Analiza gjermane: Këto janë katër arsyet pse i humbi zgjedhjet Basha

Analiza gjermane: Këto janë katër arsyet pse i humbi zgjedhjet Basha

483
0

Lideri demokrat, Lulzim Basha thotë se zgjedhjet u manipuluan masivisht, por një analizë gjermane thotë se shkaqet për humbjen e thellë të demokratëve janë të tjera. Fondacioni “Konrad Adenauer” ka përgatitur një analizë për zgjedhjet në Shqipëri. Walter Glos shkruan në analizën e tij se socialistët dolën nga këto zgjedhje si fitues të qartë. “Kurse PD, partneri i PPE, nuk ia doli që të paraqesë një alternativë të besueshme për përmirësimin e të këqijave në vend, qoftë edhe për shkak të humbjes së forcave gjatë 90 ditëve protestë në çadër. Gjithashtu, vështirë se e kuptoi dikush se çfarë programi dhe çfarë qasjesh qëndronin pas të ashtuquajturës “Republika e Re”, që u propagandua për muaj të tërë në çadër nga kryetari i PD-së”. “Gjatë kohës që PD merrej me veten e saj (90 ditë protestë në çadër dhe bojkot parlamentar), PS dhe LSI punuan për javë të tëra fushatë, duke planifikuar gjithçka dhe duke mobilizuar votuesit e tyre. Publiku thjesht nuk besoi në një ndryshim politik. PD nuk ia doli që të përfaqësojë një alternativë të vërtetë ndaj Edi Ramës”. Sipas analizës, katër faktorët për dështimin e PD-së janë:

-Protesta në çadër dhe bojkoti parlamentar. Strategjia e opozitës ekstra-parlamentare nuk bindi bazën e tyre elektorale apo votuesit e lëkundur se PD është një alternativë e përgjegjshme politike ndaj PS.

 

-Mungesa e skuadrave përgjegjëse për organizimin dhe betejën elektorale. Në vend të kësaj, kryetari i PD Lulzim Basha u përfshi në mikro-menaxhimin e fushatës.

 

-Mungesa e demokracisë së brendshme. Hartimi i listave vetëm nga kryetari i PD, shkaktoi shumë trazira dhe grindje brenda partisë. Në publik nuk u kuptua se përse shumë politikanë të njohur të PD-së, si Topalli, Bregu apo Patozi, mungonin në lista. Për më tepër, në listë mungonte edhe kryetari i angazhuar i organizatës rinore dhe shumë drejtues të organizatave lokale të partisë. Po kështu, as forumet e rëndësishme të partisë nuk u përfshinë në vendimet e kryetarit.

 

-Mungesa e komunikimit të programit politik dhe financiar.Programi u hartua në bashkëpunim me këshilltarë politikë gjermanë, si një alternativë e qartë rregullatore ndaj politikës aktuale qeverisëse. Por ai u paraqit shumë vonë në publik dhe nuk u shpjegua në mënyrë të mjaftueshme.

 

Në analizë thuhet se marrëveshja mes Edi Rama dhe Lulzim Bashës ishte një hap i rëndësishëm, por mesa duket votuesit e PD nuk e panë atë si sukses.

 

Tani që ka nisur një garë për të zgjedhur kryetarin e ri të PD, në analizë theksohet: “Mbetet për t’u parë se si PD do të manovrojë nga kriza aktuale për të gjetur sërish unitetin. Me cilin kryetar tek e fundit”.