Artistët austriakë kundër shembjes së Teatrit Kombëtar edhe nobelistja kunder shembjes

Artistët austriakë kundër shembjes së Teatrit Kombëtar edhe nobelistja kunder shembjes

517
0

Prej ditës kur sheshi para Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental u kthye në një arenë përplasjesh midis Policisë e qytetarëve që kundërshtojnë shembjen e godinës, një grup artistësh vjenezë nisën një peticion për të ndërgjegjësuar klasën politike dhe jo vetëm.

Emra të njohur të skenës së artit si autori dhe muzikanti Gerhard Ruiss, por edhe specialistë të arkitekturës si Gabu Heindl kanë dalë kundër shembjes së godinës historike. Vëmendje ka tërhequr sensibilizimi i shkrimtares avangardiste Elfriede Jelinek, e cila në 2004-ën u shpall fituese e çmimit Nobel për Letërsinë.

Kauzës mandej iu bashkuan edhe emra të tjerë në zë, si aktori e regjisori Händl Klaus, gazetari Uëe Mattheiß, si dhe regjisorja e famshme Sabine Mitterecker. Ndërsa në peticionin e tyre, përmendet fakti se në 24 korrik u tentua të bëhet boshatisja e dhunshme e godinës së Teatrit, për të zhvendosur rekuizitën, artistët austriakë, lidhur me procedurat e tenderimit thonë se nuk ka transparencë të plotë.

“Shqipëria përpiqet që, krahas të tjerash, edhe me mbështetjen e fortë austriake, të sigurojë anëtarësimin në Bashkimin Europian. Anëtarësimi në Bashkimin Europian është i pamundur nëse rregullat europiane në lidhje me tenderët dhe transparencën e prokurimit nuk respektohen, e madje në të kundërtën, krijojnë precedentë që nuk kanë lidhje me shtetin ligjor”, thuhet ndër të tjera në peticion, ku u bëhet thirrje për reagim klasës politike austriake si dhe europianëve. Në deklaratën që iniciohet nga firmat e emrave të njohur të kulturës austriake, nuk lihet pa u përmendur as qëndrimi kritik i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, për praktikën e Partneritetit PublikPrivat ndjekur edhe në raste të tjera në Shqipëri.

“Shpërndarja e kostove dhe riskut që lidhet me të, nuk shkon në të mirë të shtetit shqiptar, popullit shqiptar dhe grupeve të prekura të popullsisë shqiptare. Kërkesa e Bankës Botërore dhe FMN është që kjo praktikë të ndalojë deri në realizimin e proceseve transparente të vendimmarrjes. Për diçka të tillë për momentin as që bëhet fjalë”, thuhet në apelin e austriakëve, ku përmendet edhe ndërtimi i kullave private dhe një ndërtese të re teatri, si pjesë e një qendre tregtare.

MARTIN HENZE NË TEATËR, VLERËSON PROTESTËN

Martin Henze, Kryetari i Komisionit të Transportit në Këshillin Ekonomik të CDU-së, ka vizituar dje artistët e qytetarët që qëndrojnë në ruajtje të Teatrit Kombëtar. Gjatë bisedës që ka zhvilluar me ta, Henze ka vlerësuar mënyrën paqësore se si po zhvillohet protesta. Po ashtu, ai u shpreh se është në dijeni të parregullsive në Ligjin Fusha, dhe të lëvizjeve të maxhorancës, për sa i përket çështjes së Teatrit.

 

FESTIVALI PËR MBROJTJEN E TEATRIT

Ditën e djeshme, protesta për ruajtjen e ndërtesës aktuale të Teatrit vijoi me muzikë rok. “Unit Band”, një grup të rinjsh nga Shkodra, iu bashkua kauzës, duke gjallëruar atmosferën. Ndërsa sot në orën 20:30, për të mbështetur kolegët, një grup aktorësh nga Kosova do të mbajnë një performancë eksperimentale të titulluar “Kanuni i gruas”, nën regjinë e Arlinda Morinës dhe Labinot Racit.