Intervista/ “Dollape të zbrazura”, ekspozita që dha mesazh kundër diskriminimit të LGBT!...

Intervista/ “Dollape të zbrazura”, ekspozita që dha mesazh kundër diskriminimit të LGBT! Loreta Cuka: Ja si më lindi ideja

869
0

Jo më larg se në majin e këtij viti, në Qëndrën Rinore të Tiranës u mbajt një ekspozitë fotografie me titullin “Dollape të zbrazura” nga një artiste e re dhe e talentuar, Loreta Cuka. Ekspozita kishte pikë fokale dhe tematikë komunitetin LGBT dhe betejat e tyre të përditshme duke shpërndarë kështu një mesazh solid e të fuqishëm kundër diskriminimit.  Për të ditur më shumë ne i bëmë disa pyetje fotografes së talentuar në një intervistë që shkon thellë në artin e saj dhe atë që ai prezanton. Për portalin “vizion.com.al”, ajo na rrëfen sesi lindi ideja për këtë ekspozitë.

 

Na fol pak për veten dhe artin tënd. Kush është Loreta Cuka?

 

Që në fëmijëri mendoj se arti ka qenë një pjesë e pandashme e përditshmërisë sime. Përherë më ka pëlqyer të shpreh ndjesitë për jetën duke gjetur forma kreative. Natyrshëm e kam parë veten tek fotografia, piktura dhe shkrimi. Mesa duket në fund fotografia dominoi më tepër, edhe për shkak se jam një person ekstrovert që pëlqen të bashkëveprojë vazhdimisht me të tjerët, të njohë persona të rinj dhe të marr ndjesi të përjetimeve të tyre. Nga ana tjetër, siç mund ta shprehin dhe fotot e mia, pavarësisht se jam person që i pëlqen të shoqërohet, një frymë mbylljeje në vetvete apo vetmie është e pranishme pashmangshmërisht.

 

 

Urime për ekspozitën! Ishte tepër e fuqishme dhe interesante. Si ju lindi ideja për të?

 

Faleminderit. Ideja për ekspozitën “Dollape t’zbrazura” lindi si një dëshirë e imja për të ekspozuar më tepër jetën, sfidat dhe pozitivitetin që karakterizon komunitetin LGBTI në Shqipëri. Ishte e çuditshme për mua të njihja aq shumë persona, qofshin këta gej, lesbike, biseksualë apo transgjinorë të cilët kishin aq shumë gjallëri dhe personalitete karakteristike të cilët nuk janë aspak të dukshëm në shoqërinë tonë shqiptare si e tërë. Dhe më lindi pikëpyetja e habisë, sesi mundet të lihet mënjanë, e në shumë raste edhe të na vijë turp nga një formë kaq fantastike e të rinjve dhe personave LGBTI që ëndërrojnë dhe vuajnë po aq shumë e sërish vazhdojnë të ecin përpara pa u dorëzuar. Mu deshën dy vite të bëj bashkë portretet, të cilat në total janë rreth 50, por në ekspozitë u pasqyruan vetëm ata që kishin zbuluar identitetin. Një pjesë e madhe nuk është publikuar ende dhe nuk kanë dalë me fytyra.

 

A përcolli ekspozita të njëjtin mesazh si arti yt në përgjithësi? Sa afër janë ato?

 

Ekspozita synonte të përcillte dy mesazhe: së pari t’i tregonte komunitetit se gjërat kanë ndryshuar pozitivisht në 10 vitet e fundit të aktivizmit LGBTI në vend dhe se komuniteti nuk është më i pazëshëm dhe i fshehur. Më shumë gej, lesbike, transgjinorë apo biseksualë duhet të marrin guximin dhe të mos pranojnë diskriminimin për një faktor aq thelbësor të jetës së tyre, sa ç’është dashuria. Mbase Shqipëria ka ende një rrugë të gjatë për të qenë gati deri në pranimin e personave queer por kjo nuk do të thotë se jetët e një përqindje të konsiderueshme të shoqërisë duhet të shkojnë dëm prej stanjacionit të të drejtave të njeriut apo hezitimit burokratik nga politika.

