Xhaka, historia e një shqiptari krenar, babai i të cilit u burgos...

Xhaka, historia e një shqiptari krenar, babai i të cilit u burgos politikisht

525
0

“Provokativë”, “të egër” dhe “mesazhe politike”. Këto ishin disa nga termat e përdorur për të etiketuar festimet me shqiponjë të Granit Xhakës Xherdan Shaqirit në momentin e golave të tyre kundër Serbisë, të premten.

 

Kur gërmon më thellë në të kaluarën e mesfushorit të Arsenalit, në veçanti kupton se prapa festimit me shqiponjë ka rezonancë të madhe e tepër të ndjeshme, që tejkalon shumë arsye.

Ndërsa Shaqiri ka lindur në Kosovë, ashtu si Xhaka, ngjashmëritë nuk shtrihen aq larg.

Ragipi, babai i Xhakës, u burgos dhe u torturua në ish-Jugosllavi vetëm se bëri fushatë në favor të pavarësisë së Kosovës. Mesfushori i Arsenalit, Granit Xhaka, ka dhënë vetëm një intervistë për mediat angleze rreth historisë së babait të tij, duke folur ekskluzivisht për “The Guardian”, sezonin e kaluar.

 

Aty, ai ka zbuluar vendimin e babait për të marrë pjesë në demonstratat kundër qeverisë komuniste, me qendër në Beograd, si një student 22-vjeçar universitar. Për këtë shkak, Ragipi kaloi tri vite e gjysmë si i burgosur politik.

 

 

“Historia është diçka që më prek shumë thellë, ajo është me të vërtetë, me të vërtetë në zemrën time, – tha Graniti për “The Guardian”. – Për ta përshkruar babin tim siç duhet, ju duhet të vlerësoni thellësinë e plotë të historisë së vërtetë. Ajo është kaq tragjike.

 

Ndonjëherë e pyes: Më trego përsëri, por ende nuk mendoj se m’i ka zbuluar të gjitha. Ka patur gjithmonë momente të heshtura, ku unë kam ndier se po gëlltit diçka dhe nuk më thotë të vërtetën. Ndoshta ishte thjesht instikti prindëror, se babai dëshiron t’ia kursejë pikëllimin fëmijëve të tij.

 

Unë jam një kosovar krenar dhe mendoj se kam të drejtën të ekzistoj. Të njëjtën gjë mendonte edhe babai im, kur ishte student 22-vjeçar dhe protestoi. Ai qëndroi për të drejtat e veta, që ishin të drejta themelore demokratike, një domosdoshmëri, të tilla si të qenit në gjendje për të votuar. Nuk ishte vetëm ai.

 

Janë arrestuar edhe njerëz të tjerë, përfshirë xhaxhain e tij, i cili ishte burgosur disa vite më parë. Ka vuajtur 15 vjet nëpër burgjet e Ish-Jugosllavisë. Trajtimi ishte rreptësisht politik. Babai im po pyeste: Pse nuk jemi demokratë këtu? Ne meritojmë të jemi demokratë. Ne meritojmë të dëgjohemi”.

 

Gjatë kohës së burgimit, Ragip Xhaka e shihte ditën vetëm nga 10 minuta çdo ditë dhe këto histori nga e kaluara shërbejnë si një kujtesë për pavarësinë, që e luftuan aq fort si popull. Ndërsa vëllai i madh, Taulant Xhaka, luan për Shqipërinë, vendimi për t’u deklaruar për Zvicrën nga Graniti ishte diçka spontane. Edhe disa lojtarë të tjerë, me të njëjtin sfond, e kanë ndjekur në kombëtaren helvete, si Valon Behrami, Xherdan Shaqiri e të tjerë.

 

Në vitin 2016, kombëtarja zvicerane iu tha të mos bënin gjeste me qasje politike, sikurse ishte festimi me shqiponjë, por ndaj Serbisë, ata nuk u përmbajtën dot. Për këtë erdhi vendimi i FIFA-s ndaj Xhakës, Shaqirit dhe Lichtsteiner, gjobë financiare.

 

Kapiteni i Zvicrës nuk ka trashëgiminë etnike shqiptare, por u solidarizua me dy bashjëlojtarët e vet, të cilët e kanë vuajtur shumë regjimin e Ish-Jugosllavisë dhe luftën ballkanike me Serbinë. Në prag të ndeshjes me Kosta Rikën, një tjetër shqiptar i Zvicrës, Valon Behrami, beson se një festim i tillë nuk do të përsëritet:

 

“Sigurisht, ne jemi të lumtur që askush nuk është pezulluar. Kjo nuk do të ndodhë në të ardhmen, sepse… nuk do të kemi një lojë tjetër të veçantë si kjo me Serbinë. Ndoshta gjesti do të përsëritet me klubet e tyre, por nuk do të ndodhë në Kupën e Botës”.