Mesazhi i tifozëve serb kundër shqiptarëve, ky është lajmi i fundit

Mesazhi i tifozëve serb kundër shqiptarëve, ky është lajmi i fundit

404
0

Euroliga e basketbollit ka nisur procedurat disiplinore kundër klubit të basketbollit “Crvena Zvezda” nga Beogradi sepse tifozët e saj shfaqën një baner me sllogan anti-musliman në një ndeshje të kohëve të fundit. Euroleague Basketball, e cila drejton garën e Euroligës, tha të martën se ka nisur procedime disiplinore kundër klubit të basketbollit të nga Beogradi pasi baneri racist u ngrit nga disa tifozë në një ndeshje kundër Olimpiakosit të Greqisë të premten e kaluar në kryeqytetin serb. Baneri i tifozëve mbajti mesazhin: “Shqiptarët, kroatët dhe myslimanët nuk janë vëllezërit tanë”. Tifozët shfaqën banerin në ndeshje sepse lojtari i ri i “Crvena Zvazda”, Alen Omiç, është boshnjak nga Bosnja dhe Hercegovina. Megjithatë tifozë të tjerë dënuan incidentin dhe treguan mbështetjen e tyre për Omiç duke e duartrokitur atë. Omiç, i cili nuk ka reaguar ndaj fyerjes gjatë ndeshjes, ka postuar një mesazh në ‘Instagram’ më pas: “Kushdo që luan për “Crvena Zvezda” dhe është tifoz i tyre është vëllai im përgjithmonë”, shkroi ai.

 

Euroliga e basketbollit gjithashtu e dënoi banerin.

 

“Euroliga e basketbollit dëshiron të sqarojë si më poshtë, mesazhi i shfaqur nga një pakicë tifozësh në asnjë mënyrë nuk përfaqëson as sportin e basketbollit, familjen e basketbollit evropian apo organizatën e basketbollit të Euroligës në asnjë nivel”, thuhej në një deklaratë në faqen e tyre zyrtare të internetit.

 

Aty thuhej se basketbolli evropian ka qenë gjithmonë dhe do të vazhdojë të jetë një shembull i integrimit brenda dhe jashtë fushës, “ku kulturat, racat dhe fetë kanë ardhur gjithmonë së bashku duke ndarë një pasion të përbashkët”, raporton Kallxo.com.

 

“Një procedurë disiplinore është hapur nga Euroliga e basketbollit kundër klubit”, thuhej aty.

 

Kryeministrja serbe, Ana Brnabiq tha të hënën se ajo u turpërua nga mesazhi që tifozët dërguan ndaj Omiç.

 

“Unë mendoj se Serbia nuk është një vend në të cilin është e rëndësishme se çfarë nacionaliteti jeni dhe nga jeni dhe se kjo i ka dhënë një pamje të keqe të sportit. Më vjen turp për banerë të tillë dhe nuk mendoj se kjo është një pamje e vërtetë e Serbisë dhe e sportit tonë”, tha Brnabiq, sipas agjencisë së lajmeve Tanjug.

 

Por Sasha Gjorgjeviq nga Qendra e Beogradit për Politikën e Sigurisë tha se Brnabiç ka injoruar incidente të tjera të tilla: “Nëse nuk është [një pamje e vërtetë e sportit serb], pse kjo pyetje shtrohet aq shpesh?”, pyeti Gjorgjeviq.

 

Autoritetet serbe krijuan Këshillin Kombëtar për Parandalimin e Incidenteve Negative në Sport në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar si përgjigje ndaj një sërë debatesh që përfshinin tifozët në ndeshjet e futbollit dhe basketbollit serb.

 

“Unë shpresoj që [Këshilli] do të bëjë më të mirën që në pak muaj të mund të themi se kemi bërë përparim sepse Serbia dëshiron të kultivojë sportin në shkollat e saj, në klubet sportive të tij amatore dhe në klubet profesionale të klasit të parë”, ka raportuar ‘Vecernje Novosti’ se ka thënë Ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq.

 

Por Gjorgjeviq argumentoi se pas një “paraqitje pompoze”, Këshilli nuk ka bërë asgjë, ndërsa “fenomenet negative” në sport kanë vazhduar.

 

Ai përmendi dhunën në derbin e futbollit midis ‘Red Star’ dhe rivali i saj, Partizanit të Beogradit më 13 dhjetor, kur policia arrestoi 26 vetë.

 

“Kjo është arsyeja pse logjikisht duhet të bëhet pyetja: “Çfarë po bën Këshilli dhe si duan të zgjidhin problemet e incidenteve të dhunshme sportive dhe të narracioneve nacionaliste në sport?”, tha Gjorgjeviq.