Rruga e Lumit të Vlorës, gati për të filluar puna në LOT...

Rruga e Lumit të Vlorës, gati për të filluar puna në LOT II

777
0

Segmenti Ura e Gjormit-Brataj-Ura e Laskos rikonstruksioni i të cilit fillon brenda javës së ardhshme do të ofrojë parametra më të mirë të sigurisë. Projekti parashikon përmirësimin e parametrave gjeometrikë të rrugës, zgjerimin e trasesë, rritjen e shpejtësisë së lëvizjes, nivelimin e rrugës me material shkëmbor dhe trajtimin e të gjitha nënshtresave

 

TIRANË – Gati për të filluar puna në LOT II të rrugës së Lumit të Vlorës, një projekt madhor që lidh fshatrat e kësaj zone me pjesën tjetër të vendit dhe del në zemër të bregdetit jonian.

 

Segmenti Ura e Gjormit-Brataj-Ura e Laskos rikonstruksioni i të cilit fillon brenda javës së ardhshme do të ofrojë parametra më të mirë të sigurisë. Projekti parashikon përmirësimin e parametrave gjeometrikë të rrugës, zgjerimin e trasesë, rritjen e shpejtësisë së lëvizjes, nivelimin e rrugës me material shkëmbor dhe trajtimin e të gjitha nënshtresave. Vepra arti si mure mbajtëse dhe pritëse, tombino të dimensioneve të ndryshme dhe 9 ura të reja me gjatësi nga 30-150m, do të ndërtohen përgjatë të gjithë segmentit prej 27.1 km, ndërkohë që në pjesët e rrugës që kalojnë në zona të banuara është parashikuar edhe sistemi i trotuareve dhe ndriçimi.

 

Rruga e Lumit të Vlorës, 94 km fillon nga Bypass i Vlorës – Peshkëpi –  Ura e Gjormit – Brataj –Ura e Kudhësit- Qeparo, degëzimi për në fshatin Kuç, si dhe segmenti nga Rreth-rrotullimi i Peshkëpisë – Selenicë – superstrada Levan -Tepelenë.  Ky aks përshkon fshatrat Peshkëpi, Kote, Gjorm, Lepenicë, Kallarat, Brataj, Kuç, Kudhës dhe përfundon në Qeparo.

 

 

 

Popullsia e zonës arrin në mbi 40,000 banorë dhe përbën rreth 16% të të gjithë popullsisë së Qarkut të Vlorës. Në zonën në fjalë ka më shumë se 60 fshatra me një dendësi të madhe popullsie dhe veçanërisht moshë të re.

Përveçse siguron lidhjen e këtyre fshatrave me Vlorën dhe bregdetin duke nxitur mundësi të reja për zhvillimin e bujqësisë e agroturzimit, panorama fantastike që shoqëron përgjatë të gjithë rrugës pritet të nxisë zhvillimin e aktiviteteve sportive si trekking dhe ecje me biçikileta, të cilat eventualisht mund të sjellin transformimin e të gjithë luginës në atraksion turistik.

 

Në studimin e fizibilitetit që i parapriu fillimit të investimit, është llogaritur se krahas përmirësimit të aksesit në rrugë dhe shkurtimit të distancave, projekti do të gjenerojë një numër përfitimesh sociale dhe ekonomike përfshirë aksesin në tregjet rajonale dhe lokale për fermerët, reduktimin e papunësisë dhe rritjen e të ardhurave për popullsinë lokale nëpërmjet intensifikimit të aktiviteteve ekonomike ekzistuese. Diversifikimi i ekonomisë lokale me aktivitete të reja si ekoturizmi, aktivitete sociale, sportive dhe kulturore, etj., janë gjithashtu disa nga përfitimet direkte që ndërtimi i kësaj rruge pritet të sjellë për popullsinë e kësaj zone në periudhën afatmesme.