Zef Deda: Të rikthehen estradat, humori sot ka dhe banalitet sepse nuk...

Zef Deda: Të rikthehen estradat, humori sot ka dhe banalitet sepse nuk kontrollohet…

428
0

Aktori Zef Deda këto ditë po vijon punën për komedinë “Lufta dhe paqja… pa pilaf”. Tregon se është një vepër që ka angazhuar artistë të njohur të Shkodrës, ku roli kryesor do të luhet prej tij. Për “SOT” aktori shprehet se është një shfaqje me problemet e ditës, kundër dhunës në familje. Jo vetëm në jetën artistike që aktori Zef Deda ka shumë vëmendje, por ndalet dhe në problemet.

 

Në fjalët e tij ai pohon se kundërshton shembjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë, duke iu bashkuar zërit të artistëve në mbrojtje të tij. Por për jetën artistike me gjendjen që kanë teatrot aktori i njohur pohon se artistët janë në kushte të vështira pune dhe pagesash. “Mjeshtër i Madh” Zef Deda është nga aktorët më të vlerësuar të humorit në vend, i cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë.

 

Estradat e viteve më parë i kujton me vlerësime me aktivitetin artistik që zhvillohej. Sipas tij duhet menduar që të ketë një rikthim të trupave artistike si dikur. Përgjegjësia është jo vetëm e bashkive, por dhe e Ministrisë së Kulturës, që sipas tij deri tani kanë treguar se nuk kanë bërë sa duhet për artin. Me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike aktori Zef Deda arrin të realizojë qindra figura artistike. Prandaj dhe është mjaft i dashur për publikun shqiptar, një aktivitet artistik që e vazhdon me shumë sukses.

 

 

 

-Pas disa ditësh do të jeni në skenën e teatrit “Migjeni” me një shfaqje premierë teatrore. Një komedi që vjen në skenë nga Bruno Shllaku. Ju jeni me rolin kryesor, për ty mesazhet që përcjell vepra?

 

Unë vij me rolin kryesor, burri i dhunuar nga gruaja në këtë shfaqje. Por e kam ndihmuar si bashkautor autorin pjesës, dhe bashkë me Gëzim Krujën jemi munduar që ajo të dalë sa më mirë si shfaqje. Komedia “Lufta dhe paqja…pa pilaf” është e shkruar nga Fra Valentini. Një shfaqje që do të përcjellë jo vetëm të qeshura dhe humorin e pastër te publiku, por dhe do të flasë për problemet që janë sot në shoqërinë tonë.

 

Gjithçka nis në një familje shqiptare, por ndryshe nga sa jemi mësuar të shohim për burrat që dhunojnë gratë, në këtë vepër ndodh e kundërta, burri dhunohet nga gruaja. Kjo është një shfaqje që do ti tregojë shoqërisë shqiptare që dhuna si për gratë apo dhe për burrat nuk duhet të jetë. Një familje shqiptare ku gruaja e trajton keq burrin. Kjo është e padurueshme për atë. Kjo gjë nuk duhet të jetë në familjet tona. Është një vepër e ditëve të sotme, problemet shqiptare, dhe besoj që do të përcillet me interes nga publiku.

 

Një vepër shqiptare që i flet kohës. Dhuna në familje po përdoret në mënyrën më të tmerrshme dhe të pallogjikshme në vendin tonë, nga problemet që vijnë nga skamja, apo nga mjerimi që ka rënë. Janë shumë çmime të larta, nuk po kemi jetesë të mirë në familje. Kanë filluar debatet, sherret brenda familjes. Kanë filluar grindjet në masë saqë ndodhin dhe krimet në familjet tona.

 

Ne me komedinë jemi në provat e mizanskenës. Më datë 15 maj është premiera në teatrin “Migjeni”, për të vijuar dhe net të tjera më pas. Duhet të kemi parasysh që kur të vijë spektatori do të shikoj temat që janë aktuale sot. Kemi tema që kanë hidhërimin brenda, por ne kemi dhe të tjera që kanë gëzimin, sepse ata pajtohen. Një dramë komedi.

 

 

 

-Me çfarë problemesh po përballen artistët në jetën artistike?

 

Unë them që artistët më të varfër janë këtu në Shqipëri. Nëse je jashtë shtetit dhe i tregon që je artistit, tjetri çohet në këmbë dhe të nderon, madje mendon që është i famshëm, duhet të jetë i pasur, etj. Por tek artistët janë në mjerim. Askush nuk e mendon kur je jashtë se çfarë page të tmerrshme e vlerësimi ka artisti këtu tek ne. Mendoj se më shumë se 60 përqind e popullit tonë është e varfër dhe mbijeton, por mbijetesa është e vështirë shumë. Nuk jam kundër kujt, por jam kundra vetes.