Mesazhi i dytë i ekspozitës lidhet me shoqërinë në përgjithësi, e cila duhet të ndërgjegjësohet se çdo njeri duhet lejuar ta jetojë jetën siç dëshiron, pa pengesa dhe turpërim për sa kohë ndodhet brenda kornizës së lirisë personale dhe parashikimeve ligjore. Vetë Kushtetuta e Shqipërisë sanksionon që askush nuk duhet të diskriminohet dhe se duhet t’i garantohet liria fizike.

 

 

Sa e rëndësishme ishte kjo ekspozitë për ty?

 

Ekspozitën e konsideroj hapin e parë drejt shumë hapave të tjerë që dua të ndërmarr lidhur me të drejtat e njeriut në Shqipëri. Është thelbësore të garantojmë të drejta të barabarta për këdo. Aktualisht po punoj me projekte të tjera fotografike që lidhen me abuzimet seksuale dhe bullizmin, të cilat mendoj se do të ndihmojnë shoqërinë nga njëra anë të reflektojë për pasojat që kanë veprimet e gabuara por të bëra ‘normë’ dhe nga ana tjetër personat që i kanë vuajtur ato për t’i treguar atyre se nuk janë vetëm dhe se vetëm të bashkuar mund ta ndalojmë një fenomen negativ.

 

 

 

Tema që trajtuat në një vend si i joni është delikate dhe për shumë njerëz dhe provokuese? Çfarë reagimesh more? A mendon se ka ndryshuar këndvështrimin tek njerëz të caktuar?

 

Nuk do të guxoja t’i quaja të drejtat e njeriut, lirinë dhe barazinë si tema delikate apo provokuese. Madje do të thosha se nuk janë as tema, janë vetë jeta. Si mund të presim që komuniteti LGBTI të ndrydhet në vetvete, të mos dashurojë atë që ndjen, vetëm se pjesa tjetër e shoqërisë nuk është mësuar me këtë? S’mund të lejojmë që lesbiket, gejt, biseksualët apo trasgjinorët në Shqipëri të shtyhen, hiqen nga puna, nxirren nga familja apo të kërcënohen me jetë për shkak se padrejtësisht të tjerët mund të mendojnë se kjo i provokon ata. Thënë këto, jam shumë e lumtur që reagimet ndaj ekspozitës kanë qenë jashtëzakonisht pozitive nga vetë komuniteti që në një farë mënyre është frymëzuar për të mos u fshehur dhe për të mos heshtur më. Por edhe persona të tjerë që nuk lidhen me komunitetin më kanë përgëzuar sepse sipas tyre fotot kanë shkuar te thelbi i njerëzores, si diçka që na bashkon dhe jo te faktorët që na ndajnë.

 

 

Çfarë fitove në fund të kësaj eksperience? Si u ndjeve?

 

Gjatë dy viteve që kam punuar për realizimin e ekspozitës ka qenë një uragan ndjesish. Kam njohur shumë persona të komunitetit LGBTI në Shqipëri, me të cilët kam diskutuar dhe kemi ndarë shumë ndjesi, pavarësisht nëse në fund vendosnin të ishin apo jo pjesë e projektit. Bisedat me ta, natyrshmëria e jetesës por nga ana tjetër edhe barra e paragjykimeve dhe gjithë frikërat që vijnë më të më kanë frymëzuar, por edhe rritur si person. Do të thosha se unë vetë e kam nisur projektin me mosbesim dhe pastaj gjatë gjithë rrugëtimit kemi shkëmbyer energji dhe frymëzim duke e humbur kufirin që ekziston mes personit që po bën artin dhe atyre që po marrin pjesë në të. Kjo shkrirje u pa edhe në hapjen e ekspozitës, ku personazhet që ishin të pranishëm, qenë po aq të emocionuar sa unë të shihnim finalizimin e punës dhe fuqizimin e individëve përmes artit, ndërthurur me të drejtat e njeriut. Ka qenë një nga çastet më të bukura të miat.

Intervistoi: Rezi Musta