e tij dhe ka krijuar vërtet situata argëtuese, ndërsa ka marrë në telefon edhe vetë Kryeministrin Edi Rama për t’i plotësuar një dëshirë Çiljetës. Në fakt, ishte vetë Ermali që e ngacmoi këngëtaren se çfarë do t’i kërkonte Edi Ramës dhe ajo i është përgjigjur me ironi: “Meqenëse dikur kam thënë që ai është një piktor i dështuar, dua të më bëjë një portret, jo bust, pasi bust nuk ma lejon fleta”.
Menjëherë moderatori ka nisur tentativat për t’ia përçuar Kryeministrit dëshirën e Çiljetës. Ai i ka bërë thirrje Ramës gjatë emisionit, duke i thënë: “Kryeministër, përshëndetje! Jam këtu me Çiljetën.
Çiljeta ka një kërkesë, por ta them unë, se asaj i vjen zor. Ajo do që të vërtetojë se ti je një piktor i suksesshëm.
Dhe që t’ia vërtetosh këtë, ajo dëshiron që t’ia pikturosh portretin, por pa gjoksin”.
Pas kësaj, Mamaqi ka arritur të lidhet me Ramën, i cili i ka thënë shkurt: “Çili nuk duhet të ketë portret, por bust. Çili pa bust është si PD-ja pa Berishën”.
Rama dhe Çiljeta nuk është hera e parë që bëjnë batuta me njëri-tjetrin në distancë.
Disa herë Kryeministri e ka thumbuar ish-kryetarin e PD-së, Sali Berisha, për format bombastike të Çiljetës, e cila për 4 vite ishte në radhët e larta të Partisë Demokratike.
Një rast i tillë madje ka qenë edhe gjatë konferencës me komisionerin Fyle (korrik 2014), kur ndërsa diskutohej për një çështje shumë serioze siç ishte statusi kandidat i Shqipërisë në BE, Kryeministri Rama bëri ironi këngëtaren: “Më vjen keq për Çiljetën dhe këngëtarët e tjerë që mund ta kishin ndryshe këtë ditë, po të ishin të tjerë në qeveri”.
Çiljeta iu kundërpërgjigj menjëherë shefit të qeverisë, po njësoj, me ironi: “Jam krenare që kam kënduar për hyrjen në NATO, ndërsa ti gjeje strehim te vullnetarët e Enverit”.
Në këto replika-batuta u përfshi edhe Sali Berisha, i cili argumentoi se Rama sulmon Çiljetën vetëm ngaqë ajo këndoi në rastin historik të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, por nuk ka as 1/100 e performancës së saj.
“Të kishte pasur 1/100 e performancës artistike të Çiljetës, nuk do të ishte një piktor mjeran i dështuar, siç është, që s’ka shitur dot një tablo në jetën e tij. Po sigurisht, ky koncert nuk mund të bëjë se pengoi statusin kandidat”,- deklaroi asokohe Berisha.
Ndërsa Çiljeta e ka përforcuar në vijimësi thënien e ish-kryetarit të saj, pasi në disa intervista ka theksuar se “Rama është një piktor i dështuar”. Mbetet për t’u parë nëse Kryeministri do t’ia plotësojë dëshirën Çiljetës për t’i bërë një pikturë dhe ndërkaq, nëse ajo do të ndërrojë mendje për talentin e tij si piktor.