 

Ne si shoqëri po e ndërtojmë gabim jetën e vendit tonë. Jemi si shoqëri shqiptare duke ndërtuar gabim atë që ne kemi menduar për të dalë nga një kapitalizëm të madh dhe të bukur e të fortë si Europa, por po e bëjmë gabim. Ne kemi bërë kapitalizëm por e kemi bërë personal. Ashtu si dikur që ishte socializmi në Shqipëri personal sot kemi kapitalizëm personal, dhe ai personal pasurohet vetëm njëri dhe të tjerët jo, jetojnë në varfëri.

 

Kjo është përgjegjësi e të gjithë qeverive. Çdo qeveri që vjen më parë mendon për veten dhe jo për ne si popull. Pagat e artistëve sot janë shumë të ulëta. Një artist tek ne merr pagë 30 mijë lekë të reja, që gati 10 mijë lekë të reja i duhen dritat për të paguar, është për t’u paguar uji, mund të ketë dhe njerëz në familje të sëmurë dhe duhen para për ilaçe, çfarë do të bëjë me atë pagë?

 

Kur ky ka probleme, por të tjerët që janë pas tij e mendoni se sa probleme mund të kenë, duke vijuar deri te ata në pension. Janë shumë dobët. Ju thashë që shqiptarët edhe mbijetojnë, por ama artisti kur shkon të blejë dhe një libër i dridhet dora. Me çfarë ta blejë? E dini se si ndihet artisti kur del në rrugë e respektojnë të tërë, por ama ka vetëm 500 lekë në xhep sa për të pirë një kafe.

 

 

 

-Si është për ju gjendja e teatrit “Migjeni” sot?

 

Teatri ynë patjetër që ka shumë probleme në godinën që është. Së fundmi kur u bë dhe një rikonstruksion nuk u bë i plotë. Skena ka probleme, karriget e spektatorit kanë probleme, ndriçimi me probleme. Pulti i zërit po ashtu. Salla duhet rregulluar e tëra që nga llambadari deri poshtë. Edhe një klub kulture i ka karriget më të mira se sa ne në teatër. Teatri duhet rregulluar, jo të bëhet një pjesë dhe ta lënë.

 

Bashkia e Shkodrës e ka nën juridiksionin e saj teatrin “Migjeni”, por ama të gjithë ligjet vijnë nga qeveria, ka përgjegjësi dhe Ministria e Kulturës. Të gjitha sa janë të drejtat e një bashkie janë dhe të një qeverie, nëse Ministria e Kulturës kërkon ta rikonstruktojë dhe ta rregullojë të plotë teatrin do të ishte shumë mirë. Por ama deri tani unë nga Ministria e Kulturës nuk kam parë ndonjë gjë të famshme të bëhet për teatrin tonë.

 

 

 

-Publiku pohon se humor si dikur nuk ka, estradat janë shkrirë. Në gjykimin tuaj si një nga aktorët më të vlerësuar të humorit në vend, çfarë ka ndodhur?

 

Unë jam dakord që duhet punuar që të kemi trupat e estradës si dikur, madje të kemi sistemin që ka qenë për ta normalizuar teatrin dhe estradën. Kemi pasur ato vite 15 estrada dhe15 teatro. Në ato vite nuk kemi pasur ndonjë rrogë të madhe, përveç atyre që ishin artistë të merituar, por dhe pse me ato probleme ideologjike për atë kohë, ama kishte menaxhim. Mund të kishte pak humbje nga ana artistike, por ama jo sa sot që ka humbur aktori dhe nuk ka materiale për të luajtur, nuk ka para për t’i dhënë në pagesa.

 

E fillojmë që te Teatri Kombëtar. Mos harrojmë që këtij populli i duhen arti dhe kultura, të jenë në plan të parë të realizimit të tyre. Kurrë nuk mund të jenë në fund. Ne sikur të kishim qenë jo të mbyllur nga ai sistem me ata artistët që i rriti Teatri Kombëtar, teatrot tona në rrethe dikur, sigurisht që do kishim suksese dhe ato vite në botë. Ne do të kishim artistët tanë të përfshirë në filmat e botës. Por ishte sistemi që nuk lejonte hapjen. Por sot te ne vijon një tjetër, fatkeqësi e madhe thonë: nuk del gjë prej artit. Por si nuk del gjë?

