Me rritjen e temperaturave të stinës së verës, shtohet ndjeshëm përdorimi i bombolave GLN në të gjitha ambientet si ato familjare edhe ato publike si plazhe, bare, restorante, hotele, etj. Çka kërkon edhe kujdes dhe vëmendje më të madhe nga të gjithë konsumatorët dhe përdoruesit. Për këtë arsye, si dhe në zbatim të ligjit Nr. 8450 dt. 24.2.1999 “Për përpunimin transportimin, tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, i ndryshuar, ligjit Nr. 32/2016 dt. 24.03.2016 “Për garantimin e sigurisë se punës se pajisjeve dhe instalimeve nen presion” VKM nr.212, date 16.03.2016 “Për përcaktimin e kushteve dhe të rregullave teknike për përpunimin e bombolave të gazit të lëngëzuar te naftës”, Inspektoratëror Teknik dhe Industrial (ISHTI) e gjen me vend të informojë të gjithë konsumatorët familjarë ose jo, në lidhje me kujdesin që duhet të tregojnë për të shmangur çdo rrezik. Pavarësisht se bombolat janë të sigurta, nëse nuk përdoren si duhet dhe nuk zbatohen rregullat e përcaktuara, përdorimi i gabuar i tyre mund të rezultojë me shpërthime, zjarre, humbje të pasurisë dhe më e rrezikshmja humbje të jetës së qytetarëve.
Për të shmangur ngjarje të tilla ISHTI këshillon që:
- Për përdoruesin familjar
– Nuk duhet të përdorin bombola të vjetra me shenja të dukshme të korrozionit që janë jashtë afateve të kolaudimit të datuar në trupin e bombolës.
– Nuk duhet të mbushen në dyqane që kryejnë tranzvazimin nga një bombol e madhe në një më te vogël
– Nuk duhet të mbushen në pikat e karburantit
– Në të gjitha rastet nga Shitësi i bombolave te mbushura duhet të pajisen me fletë palosjen për cilësinë e vetë bombolës, të instalimit dhe përdorimit
– Bombola kur nuk sistemohet jashtë, nuk duhet të vendoset në kthina apo në nivele më të ulëta se sipërfaqja e ambientit ku rrihet
– Bombola nuk duhet të përmbyset ose të lihet shtrirë
– Bombola dhe tubi fleksibël nuk duhet t’u ekspozohen burimeve të nxehtësisë
– Zëvendësimi i bombolës nuk duhet të bëhet në prani të flakës, thëngjijve të një sobe druri ose pajisjeve elektrike në funksionim.
– Para se të bëhet zëvendësimi duhet siguruar që ventili i bombolës që do të zëvendësohet të jetë i mbyllur.
– Tubi fleksibel jo metalik nuk duhet të ketë gjatësi më të madhe se 1 metër, duhet të kontrollohet rregullisht për dëmtime ose plasaritje dhe të zëvendësohet brenda 5 vjetësh nga data e shënuar në tub.
– Guarnicioni që bashkon ventilin me rregullatorin e presionit duhet të ndërrohet pas çdo zëvendësimi të bombolës.
– Mbas çdo zëvendësimi të bombolës duhet të kryhet prova e hermeticitetit të instalimit me ujë e sapun për të zbuluar rrjedhjet.
– Ambienti në të cilin duhet të zëvendësohet duhet të jetë i hapur dhe i ajrosur
– Mos kryeni gatim në kuzhinë pa mbikëqyrje. Shuarja e flakës mund të krijojë ambient të rrezikshëm për eksplozion.
– Gjatë gatimit në sobë nuk duhet të vendosen rroba ose materiale plastike.
– Nëse largoheni nga shtëpia për periudha të mesme apo të gjata, duhet t’i vendosni të gjithë çelësat në pozicionin off.
– Mbani larg fëmijët nga vatrat e djegies dhe bombolat e gazit.
– Mos mbani apo përdorni pije alkoolike pranë vatrave të djegies.
– Pas përfundimit të gatimit bëhet shkyçja e bombolës së gazit.
– Asnjëherë te mos behet prova me flake si shkrepës, çakmak, etj.
– Kur ndihet erë gazi, duhet mbyllur ventili i bombolës, nuk duhet kryer asnjë veprim sidomos goditje metalike apo kyçje/kyçje e çelësit të dritave dhe kryhet ajrosje e plotë e ambientit nëpërmjet hapjes së dritareve dhe dyerve mbasi gazi është më i rëndë së ajri dhe përhapet në dysheme.
– Bombolat të mos përdoren në dhoma me volum më të vogël se 10 metër kub.
– Mos mbani kurrë një bombol plot apo bosh në një makinë të mbyllur, në parking, bodrum, mos e hidh atë në mbeturina. Bombola bosh është e rrezikshme njësoj si bombola plot.
