31 % e familjeve shqiptare nuk përmbushin nevojat bazë për ushqime

31 % e familjeve shqiptare nuk përmbushin nevojat bazë për ushqime

603
0

Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi, kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi”. ‘Poemës së Mjerimit’ të Migjenit, e shkruar në vitet ’30, duket se nuk i ikën asnjëherë aktualiteti. Gati një e treta e familjeve shqiptare janë gjetur në pamundësi për të përmbushur nevojat bazë me ushqim dhe veshmbathje gjatë vitit 2018 sipas një anketë që zhvilloi Barometri i Ballkanit 2019, një projekt i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC).

Shqipëria ka përqindjen më të lartë të familjeve që nuk e sigurojnë dot jetesën bazë, gati sa dyfishi i Ballkanit.

 

Kampioni shqiptar i familjeve u pyet “A ka përballuar familja juaj ndonjë nga problemet e mëposhtme (të paktën një herë) gjatë 12 muajve të fundit: Nuk mund të përballonit ushqimin, veshmbathjen dhe furnizimet e tjera bazë?”. 31 % e familjeve janë përgjigjur se ishin përballur më këtë vështirësi. Kjo përqindje ishte gati sa dyfishi i Serbisë 17 % që renditet e dyta pas Shqipërisë për nivelin e lartë të familjeve që nuk përmbushin nevojat bazë të jetesës.

 

Më tej kjo përqindje vjen e ulët në vendet e tjera të Rajonit. Në Kosovë dhe në Malin e Zi, 14 për qind e familjeve kanë pohuar se kishin vështirësi gjatë 12 muajve të fundit të përmbushnin nevojat bazë të jetesës. Niveli më i ulët i familjeve në varfëri duket se ka qenë në Bosnjë ku vetëm 8 për qind e familjeve kanë pohuar vështirësitë për furnizimit bazë dhe pas saj Maqedonia me 13 për qind të familjeve në vështirësi.

 

 

Përqindja e familjeve që nuk përballonte nevojat bazë u rrit më tej gjatë vitit 2018 në raport me vitin 2017 ku 25 % e familjeve kishin pohuar vështirësitë për artikujt bazë. Edhe të dhëna të tjera për shpenzimet e konsumit tregojnë realitetin e trishtë, ku pjesa më e madhe e familjeve shqiptare harxhojnë më shumë se të gjithë për ushqime, nj ëtregues i të ardhurave të ulëta në raport me fuqinë blerëse.

 

Në Ballkanin Perëndimor, pjesa më e madhe e shpenzimeve të familjeve shkojnë për të siguruar ushqimin. Megjithatë, duke bërë një krahasim midis tyre, shpenzimet për ushqime janë shumë më të larta në Shqipëri me mbi 44%, të shpenzimeve mujore, sipas INSTAT. Pas Shqipërisë, Maqedonia e Veriut është vendi ku shpenzimet për ushqime janë më të larta, me rreth 36.8% të totalit të shpenzimeve që ato kryejnë, ndjekur nga Kosova me 34.1%, sipas të dhënave të Eurostat.

 

Ndërsa në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Malin e Zi, shpenzimet për ushqime zënë gati çerekun e totalit të shpenzimeve, me një peshë përkatësisht 24.5% dhe 24.3%. Ndër vendet e rajonit, Serbia ka peshën më të ulët për këtë grup, me rreth 17.3% të totalit.

Mesatarja e shpenzimeve të bashkimit Europian për ushqime është rreth 12%/Monitor