Asnjë formë e dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve në institucione dhe jashtë...

Asnjë formë e dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve në institucione dhe jashtë tyre nuk duhet toleruar

639
0

Save the Children shpreh indinjimin dhe dënon me forcë rastet e çdo forme dhune dhe abuzimi të ushtruar ndaj fëmijëve në institucionet e përkujdesit shoqëror, të raportuara deri tani përfshirë rastin më të fundit të dhunës verbale dhe fizike ndaj fëmijëve në “Shtëpinë e fëmijës 0-6 vjeç” në Vlorë. Dhuna ndaj fëmijëve ka një impakt shkatërrues në jetën e femijeve, kërcënon mbijetesën dhe zhvillimin e tyre dhe nuk duhet të tolerohet në asnjë rast. Save the Children, krahas punës për të promovuar shërbime cilësore, për fëmijët pa kujdes prindëror, me bazë famijen dhe komunitetin, ka sjellë vazhdimisht në vëmendje të autoriteteve përgjegjëse dhe publikut rëndësinë e parandalimit të institucionalizimit të fëmijëve, ngritjen e shërbimeve cilesore të kujdestarisë alternative, përfshirë zbatimin e nje plani kombëtar për deinstitucionalizimin e fëmijëve. Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës, neni 7, ka përcaktuar familjen si vendin më të përshtatshëm për rritjen e një fëmije dhe të drejtën e fëmijës për tu rritur me familjen dhe prindërit e tij. Neni 5 dhe 18 përcakton detyrimin e shtetit në marrjen e masave për të mbështetur familjet dhe prindërit, në ushtrimin e përgjegjësive të tyre prindërore dhe ofrimin e shërbimeve të nevojshme për fëmijët. Ndërsa në raste kur familja e ka të pamundur të kujdeset në mënyrë të përshtatshme për fëmijën, Konventa ngarkon me detyrë shtetin për të ngritur dhe ofruar shërbime të kujdesit alternativ. Detyrimet për një mbrojtje të vecantë të fëmijëve nga shteti gjejnë pasqyrim edhe në Kushtetutën e Shqipërisë. Në Shqipëri, ka pasur zhvillime pozitive dhe angazhim për reformën e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve dhe deinstucionalizimi i fëmijëve është vënë në prioritet nga qeveria. Në të njëjtën kohë, ofrimi I shërbimeve është decentralizuar me qëllim për të sjellë më shumë shërbime më afër njerëzve dhe të përshtatura me nevojat e tyre. Ligji nr. 18/2017, Neni 59, i përmirësuar së fundmi, sjell një risi për sa I përket vendimit për masat emergjente të mbrojtjes dhe vendosjes në përkujdesje alternative me bazë familjen. Megjithatë mbetet akoma shumë për të bërë për të ngritur një sistem funksional shërbimesh cilësore në fushën e mbrojtjes dhe përkujdesjes së fëmijëve dhe autoritetet lokale duhet të marrin masa për përgatitjen e familjeve kujdestare potenciale për kujdesin e përkohshëm të fëmijëve pa kujdes prindëror. Legjislacioni, udhëzimet dhe praktikat për rregullimin dhe zbatimin e kujdestarisë alternative dhe deinstitucionalizimin duhen të plotesohen dhe të përmbushin standardet e përkujdesjes alternative përfshirë këtu edhe ato të transformimit të shërbimeve rezidenciale në kujdestari familjare.