Kur vendosej fati i Shqipërisë…..

Kur vendosej fati i Shqipërisë…..

711
0

Shqiptarja që turbulloi francezin Krajewski..

Nga Nuri Dragoi

 

Në orën 15.00 të datës 16 tetor 1913, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit (KNK), i caktuar për administrimin e Shqipërisë nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës në fund të muajit korrik të atij viti, u mblodh për herë të parë në Vlorë, në një sallë të Bashkisë, e cila u ishte dukur më e përshtatshme në raport me mundësitë e tjera që afroheshin. Aty morën pjesë gjashtë të dërguar prej Fuqive të Mëdha. Gjermania përfaqësohej nga Dr. Ëinckel, Austro – Hungaria nga Petroviç, Franca nga Krajeëski, Britania e Madhe nga Lamb, Italia me Leonin dhe Rusia me Petrajev. Në mbledhjen e parë u vendos që drejtimi i presidencës të bëhej me rotacion nga çdo delegat. Si fillim ai do të drejtohej nga Commendatore Leoni, për shkak të moshës më të vjetër. Në takimin e parë, diskutimet nisën me delegatin italian, i cili tha diçka për sugjerimet e Ismail Qemalit në lidhje me delegatët e komisionit. Pastaj u ngrit delegati austriak dhe kërkoi që komisioni të njoftonte Ismail Qemalin, për ta informuar lidhur me marrjen e detyrave.

– Mendoj se duhet ta ftojmë Ismail Qemalin, me qëllim që të caktojë një person të përshtatshëm në postin e delegatit të Shqipërisë, – tha austriaku.

Në atë kohë, konsulli i Përgjithshëm Lamb ndërhyri duke kundërshtuar.

– Megjithëse qeveria e Ismail Qemalit është në mënyrë të pakundërshtueshme “autoritet ekzistues” në Vlorë, ne nuk kemi ndonjë gjë për të treguar lidhur me autoritetin e saj jashtë këtij qyteti.

Në sallë pati zëra pro dhe kundër.

– Sidoqoftë, – vazhdoi Lamb, – ne duhet të evitojmë veprime që mund të kuptohen si njohje prej nesh të saj, si “qeveri e Shqipërisë”.

Me kaq u duk sikur kjo pikë u ezaurua dhe diskutantët folën për mënyrën si duhej të zgjidhej delegati shqiptar i komisionit. Austriaku theksoi përsëri, që rruga e vetme ishte të pyetej Ismail Qemali për të caktuar delegatin.

– Mos harroni, se i vetmi motiv që na ka detyruar të mblidhemi në një lokalitet kaq të padëshirueshëm si Vlora, është për të siguruar njohjen e kabinetit të Ismail Qemalit si qeveri e Shqipërisë.

– Vendimi i Konferencës së Ambasadorëve flet qartë për një delegat të Shqipërisë. Por qeveria e Vlorës, e hedhur poshtë nga dy të tretat e vendit, nuk mund të trajtohet sikur përfaqëson Shqipërinë, – tha Lamb. Prandaj vijoi ai, – unë jam për një zgjedhje popullore dhe në pamundësi të saj, do të jem për një zgjedhje nga ana e Komisionit. Austriaku polemizoi përsëri, por më në fund u vendos që secili prej tyre të diskutonte jashtë mbledhjes me përfaqësues të ndryshëm dhe të silleshin në takimin e ardhshëm dy emra, prej të cilëve do të zgjidhej njëri. Mbledhja u mbyll pas konsultave të bëra lidhur me organizimin e brendshëm të komisionit për financat e tij.

Mbledhja e dytë u zhvillua më 18 tetor. Ajo u mor më shumë me çështjen e rrogave si dhe me gjetjen e mundësive për pajtimin midis Ismail Bej Qemalit dhe Esat pashë Toptanit. Edhe mbledhja e tretë pati dy ditë diferencë nga takimi i mëparshëm. Ajo u zhvillua më 20 tetor dhe diskutoi kërkesën e disa francezëve për koncesion të porteve të Vlorës dhe Sarandës. Më tej ata diskutuan për bisedimet që duheshin bërë lidhur me pajtimin e dy drejtuesve të qeverive shqiptare.

Më 3 dhjetor qeveria franceze dërgoi projektin e saj për ndarjen administrative të Shqipërisë. Ndarja do të ishte si më poshtë: Shqipëria Qendrore, pra territori midis Shkumbinit dhe Matit; Shkodra bashkë me ultësirat në veri të lumit Mat; Mirdita me bajraqet e Selitës, Perlatit dhe Kthellës; Malësia e Madhe; Vlora së bashku me Beratin dhe Elbasanin, si edhe krahinat e tjera, që, pasi të liroheshin nga pushtimi grek, do të formonin dy qendra administrative, në Gjirokastër dhe Korçë.

