Sulltana Gjonbrataj, gruaja e hekurt e tre sistemeve/ Si e priti babai...

Sulltana Gjonbrataj, gruaja e hekurt e tre sistemeve/ Si e priti babai fejesën e saj pas daljes nga burgu dhe vështirësitë për t’u çuar bukë partizanëve

496
0

Emisioni  Autokton i autores Anila Ahmataj  solli këtë të dielë në ekran historinë e nënë Sulltanës, gruas  92 vjeçare, e cila qysh fëmijë çonte bukën partizanëve në mal.

Kallarati, ky fshat i Labërisë, i vendosur në luginën e Lumit të Vlorës, me një histori të lashtë, emri i të cilit përmendet që në vitin1432, dikur i vendosur në Kunjovë në afërsi të Kuçit e Bolenës, më vonë rreth viteve 1660 – 1720, i shpërngulur për shkak të sëmundjes së kolerës rrëzë malit të Bogonicës, në pllajën e bukur të Pelingrisë, i djegur nga antarët grekë më 1914, i ndërtuar më vonë, pranë lumit Shushica e rrugës automobilistike, aty ku është sot, i vendosur në tre lagje të bukura: Morrez, Qafa e Ubavit dhe Basha, fshat me një histori e kontribut të madh në luftën për liri e çlirim kombëtar, fshat që i ka dhënë atdheut 27 dëshmorë, midis tyre Heroin e Popullit Mumin Selami.

Ky fshat ka nxjerrë mjaft figura të shquara burra e gra në politikë, arsim, kulturë, shkencë, sport, etj, të cilët i kanë shërbyer me përkushtim këtij vendi duke dhënë kontributin e tyre intelektual e shpirtëror. Ky fshat, edhe pse i vogël, në historinë e vet ka pasur katër deputetë të kuvendit popullor, dy prej tyre gra: Duze Bajrami ose “Nënë Duzja” siç njihet në Labëri e më gjerë, Sulltana Gjonbrataj, Sihat Tozaj dhe Gafur Shameti.

Pikërisht, Sulltana Gjonbrataj, gruaja 92 – vjeçare do të jetë kësaj radhe në fokusin e emisionit “Autokton, jo vetëm si një ish deputete në dy legjislatura, por si një grua, si nënë, si gjyshe, si një qytetare e thjeshtë vlonjate e një labe e vërtetë për të na rrëfyer disi jetën në tre sisteme, jo vetëm të sajën, por diçka më tepër, në përgjithësi për gruan shqiptare të këtyre periudhave.

Sulltana lindi më 16 janar 1932 në Kallarat në një familje me tradita të shquara patriotike. Babai i saj, Veipi pjesëmarrës në Luftën e Vlorës, komandant i çetës së fshatit “Mumin Selami”, e ëma Hyria edhe kjo pjesëmarrëse në organizatën e gruas antifashiste të fshatit, që së bashku me shumë gra të tjera kanë dhënë kontribut në ndihmë të partizanëve me ushqim e veshmbathje.

 

 

E rritur në një mjedis të tillë familjar patriotik e liridashës, por edhe të fshatit e të krejt zonës së labërisë, edhe Sulltana që në moshë të vogël u aktivizua si debatikase duke kontribuar për lëvizjen nacionalçlirimtare krahas shumë të rinjve e të rejave kallaratase. Në vitet e para të çlirimit Sulltana si i gjithë populli do të kontribuonte në punën e madhe për rindërtimin e fshatit e të vendit të shkatërruar nga lufta, pjesëmarrëse në aksionet vullnetare për ndërtimin e hekurudhave Durrës – Peqin e Durrës – Tiranë, si dhe në ndërtimin e Kombinatit të Tekstileve në Tiranë.

Sulltana, përveç disa viteve mbas çlirimit që punoi në Tiranë në Ministrinë e Bujqësisë për shkak të bashkëshortit ushtarak, në vitet e tjera deri sa doli në pension, punoi si punëtore e thjeshtë, brigadiere dhe përgjegjëse turni në Kombinatin e Konservave të Peshkut në Vlorë, duke dhënë shembullin e vetë personal e duke ngritur zërin për respektimin e të drejtave të punëtorëve e në veçanti të grave; pjesëmarrëse si delegate në disa kongrese partie e të organizatave shoqërore në Tiranë; me kontribute të shumta në jetën shoqërore në lagje e në qytetin e Vlorës.

Për meritat dhe kontributin e saj në punë e shoqëri në dy legjislatura 1966-1970 dhe 1970-1974 ka qenë e zgjedhur deputete në Kuvendin Popullor, duke përfaqësuar denjësisht banorët e lagjeve: “Uji i Ftohtë”, “29 Nëntori”, “10 Korriku” e “1 Maj”, si dhe nga viti 1960 deri në vitin 1979 anëtare e këshillit të rrethit të Vlorës.

Mbas daljes në pension në vitin 1986, prej afro 38 vitesh, së bashku me bashkëshortin Tahirin (ndarë nga jeta), ka vazhduar kontributin si aktiviste e shquar në lagje, në qytetin e Vlorës, në organizatën e veteranëve, në shoqatën atdhetare e kulturore të vendlindjes “Kallarati” e në atë “Labëria” për të përcjellë te brezi i ri dashurinë për punën, familjen e atdheun.

Nënë Sulltana, aktualisht jeton në Vlorë, në kushtet më minimale të jetesës, por edhe pse në këtë moshë ajo ndjek me vëmendje zhvillimet politike e shoqërore në vend, përkrah zhvillimet demokratike dhe ndjen kënaqësi për ndryshimet infrastrukturore që ndodhin në vend, sidomos në Vlorë me restaurimin që këtij qyteti i është bërë vitet e fundit, me Lungomaren, Sheshin pranë Shtëpisë së Pavarësisë në Skelë, Sheshin e Flamurit, rrugën e Lumit të Vlorës, tunelin e Llogorasë, etj.

Por për disa gjëra është edhe kritike, sidomos ndaj fenomeneve të tilla si: korrupsionit, përdorimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, hedhjes baltë nga qarqe të caktuara të luftës antifashiste nacionalçlirimtare të popullit tonë, ashtu siç ndihet e vetëdijshme edhe për disa nga gabimet në sistemin e kaluar, sidomos në ashpërsimin e luftës së klasave, moslejimin e pronës private, etj.

Sulltana sot gëzon statusin e Veteranit. Për kontributin e saj, ajo është vlerësuar me “Urdhrin e Punës” të Klasit të II-të e të III-të, si dhe me “Certifikatë Nderi” nga Organizata e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Para disa ditësh, nënë Sulltana festoi 92 – vjetorin e lindjes dhe ndihet krenare për punën dhe kontributin e saj në punë, në familje e në jetën shoqërore, duke ruajtur të pastër emrin e saj, të familjes e vendlindjes dhe duke mbetur besnike idealeve të kohës.

Nënë Sulltana edhe pse në këtë moshë, ka një memorje e logjikë të fortë, që e bën atë të jetë pjesë aktive e jetës familjare, por edhe shoqërore. Të rrish e të bisedosh me të është kënaqësi e privilegj. Por interesimi i pushtetit lokal ndaj këtij brezi duhet të jetë edhe më i madh. T’i vizitosh, t’i takosh e t’u marrësh ndonjë mendim është kënaqësi e dyanshme.

Mesazhi i saj për brezin e ri është: “Mund të punoni e jetoni edhe jashtë vendit, por mos harroni vendin Tuaj, Shqipërinë, duajeni atë dhe flamurin tonë kuq e zi, që është gjaku i të parëve tanë, është simbol i identitetit tonë kombëtar”!