Arlis Alikaj dhe iniciativa e tij frymëzuese për fuqizimin ekonomik të komuniteteve...

Arlis Alikaj dhe iniciativa e tij frymëzuese për fuqizimin ekonomik të komuniteteve rurale

330
0

Në natën magjike të Ndërrimit të Viteve, shkëndija e solidaritetit ndriçoi jetët e disa familjeve në nevojë, duke shtuar ngrohtësi në zemrat dhe tavolinat e tyre me një pjatë të ngrohtë më shumë, kjo falë organizatës lokale në Librazhd, Qendra Mjedisore Për Studime dhe Zbatime, (QMSZ). QMSZ drejtohet nga i riu vizionar Arlis Alikaj.

Nëpërmjet kontakteve dhe partnerëve të QMSZ-së, Arlis mundësoi shpërndarjen e 75 pulave veze për familjet e margjinalizuara në Librazhd. Më shumë se thjesht ushqim, secila pulë, së bashku me kotecin e ri dhe ushqim të siguruar për disa muaj, simbolizon fillimin e një kapitulli të ri për gratë e komuniteteve romë dhe ato që përballen me vështirësi ekonomike.

”Kjo iniciativë është shpresa jonë për të ndërtuar ura të fuqizimit ekonomik për këto gra teksa hapim rrugën drejt stabilitetit dhe të ardhurave të qëndrueshme nga veprimtaria e tyre e re – tregtia e vezëve. Ndërsa vitet kalojnë, ne qëndrojmë të përkushtuar për të mbjellë farat e suksesit dhe pavarësisë në këtë komunitet – pasi çdo pulë ka potencialin të bëhet një burim i zemërgjerë i të ardhurave.” – thotë Arlis Alikaj për Portalin Vizion.

Disa momente nga shpërndarja e pulave.

Në një kohë kur të rinjtë po largohen masivisht drejt vendeve të BE-së për një të ardhme më të mirë ka dhe të rinj si Arlis, që sakrifikojnë energjitë dhe mendon për të fuqizuar komunitetin e tij rural.

QMSZ punon me gratë e ”harruara” dhe të rinjtë me sfida sociale e të papunë duke bërë përpjekje për ti ri-integruar ata në shoqëri dhe për të ngritur komunitete të shëndetshme ku banorët jetojnë në harmoni me natyrën. Arlis është një aktivist megjithëse i ri, me një eksperiencë të gjatë në shoqërinë civile. Që në moshën 14 vjeçare ai punoi vullnetar për të shkruar blogje dhe organizuar kampe për të rinjtë me aftësi të kufizuar.

Mund të bëjmë vetëm gjëra të vogla me dashuri të mëdha, përfundon Alikaj. Roli organizatave lokale është jetik për tu dhënë zë komuniteteve dhe për ti zhvilluar ato. Megjithëse me pak burime, këto organizata janë thelbësore në krijimin e nismave dhe programeve inovative që të adresojnë sfidat lokale dhe që ofrojnë mundësi për të mbështetur komunitetet në nevojë.

Për më shumë dhe për të mbështetur vizionin e QMSZ, vizitoni ata në rrjetin social Fejsbuk: https://www.facebook.com/ShoqataQMSZ
Shperndaje