 

Ne kemi artistë të mirë, duan vetëm përkrahje dhe mbështetje për të zhvilluar aktivitetin e tyre. Sot teatrot dhe ata aktorë humori që janë, duhet të kenë më shumë interes nga bashkitë, më racion në buxhet. Po i rikthehem sërish pyetjes që bëtë për humorin, por çfarë të bëjnë artistët kur nuk ka materiale të mira të shkruara, dhe që autori duhet të paguhet? Nëse autorin nuk e paguan kush, nëse e nënvlerësojnë atëherë ku do të gjenden materialet e bukura?

 

Duke qenë materiale të dobëta, sepse as autori nuk shkruan atëherë fillojnë dhe këto probleme. Por aktori ka detyrë të luajë jo të shkruajë. Nëse nuk paguajnë autorë të mirë fillojnë dhe futen banalitete në numrat e humorit, sepse nuk ka materiale të mira. Estradat u shkrinë sepse nuk patën vëmendje, tek ne askush nuk ka vëmendje për artin e kulturën.

 

Teatrot me buxhete qesharake. Një situatë që më vjen keq, aq shumë sa të vjen të derdhësh lot. Nga estradat dhe teatrot edhe në rrethe kanë dalë talente, sot ku do ti gjejmë elementët e rinj në kushtet që janë? Humori duhet ti përgjigjet kërkesave dhe gjërave që ndodhin gjatë ditës. Por kur ka materiale të dobëta duke menduar se po bëjnë të qeshësh futet dhe ndonjë banalitetet. Nuk ka kush t’i kontrollojë materialet.

 

 

 

-Protestojnë artistët në Tiranë kundra shembjes së Teatrit Kombëtar edhe ju jeni shprehur kundra?

 

Nuk duhet shembur Teatri Kombëtar në Tiranë, sepse ai është një vlerë e mrekullueshme, teatër që prodhoi artistë të mëdhenj. Unë kam qenë në disa teatro në botë, teatro që vërtetë janë godina të vjetra, ama ato mirëmbahen, rregullohen dhe kanë aktivitet. Janë godina që i restaurojnë, rregullojnë herë pas herë dhe sot janë të bukura. Tek ne nuk kanë dashur t’ia dinë dhe sot e kemi në atë gjendje, por kërkon rregullim.

 

Ministria e Kulturës, qeveria duhet ta mendojë më së miri rregullimin e Teatrit Kombëtar jo ta shembin. Rikostruksioni i teatrit kërkon një punë nga specialistët e zotë, nga inxhinierë e arkitektë të merren dhe rregullohen. E dinë mirë inxhinierët tanë që rregullohet, por nuk duan ta bëjnë nga shteti. Duan ta shkatërrojnë teatrin sepse pas tij duan të ndërtojnë te ai vend kulla, restorante, etj. Duan të ndërtojnë marrina e nuk duan Teatrin Kombëtar.

 

 

 

-Keni jo pak kritika ndaj Ministrisë së Kulturës….

 

Ministria e Kulturës ka dhe një drejtori arti. Më falni por një drejtori arti e një shteti duhet ta njohë mirë situatën dhe gjendjen e artistëve. Unë si artist nuk mund ta mendoj që Ministria e Kulturës në Gjermani apo Francë, etj, nuk ka përgjegjësi për artistët e jetën artistike? Kanë përgjegjësi. Tek ne ka përgjegjësi drejtoria e artit, siç ka për monumentet ajo drejtori që merret me monumentet.

 

Nuk mundet që Ministria e Kulturës ta lërë teatrin vetëm, t’ia lërë vetëm një bashkie që dhe kjo ka drejtorinë e saj të kulturës. Ministria dhe bashkia kanë përgjegjësi. Nëse përgjegjësia fillon nga lart te Ministria e Kulturës imagjinoni se sa e madhe do të jetë përgjegjësia kur të zbresë deri poshtë te bashkia dhe drejtoria e kulturës.

 

Përgjegjësia lart është urdhëresa që çfarë do bëhet dhe duhet ta zbatojnë këta poshtë. Bëje kontratën për aktorin dhe bëje për ata që janë të aftë. Nëse nuk e bën mirë hiqe, nuk i përsëritet kontrata. Unë jam artist dhe gjykoj që duhet të jetë në funksion kontrata për artistët. Ministria jep urdhër dhe ligjet, bashkia do ti zbatojë.

 

Intervistoi: Julia Vrapi