‘Nuk i njeh shqiptarët e mi, ti racë nevrike e aftë vetëm...

‘Nuk i njeh shqiptarët e mi, ti racë nevrike e aftë vetëm për të peshkuar!’

61
0

Autori zviceran, Charles Didier (1805 – 1864), në librin e tij « Raccolta, Mœurs Siciliennes et Calabraises » të botuar në vitin 1844 në Paris, u ka dedikuar një kapitull shqiptarëve të Kalabrisë (« Les Albanais en Calabre »), ku dhe vë në dukje kontributin e Gjergj Kastriotit ndaj mbretit të Napolit, Ferdinandit të I-rë.

Zoti Didier – i bazuar tek historiani napolitan, Giovanni Antonio Summonte – flet për një letërkëmbim mjaft interesant mes Princit të Tarentes (Tarantos) dhe heroit tonë, por para së të arrijmë tek ai, nevojitet pak retrospektivë. Në vitin 1454, babai i Ferdinandit, mbreti Alfons d’Aragon ishte ndër të vetmit që i përgjigjet thirrjes së Gjergj Kastriotit për të luftuar perandorinë osmane, dhe si arsye i dërgon atij disa trupa nën urdhërat e Raymond d’Ortaffa-s. Ndërsa, në vitin 1462, Gjergj Kastrioti, mirënjohës ndaj Aragonëve, i shkon në ndihmë mbretit të Napolit, Ferdinandit të I-rë, i cili rrezikonte asokohe fronin e tij përballë Dukës së Anjou-së (Anzhusë) dhe Princit të Tarentes. Para ndërhyrjes së trupave shqiptare në Italinë jugore, Princi i Tarentes (Tarantos) i nënvlerësonte ato dhe strategun legjendar, por Princi i Matit dhe mbreti i shqiptarëve i ka dhënë atij përgjigjen e duhur, si fillim me shkrim dhe më pas në terren.

 

Letërkëmbimi në vijim :

Princi i Tarentes, Jean – Antoine Orsini (Giovanni Antonio) : « Çfarë të kam bërë që vjen dhe më sulmon në tokat e mia ? Ti kujton se do të përballesh me turqit e tu të dobët ; kij kujdes. Ne i krahasojmë Shqiptarët e tu me delet, dhe ne ndihemi të besdisur ndaj armiqve kaq të neveritshëm. Në pamundësi të mbrosh çatinë tënde, ti vjen të pushtosh çatinë tonë. Ti do të gjesh këtu vetëm varrin tënd. »

 

Sovrani i Shqipërisë, Gjergj Kastrioti :

 

« Ti nuk je më pak turk sesa turqit vetë, megjithëse thonë për ty se nuk i përket asnjë feje. Sa për shqiptarët e mi, ti nuk i njeh ata. Ne jemi trashëgimtarë të epiriotëve, që u dhanë për armik romakëve – Pirron dhe të maqedonasve, që i dhanë Indisë si fitimtar – Aleksandrin. Dhe për çfarë po më flet, ti, për tarentinët e tu, racë nevrike që është e aftë vetëm për të peshkuar. Në rast se gjej varrin tim këtu, Perëndia, e cila është në dijeni për mendimet e mia, do të më gjykojë.» Si përfundim, lideri shqiptar, guximtar dhe fuqiplotë, rrugës për në Napoli, fiton betejën e Tranit, përshkon fushat e Pouille-s (Puglia-s) me kalorësit e tij, shpartallon ushtrinë e Princit të Tarentes dhe kontribuon në fitoren vendimtare të Troïa-s, e cila u siguroi kurorën mbretërore Aragonëve, pra Ferdinandit të I-rë./ Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania