Ornela Manjani – Zbardhet pasuria e 22 deputetëve që morën mandatet pasi Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim vendosën të braktisini parlamentin. Deputetët e rinj filluan të zinin vendet bosh në mars të këtij viti dhe pasi kanë bërë betimin kanë dorëzuar pranë ILDKPI-së deklaratat e pasurisë. Prona të patundshme, shtëpi, dyqane, makina e llogari bankare që variojnë nga modestet prej 1 mijë eurosh e deri të 40-50 mijë euro.
Open Data Albania ka publikuar të dhëna për pasuri, të ardhura dhe shpenzime të deklaruara për 22 deputet që janë ulur për herë në parë në sallën e parlamentit pas djegies së mandateve nga opozita. Nga deklaratat bie në sy fakti se deputetja Majlinda Halili, s’ka llogari bankare për një automjet vlerën 6 000 euro dhuratë nga babai. Nuk është e qartë se ku e merr pagën Halili pasi sipas ligjit në fuqi duhet të kesh të paktën një llogari rrjedhëse për të marrë rrogën mujore, të cilën nuk e ka deklaruar. Referuar të dhënave të deklaruara nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive dhe të publikuar nga ODA mësohet se deputeti Ligoraq Karamelo rezulton pronar i dy shtëpive një apartamenti në Tiranë me sipërfaqe 72 m2 të blerë në vitin 2001 dhe një shtëpi banimi në një fshat në Korçë me sipërfaqe 65 m2. Ai zotëron edhe tokë arë në Kavajë me sipërfaqe 300 m2 të blerë në vitin 2005, vlera 570 000 lekë.
Deputeti Karamelo ka gjendje në dy depozita bankare të dhuruara nga babai në vitin 2005 si burim të pasurisë së krijuar në USA, e cila është 43 000 euro. Karamelo ka edhe një kredi bankare (kredi e butë) të marrë pranë një banke të nivelit të dytë në vitin 2002 për blerje apartamenti, vlera 4 000 000 lekë dhe me këst mujor 18 890 lekë. deputeti Ralf Gjoni rezulton të jetë pronar në dy apartamente.
Gjoni ka deklaruar se është pronar 100% i një apartament banimi në Tiranë me sipërfaqe neto 99.7 m2 dhe me dy garazhe parkimi me sipërfaqe 12.5 m2 secili në vlerën 150 000 euro me burim të ardhura nga kredia dhe bashkëpronar së bashku me prindërit dhe vëllain, me pjesë takuese 33% të një apartament banimi në Tiranë të privatizuar prej periudhës së komunizmit me sipërfaqe 54.9 m2 dhe me vlerë 60 000 euro (sipas vlerësimit aktual të tregut) dhe pronar 100% i pasurisë së paluajtshme në Tiranë, tokë arë me sipërfaqe 1 700 m2 me vlerë 719 100 lekë. Gjoni, gjithashtu, është zotërues në masën 100% i pasurisë së paluajtshme, tokë arë me sipërfaqe 497 m2 me vlerë 813 000 lekë, për të cilën pritet që të lidhet kontrata e shitjes, ndërsa gjendje në llogarinë rrjedhëse në një bankë të nivelit të dytë të përdorur për pagesën e kredisë, e ka 6 416 euro. Gjithashtu, Gjoni ka deklaruar se ka një llogari rrjedhëse të përbashkët në një bankë në Francë, e cila është 1 766 euro, e mbetur nga kursimet e mëparshme atje, një e llogari rrjedhëse të përbashkët në një bankë në Mbretërinë e Bashkuar dhe llogari rrjedhëse të përbashkët në SHBA është janë 13 323 dollarë dhe 1 995 dollarë, me burim të ardhura nga punësimi i mëparshëm në SHBA. Pjesa më e madhe e deputetëve të rinj nuk kanë pasuri të paluajtshme dhe jeton me rrogën që marrin nga Kuvendi.