Buzëqesh Sylvinho, Kumbulla rikthehet në stërvitje, ja kur pritet të zbresë në...

Buzëqesh Sylvinho, Kumbulla rikthehet në stërvitje, ja kur pritet të zbresë në fushë

237
0

Jo vetëm Broja, një mungesë shumë e madhe për Sylvinho-n në fushatën kualifikuese, ishte edhe Marash Kumbulla. Të dy lojtarët pësuan një dëmtim të ngjashëm, shumë të rëndë, por ndryshe nga Broja, Kumbulla vijon ende fazën e riaftësimit. Më në fund, ka dritë në fund të tunelit, pasi qendërmbrojtësi kuqezi është rikthyer të stërvitet me pjesën tjetër të ekipit. Kumbulla është parë në “Trigoria” ditën e mërkurë duke u stërvitur me skuadrën, por është ende shumë herët për ta parë në fushë.

Jose Mourinho ka emergjencë në repartin mbrojtës, por në rastin e Kumbullës nuk mund të nxitojnë, këputja e ligamenteve të gjurit është dëmtimi më i rëndë. Sipas mediave italiane është e pamundur që Kumbulla të zbres në fushë brenda 2023. Me shumë mundësi, Kumbulla do të rikthehet në mesin e muajit janar, dhe për Mourinho-n mund të konsiderohet si një blerje e re. Ky është një lajm i shkëlqyer mbi të gjitha për Sylvinho-n i cili shpreson që të ketë qendërmbrojtësin kuqezi në kushtet perfekte gjatë aventurës në “Euro2024”.