– Bombolat e gazit duhet të ruhen, transportohen dhe përdoren vetëm kur janë në pozicion vertikal.
– Të mos mbushen bombolat e gazit më shumë se 80% të volumit.
- Për përdoruesin jofamiljar
– Nuk duhet të përdorin bombola të vjetra me shenja të dukshme të korrozionit që janë jashtë afateve të kolaudimit të datuar në trupin e bombolës.
– Instalimi i pajisjeve për shfrytëzimin e bombolave me GLN kryhet në përputhje me skemën teknollogjike të instalimit të hartuar nga një inxhiner i liçensuar dhe të miratuar nga një Organ i Miratuar si dhe në përputhje me instruksionet e përdorimit që shoqërojnë bombolën, nën përgjegjësinë e shoqërive të tregtimit me pakicë dhe te subjekteve te liçensuar.
– Instalimi i bombolës së gazit duhet të jetë në ambiente të ajrosura, larg burimeve të nxehtësisë dhe instalimeve elektrike. Rekomandohet përdorimi i tubave të bakrit për instalimin e bombolave deri në vatrën e përdorimit.
– Në rastin e përdorimit të tubave të gomës, që lidhin bombolën e GLN-së me instalimin fiks, duhet që tubat të kenë tregues për afatin maksimal të përdorimit të tyre.
– Në lokalet e shërbimit bombolat e GLN duhet të jenë të vendosura jashtë ambienteve të gatimit dhe jo nën nivelin e tokës pasi GLN është me e rëndë se ajri dhe mund të krijojë xhepa për rreziqe të mundshme.
– Instalimi i bombolave duhet të respektojë kërkesat, si më poshtë vijon:
- a) Në ambiente me volum deri në 10 m3 është e ndaluar vendosja e bombolave;
- b) Në ambiente me volum 10-20 m3 mund të instalohet një bombol me kapacitet 15 kg;
- c) Në ambiente me volum 20-50 m3 mund të instalohen deri në 2 bombola, me kapacitet jo më shumë se 20 kg;
ç) Në ambiente me volum mbi 50 m3 mund të instalohen 2 bombola, me kapacitet total jo më shumë se 30 kg;
- d) Kapaciteti total i bombolave të instaluara në një ambient familjar nuk duhet të jetë më i madh se 40 kg.
– Perdoruesit janë përgjegjës për marrjen e masave për mirëmbajtjen e instalimeve të bombolave të mbushura me GLN, në përputhje me instruksionet e përdorimit dhe treguesin për tubin e gomës, referuar në pikën 3, të përmendur më lart. Shoqëritë e tregtimit me pakicë duhet të ofrojnë edhe shërbimin e mirëmbajtjes së instalimeve të bombolave me GLN.
– Përdoruesit e bombolave të GLN-së duhet të kenë të instaluar, në mjediset ku kanë instaluar dhe përdorin bombolat, sistem detektues e autobllokues të furnizimit me GLN si dhe dedektor për monoksidin e karbonit në ambjent
– Bombolat e mbushura pjesërisht dhe që nuk përdoren nuk duhet të mbahen nga përdoruesi në bodrume, garazhe apo tarraca, nuk duhet të depozitohen në vendet e grumbullimit të mbeturinave dhe as të asgjësohen.
– Përdoruesit jofamiljar që përdorin bombola të mbushura me GLN, duhet të jenë te pajisur me një kontratë sigurimi me një shoqëri sigurimesh, për të garantuar rimbursimin e dëmeve të shkaktuara ndaj palëve të treta, në rast aksidenti prej këtyre sistemeve dhe bombolave të GLN-së.
– Në lokalet e shërbimit, bombolat duhet të përdoren vetëm nga punonjës të trajnuar që njohin rregullat e sigurisë dhe të paisur me Deshmi Aftesie lëshuar nga një Organ i Miratuar.
Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial mbikëqyr respektimin e rregullave teknike për instalimin dhe përdorimin e bombolave të GLN-së nga konsumatorët jofamiljarë duke kryer inspektime të vazhdueshme duke marrë masa administrative për shkelësit e këtyre rregullave. Nga statistikat rezulton se numri më i madh i zjarreve shkaktohen në stinën e verës dhe në pjesën më të madhe të rasteve ato vijnë nga ambientet e gatimit.
Masat më të mira për të shmangur zjarret dhe ngjarjet tragjike janë ato parandaluese të cilat nuk neglizhojnë asnjë nga normat e sigurisë.
Strukturat e ISHTI-it janë angazhuar për të siguruar konsumatorët se të gjitha bombolat që qarkullojne në treg nga ana e shoqërive të tregtimit me shumicë respektojnë kushtet e sigurisë të përcaktuara në kuadrin ligjor.