3 Maj- Dita Botërore e Lirisë së Shtypit/Shqipëria me media pjesërisht të...

3 Maj- Dita Botërore e Lirisë së Shtypit/Shqipëria me media pjesërisht të lira

511
0

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Kryetari i Radhës i OSBE-së, Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier, dhe Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias Dunja Mijatoviç theksuan rëndësinë e medias së lirë dhe të pavarur për zhvillimin e demokracisë. “Sot, ne shprehim vlerësimin tonë për gazetarët në të gjithë botën, që përballojnë me trimëri dhunën, përndjekjen dhe kërcënimet për të dokumentuar dhe për të raportuar të vërtetën,” tha zoti Steinmeier. “Media e lirë dhe e pavarur është një gur themeli i pazëvendësueshëm për shoqëritë e lira dhe demokratike. OSBE-së i takon të luajë një rol vendimtar në vendosjen dhe respektimin e standardeve të përbashkëta për promovimin e këtij parimi” shtoi më tej ai. Për përfaqësuesen e OSBE-së për Lirinë e Medias Dunja Mijatoviç, “Dita e sotme është një kujtesë për rëndësinë e medias së lirë dhe për rolin themelor që ajo luan në shoqërinë civile” duke shtuar se “Gazetarët në të gjithë botën dhe jo më pak në rajonin e OSBE-së po i kryejnë detyrat e tyre në kushte gjithmonë e më të vështira”. Zonja Mijatoviç përmendi me shqetësim të madh numrin në rritje të sulmeve ndaj anëtarëve të medias nëpër botë. “Është thjesht e papranueshme që gazetarët të kërcënohen për atë çka thonë apo shkruajnë. Qeveritë duhet të bëjnë të pamundurën për të garantuar sigurinë e gazetarëve” bëri thirrje zonja Mijatoviç. “Vala e kërcënimeve online, me në qendër gazetarët, po e rëndon edhe më shumë situatën tashmë të përkeqësuar. Veçanërisht shqetësuese është mënyra se si po veçohen dhe po vihen në shënjestrën e sulmeve gazetarët” tha përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias Dunja Mijatoviç. Tema gjithëpërfshirëse e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit këtë vit, mbajtur në Helsinki, Finlandë, është aksesi në informacion dhe liritë themelore, duke u fokusuar në mënyrë të veçantë te ndërlidhja midis lirisë së shtypit, kulturës së transparencës, të drejtës së lirisë së informimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në epokën dixhitale. “Aksesi në informacion është një e drejtë themelore bazë e njeriut. Pa të, anëtarët e medias nuk janë në gjendje të kërkojnë dhe të marrin informacion në lidhje me çështje me rëndësi për publikun,” tha zonja Mijatoviç. “Në kohë krize, kjo e drejtë është vendimtare për të luftuar elementët e egër të propagandës.”

 

Kryetari i Radhës i OSBE-së, Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier tha se “Fatkeqësisht, kohët e konflikteve janë edhe kohë propagande dhe imazhesh të shtrembëruara. Kjo është arsyeja pse Gjermania, si Kryesuese e OSBE-së, po i kushton vëmendje të veçantë lirisë së medias dhe mënyrës se si duhet të sigurohet aksesi në informacione të pavarura në kohë krize”.

 

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviç, lëshoi edhe një deklaratë të përbashkët për “Lirinë e Fjalës dhe Luftën ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm” së bashku me raportuesit e posaçëm për lirinë e fjalës të Kombeve të Bashkuara (UN), David Kaye, Organizatës së Shteteve Amerikane (OAS), Edison Lanza, dhe Komisionit Afrikan për të Drejtat e Njeriut dhe të Popujve, Pansy Tlakula.

 

 

 

Raporti i Freedom House vlerëson se Shqipëria radhitet në mesin e vendeve pjesërisht të lira, së bashku me Kosoven , Maqedoninë, Bosnje e Hercegovinën dhe Malin e Zi. Ndërsa Serbia dhe Kroacia, radhiten në mesin e vendeve të lira. Freedome House ka analizuar të dhënat nga 195 vende, në vitin 2017, ku 88 vende radhiten në mesin e vendeve të lira, 59 janë me liri të pjesshme dhe 49 radhiten në mesin e vendeve jo të lira. Në raportin e saj të fundit, për vitin 2017, për lirinë e medies Freedome House thotë se mediat janë duke u përballur me kërcënime të reja në demokracitë e mëdha, si dhe në shtetet shtypëse, ku autoritetet po përqendrojnë përpjekjet e tyre në mediat sociale dhe platformat e tjera në internet pas goditjes së pavarësisë së medieve tradicionale.