Më 2 nëntor u thirr pranë zyrave të KNK-së Dedë Qoku, i cili njihej si kryetar i administratës së Lezhëz dhe disa zonave të Kurbinit. Gjatë atij takimi, Dedë Qokut iu bënë disa pyetje. Midis tyre ishte ajo e delegatit francez, Krajeëski . Ai e pyeti përse kishin penguar një anije franceze me lëndë drusore? Qoku iu përgjigj se ky konfiskim kishte ardhur nga mospagesa e detyrimeve të rregullta të kësaj anijeje. Më tej komisioni vazhdoi bashkëbisedimin në lidhje me raportet e Qokut ndaj Toptanit. Ndërsa në kuadër të riorganizimit ushtarak, oficerët holandezë morën përsipër ngritjen e një force xhandarmërie prej njëmijë trupash. Ajo do të formohej brenda tri javësh. Kostoja e saj ishte 6 mijë stërlina në muaj.

Linja e telegrafit ishte prerë më 22 nëntor. Për këtë arsye, KNK i bëri një telegram Esat Pashës, që të merrte masa për ta rilidhur linjën. Në fakt KNK, në vend që të shqyrtonte ecurinë e punëve të kufirit në veri dhe në jug merrej me mesazhin e kolonelit Philips. Ai bënte fjalë për vendosjen e vijës kufitare në terren, midis pushtetit të Esat Toptanit dhe Dedë Qokut.

Mosmarrëveshjet midis palëve ishin të shumta. Franca mbante anën e Rusisë dhe këmbëngulte për zgjerimin e territorit grek në dëm të atij shqiptar. Madje e vonoi anëtarin e vet të Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve të Jugut më shumë se një muaj, me qëllim që forcat greke të nënshtronin popullsinë shqiptare me anë të dhunës dhe ta detyronin atë të dëshmonte para ndërkombëtarëve se donin bashkim me Greqinë. Dukej sikur mendimet e tyre ishin aq të kundërta, saqë kufiri nuk mund të caktohej kurrë. Ndërkaq shirat e shumtë e kishin bërë të pamundur vazhdimin e punimeve, kur afati kohor kishte 12 ditë që kishte kaluar. Ndërsa Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve të Jugut (KNKJ) kishte mbaruar punë me caktimin e kufirit nga Tumba deri në Kepin e Stillos, Grey kërkonte nga KNK që të ndihmohej popullsia shqiptare me një paradhënie të menjëhershme prej 5 mijë stërlinash, të cilat duhej të llogariteshin brenda shumës totale prej 60 mijë stërlinash.

Krajeëski me një shqiptare

Në orën 19.00 të datës 22 nëntor, përfaqësuesin francez të KNK-së, Krajeëskin, e thiri dikush. Në fillim iu duk si zëri i gruas së vetë, të cilën e kishte larg Vlorës.

Errësira e madhe dhe fakti që në qytet gjatë asaj ore nuk lëvizte njeri, e bënë të frikshme situatën për Krajeëskin. Silueta e një gruaje që ngriti kandilin karakteristik për të bërë pak dritë, ishte tepër joshëse për atë realitet të trishtuar. E folura e saj me një theks frëngjishteje të përpunuar “Mësjë Krajeëski ”, ishin gjithashtu miqësore.

– Urdhroni! Ç’dëshironi? – pyeti Krajeëski dhe qëndroi disi i hutuar nga kjo ngjarje.

– Ejani brenda, – i tha ajo duke drejtuar kandilin nga porta e hyrjes, – dua të bisedoj diçka me ju.

Atë çast Krajeëski t iu kujtua porosia e gruas së tij franceze, e cila i kishte thënë të mos dilte në rrugë pas orës 18.00 Në Shqipëri kishte rreziqe.

– Kam dëgjuar se atje edhe femrat janë vrasëse, – i kishte thënë ajo. Por duart e vajzës që ndriçoheshin nga kandili ishin tepër të buta për të bërë krahasime me shprehjen e së shoqes. Krajeëski nguroi të hynte dhe e pyeti: Çfarë nevoje kishit për mua, zonjë?

Jam nga Përmeti, – i tha ajo. – Rrjedh nga një derë fisnike, por jetoj në Paris. Kam ardhur në Vlorë dhe dua të nisem me vapor për atje. Por udhëtimet janë bllokuar për shkak të motit të keq. Hyni brenda ju lutem, e ftoi përsëri ajo.

