Interneti mbush 25 vjeç. Ky zhvillim është meritë e fizikantit britanik Tim Berners-Lee. Sot në të gjithë botën internetin e përdorin më shumë se tre miliardë vetë.
Rrjete kompjuterike globale sigurisht që ekzistojnë prej më shumë se 25 vjetësh. Që në vitet 1960 kompjuterat në SHBA këmbenin të dhëna mes tyre përmes linjave telefonike.
Serveri i parë dhe faqja e parë e internetit (web site), që përdorën standardin e zakonshëm sot “Hypertext Transfer Protocol” (http), dolën online për herë të parë pak përpara Krishtlindjeve të vitit 1990 në Qendrën Kërkimore Bërthamore Evropiane, CERN në Zvicër.
Ky zhvillim është meritë e fizikantit britanik Tim Berners-Lee, i cili punonte në atë kohë në CERN. Ai ishte autor i faqes Po ashtu ai zhvilloi edhe browser-in e parë dhe standardet themelore si protokollin e transmetimit dhe gjuhën e programimit HTML.
Fillimisht qasje në këto risi kishin vetëm shkencëtarët që punonin në CERN. Më 6 gusht 1991 Berners-Lee e prezatoi konceptin e përgjithshëm të World Wide Web (WWW) në disa grupe lajmesh on-linë, ndër ta edhe alt.hypertext. Kjo datë konsiderohet tani si data kur www u vu në dispozicion të publikut. Kështu pra lindi interneti, që njohim ne sot.
Heqje dorë nga paratë e mëdha
Berners-Lee nuk pranoi ta patentonte dhe komercializonte konceptin e tij dhe bëri të mundur në këtë mënyrë përhapjen e shpejtë dhe zhvillimin e mëtejshëm të tij. “Atë që bëra unë, mund ta kishte bërë kushdo”, thotë babai i WWW sot. “Ideja e për ta bërë publike World Wide Web, ishte sikur të hidhje një shkrepëse në një hambar plot me kashtë. Web-i është përhapur, për shkak se shumë individë kanë ndihmuar fuqishëm për përhapjen e tij.”
Shpesh atë e pyesin nëse nuk është i zhgënjyer që interneti është bërë kaq komercial. Berners-Lee nuk mendon në këtë mënyrë: “Interneti duhet të jetë një hapësirë universale – aty nuk mund të përjashtojet ndonjë fushë. Ka shumë që më pyesin: a nuk jeni të zhgënjyer që në internet përhapen kaq shumë marrëzi, por askush nuk është i detyruar që t’i lexxojë të gjitha. Interneti është në tërësi vetëm një pasqyrim i jetës. ”
Gjëja më e natyrshme
Të pasurit e një faqeje interneti është bërë sot pothuajse një gjë e natyrshme. Shoqata gjermane e IT Bitkom thotë se 86 për qind e sipërmarrjeve me më shumë se dhjetë të punësuar kanë faqen e tyre të internetit. Nga kompanitë e vogla me më pak se dhjetë të punësuar 43 për qind nuk janë të përfaqësuara në rrjet. “Në të gjithë botën internetin e përdorin më shumë se tre miliardë vetë. Ka edhe shumë individë që kanë faqen e tyre në internet,” thotë drejtori ekzekutiv i Bitkom-it Bernhard Rohleder.
Prapashtesa më e përhapur në adresat e internetit është “.com” me 120 milionë adresa të regjistruara. Ndër adresat me domain që i referohet vendit, adresat me “.de” kapin një shifër prej 16 milionë dhe renditen në vendin e dytë pas atyre me “.cn” për Kinën. /DW