Ballist Morina “dhimbja e kokës” së tri shteteve!/ Nga Dritan Laci

Ballist Morina “dhimbja e kokës” së tri shteteve!/ Nga Dritan Laci

566
0

Ismail Morina, apo ndryshe i njohur si Ballist Morina i Dronit të Beogradit, vazhdon të mbetet prej 4 muajsh i burgosuri më mediatik shqiptar. Kjo jo pa shkak, pasi rasti i tij, krahas precedentit të parë që krijoi me aktin e lëshimit të një droni gjatë një ndeshje ndërkombëtare me ngjyrime të forta nacionaliste, ka krijuar edhe një precedent të dytë që lidhet me të drejtën ndërkombëtare se si duhet të sillemi në rastet kur kemi një të ndaluar i cili ka futur në siklet jo pak por tri shtete. E parë në këtë aspekt Kroacia; e cila e mban të ndaluar prej katër muajsh Ismail Morinën për shkelje të paligjshme të territorit; në pamje të parë do ndihej tejet komode  me pasjen në dorë të personazheve si Ballist Morina. Kjo sepse personazhe të tillë në gjuhën e kanaleve diplomatike janë ndryshe edhe “xhevahire” të cilët çdo shtet i përdor për përfitimet e veta. Në këndvështrimin e parë Kroacia duket se po e përdor si gur shahu Ballist Morinën midis Shqipërisë dhe Serbisë. Por e parë më ngushtë duket se Kroacia as vetë nuk do ta donte ta kishte një personazh të tillë në këto momente të burgosur në qelitë e saj. Për më tepër kur në këtë lojë “më jep, të jap” protagoniste kryesore është Serbia e cila ka lëshuar urdhërin e ekstradimit ndaj Ballist Morinën. Duke ditur marrëdhëniet e acaruara diplomatike me Serbinë që datojnë që nga lufta që ndoqi shpërbërjen e Jugosllavinë, diplomacia kroate i ruhet një përkeqësimi të mëtejshëm të marrëdhënieve. Por në krahun tjetër nacionalistët kroatë të ndjeshëm ndaj këtyre personazheve dhe media vendase po ushtrojnë trysninë e tyre që Ballist Morina të mos ekstradohet në Serbi. Një tjetër fakt historik që ka vënë në vështirësi diplomacinë kroate; që tashmë ka në dorë fatin e Ballist Morinës; është edhe konteksti i raporteve të ngushta që kroatët kanë me shqiptarët që nga vitet ’90, kur formacionet luftarake kryesisht nga Kosova u rreshtuan në krah të tyre kundër serbëve që mësynë Kroacinë. Kroatët nuk e kanë harruar këtë fakt historik ndaj edhe i druhen një hatërmbetje të shqiptarëve, që për ta do të ishte një shkelje në besë. Ndaj për kroatët Ballist Morina me mediatizimin dhe popullaritetin e tij është një “ngecje në derë”. Sa do kishin preferuar më mirë në krye të herës ta kishin lënë të lirë se sa të kishin një dhimbje koke të tillë. Në krahun tjetër edhe pse ka lëshuar një urdhër ekstradimi, as vetë Serbia, duket se po nuk po e do më Ballist Morinën në qelitë e saj. Në kushtet aktuale gjeopolitike ku Serbia po kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, ku flitet për njohje të Kosovës, ku ka një qasje ndryshe ndaj NATO-s, një personazh si Ballist Morina në Serbi thjesht do krijonte probleme të panevojshme. Ndaj edhe deklarata e një ekstremisti si Sheshel i njohur për urrejtjen patologjike ndaj shqiptarëve, i cili e konsideron si shqetësim që duhet shmangur ekstradimin e Ballist Morinës në Serbi, lidhet kryekëput me zhvillimet e fundit në rajon dhe me një klimë të re partneriteti që nuk vlen të rrezikohet për një tekë qoftë kjo edhe për një personazh si Ballist Morina. Ky është edhe favori që Ballist Morina ka në këto momente. Që duhet shfrytëzuar maksimalisht nga pala shqiptare, e cila nuk duhet të presë thjesht çfarë pazaresh do të bëjnë Kroacia dhe Serbia me Ballist Morinën por të shfrytëzojë kanalet e saj diplomatike në mënyrë që Morina të fitojë lirinë. Shqipëria nuk mund të jetë gjithë kohës pritëse dhe vëzhguese në këtë lojë, por duhet të tregohet faktor, ndryshe ky do të ishte një tjetër dështim spektakolar dhe ç’nderues për shqiptarët të cilët nuk do tja falnin këtë humbje politikës së tyre./ Opinion.al