Krajeëski , në vend që të hidhte hapa para, u spraps.

Megjithatë e pyeti: Në çfarë zone të Parisit banoni?

– Në rrugën Honore de Balzak, numër 247, – tha e përhumbur vajza.

Pas këtij komunikimi, Krajeëski u mat të hynte, por ndërroi mendje, duke iu trembur ndonjë kurthi. Ai kishte mësuar gjatë jetës së vetë, që ndaj ftesave të femrave duhet të ishte gjithmonë dyshues. Gjithçka mund të pritej prej tyre. Natën e mirë! – i tha ai instiktivisht dhe u largua. Pa bërë ende 5- 6 hapa u pendua dhe donte të kthehej, por tashmë ishte vonë. Prapa tij, drita e kandilit të gruas tregonte se ajo ende kishte shpresë për përgjigje pozitive ndaj ftesës.

Krajeëski nuk e ktheu më kokën. Kur mbërriti në dhomë ndjeu një farë trishtimi për refuzimin që bëri. Të nesërmen në mëngjes kaloi andej dhe përsëri e pa vajzën në oborr. Ajo doli me hap të kujdeshëm dhe e përshëndeti: Mirëmëngjes, zotëri!

Mirëmëngjes, – iu përgjigj Krajeëski. – Më falni për mbrëmë. Isha me një dhimbje të tmerrshme koke, – u justifikua ai.

S’ka gjë, – i tha ajo. Dhe menjëherë e pyeti: Si po ju shkojnë punët?

Ai bëri një shenjë, e cila tregonte “aspak mirë”. Ndërsa me zë të ulët, i tha: Ka shumë probleme. Çdo ditë na duhet të shpenzojmë orë të tëra për të pajtuar shqiptarët me njeri – tjetrin. Dhe shtoi: Ju jeni e martuar me francez?

-Ende jo, – tha vajza. Dhe, për të shmangur keqkuptimet shtoi, – jam e fejuar.

Krajeëski vuri re që ajo ishte shumë e bukur dhe e re. Edhe vajza po e vëzhgonte. Ai vuri duart te flokët për të fshehur me pëllëmbë thinjat e tij, ku ishte përqëndruar vështrimi i saj.

Përse Franca është kundër Shqipërisë? – e pyeti vajza, duke sqaruar më tej pyetjen e saj. – Lexoj çdo ditë editorialet e gazetave, ku flitet për antishqiptarizmin.

Ai nuk foli. Nuk donte që biseda e tyre të fokusohej te politika. Qysh një natë më parë, kur e kishte parë vajzën me kandil në dorë, kishte menduar, se edhe mund t’ia lejonte vetes ndonjë idil dashurie, më shumë shpirtërore se sa fizike. Kishte 6 muaj pa e prekur gruan e tij, e cila i thoshte shpesh: Ke mbaruar me të tëra zotëri!

Ajo e ftoi përsëri të hynte brenda, duke i thënë se ishte vetëm. Ndodhej në një shtëpi të kushërinjve të saj. Krajeëski pa orën. – Tani kam një mbledhje, por mund të shihemi në mbrëmje rreth orës 19.00, – i tha ai, shoqëruar me një buzëqeshje disi të ngrirë.

Dhe ashtu ndodhi. Krajeëski, që gjithmonë kishte menduar se pleqëria ishte një zgjidhje e mirë përballë martesës me gruan e tij, tani përkundrazi, donte të ishte disa vite më i ri. Porta ishte e hapur dhe ai hyri pa ndroje. Ndonëse ishte natë, vajza po e priste e veshur me rrobat më të mira të udhëtimit. Ai u ul menjëherë dhe kërkoi pak ujë. Ndoshta për të marrë veten, mendoi Liliana. Për disa minuta Krajeëski po përqëndrohej për të vendosur se ç’duhet të bënte me vajzën: Ta puthte, apo të niste me të biseda politike?

Por ajo e pyeti e para: – Përse Franca e urren kaq shumë Shqipërinë?

Duke menduar se një bisedë mbrëmësore nuk duhet të fillonte me fjalë për urrejtjen, ai i tha: – Franca mbron të drejtat universale të popujve!

– Cila është e drejta e Greqisë, në këtë rast, ndaj popullit shqiptar? – pyeti sërish Liliana.

