Lulzim Basha në Lundër, diskuton me familjet programin e PD: Nuk i...

Lulzim Basha në Lundër, diskuton me familjet programin e PD: Nuk i kanë mbetur kurrë borxh shtetit, ama s’shohin dorën e ndihmës në ditë të vështira

380
0

 

Kreu i PD Lulzim Basha ka qenë sot në Lundër, në periferi të Tiranës, dhe ka takuar një familje në vështirësi ekonomike, të cilën e ka njohur me programin e partisë që ai drejton për ekonominë. Basha shkruan se këta njerëz nuk i kanë mbetur kurrë borxh shtetit, ama në ditë të vështira nuk po shohin dorën e ndihmës. “Ne do ta nisim mbështetjen me familjen që në hapat e saj të parë. Do të financojmë 100% interesat e kredive për shtëpi për 5000 çifteve të reja çdo vit. Për çdo të porsalindur do të japim 30 mijë lekë të vjetra/muaj deri në moshën 5 vjeç”, shkruan Basha ndër të tjera.

 

Shkrimi i plotë:

 

Sot vizitova familjen e Ramazan Lecit në Lundër të Tiranës, për të diskutuar programin e Partisë Demokratike për familjen. Gjatë bisedës Ramazani më njohu me situatën e vështirë ekonomike të familjes së tij. Njerëz që nuk i kanë mbetur kurrë shtetit borxh, nuk e shohin dorën e ndihmës as në ditët më të vështira. Shumica e familjeve shqiptare në zonat rurale kanë të njëjtin fat. Paguajnë taksa, paguajnë çdo faturë që u shkon nga qeveria dhe bashkia, dhe në këmbim nuk marrin asnjë shërbim apo ndihmë.

 

 

I shpjegova Ramazanit se si programi ynë e vë familjen në qendër të tij dhe sesi do t’i japë fund shpërfilljes së kësaj qeverie për familjet shqiptare. Ne do ta nisim mbështetjen me familjen që në hapat e saj të parë. Do të financojmë 100% interesat e kredive për shtëpi për 5000 çifteve të reja çdo vit. Për çdo të porsalindur do të japim 30 mijë lekë të vjetra/muaj deri në moshën 5 vjeç. Për fëmijët në moshë shkollore, ne angazhohemi të sigurojmë tekstet falas, shkollë gjatë gjithë ditës dhe ushqim në shkollë. Dhe për 90% të studentëve ne do të financojmë 100% të tarifës së studimit.

 

Tashmë shqiptarët e dinë se me këtë program fiton familja shqiptare, fitojnë të gjithë shqiptarët. Më 25 prill, Shqipëria fiton dhe Edi Rama humb!