Kurti: Lojërat e qeveritarëve në kurrizin e qytetarit

Kurti: Lojërat e qeveritarëve në kurrizin e qytetarit

1285
0

 “Tashmë është bërë udhë që kur karriges së pushtetit nisin ti lëvizin këmbët, pushtetarët na dalin me teza, veshje dhe maska demokratike a thua se nuk janë po ata që e kanë pushtetin, shtetin dhe fatin e qytetarit të Kosovës në dorë. Për vite të tëra tashmë para çdo fushate elektorale shohim fytyra të vjetra që vënë maska të reja për të mashtruar qytetarët sërish. Si mundet të jenë ata zgjidhja kur ata janë zgjedha në kurrizin e qytetarit me gjakun dhe djersën e të cilit çojnë jetë luksoze”. Kështu shprehet Faton Kurti, Kryetar i Republikanët e Kosovës (REK), sipas të cilit, e tillë është historia e hedhur për konsum për zgjedhje të parakohshme në Kosovë. “Por këto lojëra politike nuk do të prodhojnë zgjidhje reale për gjendjen politike në Kosovë. Zgjedhjet e parakohshme kanë kuptim vetëm atëherë kur në mënyrë themelore ndryshohet skena politike dhe partitë në qeverisje kalojnë njëherë në opozitë”, thotë Kurti. Sipas tij, subjektet politike të cilat qeverisën dhe po qeverisin Kosovën nuk treguan fare aftësi dhe vizion për të drejtuar vendin drejt zhvillimit ekonomik dhe social. “Është më se urgjente që qytetari të vetëdijesohet e njëherë e përgjithmonë, t’i largojnë politikanët e korruptuar. Politikanët të cilët kanë kapur shtetin dhe konsiderojnë si pronë të vetën vetëm për ti mbushur xhepat e tyre kurse qytetarin e vet e kanë degdisur në një varfëri të skajshme. Madje këta nuk tremben ta fusin Kosovën në një krizë edhe më të thellë politike për ti mbuluar pazarllëqet e tyre”, thotë tutje Kurti.Sipas tij, Kosova po jeton ditë të vështira, korrupsioni në të gjitha fushat dhe sferat e shoqërisë është mjaft i theksuar dhe ka bërë që investitorët të largohen dhe të mos ketë zhvillim ekonomik. Madje, korrupsioni i lartë në vend është edhe pengesë drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe liberalizimit të Vizave, ku kusht kryesor ka luftën ndaj korrupsionit. “Qytetarët e Kosovës duhet t’i thonë ndal kësaj klase politike dhe politikanëve të korruptuar dhe të pa arsimuar, të cilët po e shkatërrojnë këtë vend duke shënuar vetëm regres. Kosova ka mjaft resurse të mira, ka djem dhe vajza intelektualë, të cilët duhet të marrin në dorë fatin e tyre dhe të vendit ku kanë zgjedhur të jetojnë”, thotë Faton Kurti, Kryetar i Republikanët e Kosovës (REK).