– Mosmarrëveshjet do të zgjidhen prej Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve të Jugut, – tha Krajeëski, i cili, për hir të së vërtetës, priste më shumë ngrohtësi nga ky takim

Ajo i hodhi në gotë pak raki, të cilën diplomati francez e refuzoi. Pastaj i tha disi e ngashëryer dhe me lot në sy: Kam katër vjet që jetoj tek xhaxhai në Francë. Kur erdha këtë muaj për të varrosur nënën, pashë se gjysma e popullit të Përmetit ishte zhdukur. Një pjesë ishin vrarë. Të tjerët kishin marrë rrugët. Forcat ushtarake greke kanë përdorur 100 mënyrat e mundshme të pabesisë, për të eleminuar çdo shqiptar mysliman, me qëllim që të zotërojnë territoret e Shqipërisë së Jugut. Këto territore, ku ka mijëra vjet që flitet shqip! Ndërsa ushtarët grekë vrasin në vend çdo njeri që thotë, “mirëmingjes apo mirëmbrëma”!

Krajeëski , që deri atëherë i mbante duart të kryqëzuara, i uli poshtë dhe i tha: -Tolstoi thotë, se njeriu nuk është kurrë i pafajshëm për fatkeqësitë e veta. Kështu që edhe shqiptarët, kanë si fatkeqësi kryesore të tyre përçarjen dhe armiqësinë me njeri – tjetrin.

– Kjo është barbari, – i tha vajza, – ju i hidhni njerëzit në det për t’i mbytur dhe pastaj thoni : “Vetë e kishte fajin nga që nuk dinte not”!

– Unë nuk e thashë këtë, – ia priti Krajeëski.

Kështu keni bërë prej shekujsh, duke e lënë Shqipërinë në mëshirë të fatit, në mënyrë që pastaj ta copëtonit si të donit. Më thoni, ju lutem, cila është pjesa e Shqipërisë që do të përfitojë Franca nga kjo kasaphanë?

-Unë jam vetëm 57 vjeç, – tha Krajeëski. – Ndaj nuk mund të di, si ka funksionuar Shqipëria gjatë shekujve. Ne punojmë mbi parime dhe jo mbi interesa.

Ajo lëvizi pak kandilin dhe i tha: – Kjo shtëpi është e tezes time. Tani është e braktisur, sepse të gjithë kanë vdekur nga malarja, nga luftrat, nga përçarjet apo janë vrarë nga pushtuesit.

– Unë nuk kam vrarë njeri, – tha Krajeëski, i cili po bëhej nervoz me vajzën. Duke nxjerrë orën nga qosteku, vuri një lente te sytë. Kur pa akrepat e saj kuptoi se po bëhej vonë. Vajza nuk po e ftonte që të rrinin gjatë dhe ai nuk kishte asnjë emocion erotik, që mund ta nxiste për ta prekur me dorë.

– Të lutem, më thuaj përse më ndalove mbrëmë në rrugë? – e pyeti Krajeëski.

– Për këtë të ndalova, – ia priti vajza dhe vazhdoi, – për të thënë, se ky vend i varfër edhe pa keqdashjen tuaj ka plot viktima e halle. Prandaj bëni diçka të mirë për të, se zoti do t’ju shpaguajë një ditë, – shtoi ajo pas pak, duke e nxitur 57-vjeçarin francez të shkonte drejt derës së jashtme.

Krajeëski e kuptoi që duhej të largohej. Gjatë daljes pati druajtje mos e shihte ndonjë prej oficerëve të milicisë holandeze. Një gjë e tillë mund t’i hapte punë. Pasi u sigurua se nuk kishte asnjeri, doli i hutuar pa thënë as natën e mirë. Rrugës qortonte veten. Kishte bërë gabim që ishte futur në grackën e një femre.

– Ajo kërkon që ne të bëjmë diçka për Shqipërinë, – mendonte me vete, duke ngjitur shkallët e ndërtesës për në dhomën e tij. Ndërsa unë jam këtu për të bërë diçka kundër Shqipërisë. Me këtë siguroj bukën dhe të ardhmen e kalamajve të mi, – shtoi nëpër dhëmbë pas pak.

Para se të hapte derën, ai hodhi vështrimin diku poshtë shkallëve, duke medituar me vete: Ajo kërkon të sigurojë bukën e gojës për fëmijët e saj të nesërm. Ndërsa mua çdo qëndrim pro Shqipërisë mund të më heq bukën e fëmijëve sot!

Dhe, duke u zhveshur për t’u futur në shtrat, vuri re damarët e dalë nëpër gjymtyrë që tregonin se ishte tepër i vjetër për të guxuar të futej përsëri në dhomën e një vajze beqare dhe aq simpatike. Por ishte ndoshta në moshën e duhur për të marrë pjesë në intrigat politike kundër popujve të vegjël….