WE Are NATO – Ne Jemi NATO/ Nga Halil RAMA

WE Are NATO – Ne Jemi NATO/ Nga Halil RAMA

466
0

Megjithë mbështetjen e gjerë që gëzon NATO në vendet anëtare, përsëri ka nevojë për një punë më të madhe, sidomos me brezin e ri, për të njohur më mirë vlerat dhe forcën e saj, nivelin e bashkepunimit midis vendeve anëtare dhe përse duhet investuar në fushën e sigurisë dhe mbrotjes. Pikërisht në funksion të këtij qëllimi madhor, në mesin e vitit që kaloi Aleanca Atlantike hapi fushatën për mbrojtjen dhe sigurine: “WE Are NATO” , për të kuptuar më mirë rolin kryesor të saj në të mirë të sigurisë Euro-Atlantike, mënyrën se si përdoret diplomacia, forca ushtarake dhe teknologjia e përparuar për siguri dhe paqe të qëndrueshme.

Ndërkohë, Këshilli Atlantik i Shqiperisë, që nga muaji shkurt i këtij viti e në vazhdim ka ndërmarrë një seri leksionesh publike në shumicën e universiteteve dhe viteve të fundit të shkollave të mesme në të gjithë vendin, si në Tiranë, Korçë, Elbasan, Ersekë, Vlorë, Gjirokastër, Pogradec, Sarandë, Fier, dhe do të vazhdoje ne Shkodër, Kukës, Peshkopi, Mirditë, Burrel etj.

Në këto takime kanë folur personalitete dhe specialistë të spikatur në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, nga NATO dhe vendas, ndër të cilët  Z. Pears Cazalet, Drejtor i Shtypit dhe Medias në NATO, Dr. Arian Starova, ish Ministër i Puneve të Jashtme dhe President i Këshillit Atlantik, Dr. Dritan Demiraj, ish Ministër i Punëve të Brendshme dhe Komandant në disa misione luftarake të NATO-s në Irak dhe Afganistan, Gjeneral Jeronim Baze, Ish – Shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Kolonel Kristaq Birbo, ish – Këshilltar i Presidentit të Republikës, Znj. Juxhina Sotiri, Presidente e Rinisë Atlantike, etj.

Theksi është venë kryesisht në vlerat që përfaqëson Aleanca, në organizimin politik dhe ushtarak të saj, në argumentimin se përse NATO është sot realisht organizata politiko – ushtarake më e fuqishme në botë, cilat janë sot rreziqet kryesore për paqen dhe sigurinë me të cilat ndeshet ajo, misionet luftarake të Aleancës, pjesmarrja e Forcave tona të Armatosura në misionet luftarake të NATO-s etj.

NATO e ka përforcuar shumë mbrojtjen kolektive mbi bazën e nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, ku sulmi ndaj një vendi anëtar konsiderohet si një sulm ndaj të gjitha vendeve anëtare. Ajo po jep gjithnjë e më shumë  një mesazh të qartë se e ka të gjithë potencialin për t’iu pergjigjur çdo lloj kërcënimi.

Por problem kryesor është se kërcënimet sot  janë të papritura dhe në forma nga më të ndryshmet, të cilat mund të shkaktojnë të njejtat fatkeqësi e dhimbje, njësoj si një agresion i armatosur, siç janë kërcënimet hibride apo kibernetike.

Në leksionet publike në shumicën e universiteteve dhe viteve të fundit të shkollave të mesme në të gjithë vendin është synuar qartësimi për shtimin e ndjeshëm dhe kërcënimin serioz që përbëjnë për sigurinë e vendeve anëtare të NATO-s sulmet e vashdueshme kibernetike, terrorizmi, tentativat për trafikimin e elementeve dhe metarialeve që shërbejnë për prodhimin armëve bërthamore dhe të atyre të dëmtimit në masë. Kjo edhe për faktin se në luftrat e sotme drejtimi dhe kontrolli nuk mund të kryhen pa një rrjet kibernetik të sigurtë. Për këtë arsye NATO ka marrë të gjitha masat dhe ka rritur aftësitë për të mbrojtur rrjetet e saj ndaj çdo lloj kërcënimi. NATO njëkohësisht ndihmon vendet aleate për të modernizuar dhe mbrojtur rrjetet e tyre kombëtare, jo vetëm ndaj infrastrukturës ushtarake por edhe ndaj asaj civile, sidomos në fushën e energjitikës. NATO tashmë ka vendosur që në rast të një sulmi kibernetik ndaj një vendi anëtar, në rast se gjykohet e nevojshme, mund të vihet në zbatim edhe  neni 5 i Traktatit te Uashingtonit.

Pjesë e rëndësishme e leksioneve publike të personaliteteve dhe specialistëve të spikatur në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, nga NATO dhe vendas kanë qenë dhe statistikat, sipas të cilave “Aleanca ka trefishuar madhësinë e Forcës së Reagimit të shpejtë  në 40,000 trupa, në gadishmëri dhe e aftë për të vepruar brenda një kohe shumë të shkurtër. Ajo ka shtuar stervitjet ushtarake si dhe ka zgjeruar policinë ajrore në rajonet e Detit Baltik dhe të Detit të Zi. Janë vendosur gjithashtu  rreth  5000 trupa në katër grupe luftarake shumëkombëshe në lindje të Aleancës”.   Personalitete dhe specialistë të spikatur në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, kanë vlerësuar faktin se Struktura e Komandës së NATO-s po përditësohet dhe modernizohet për të  mundësuar që të lëvizin forcat më shpejt në të gjithë Evropën dhe të mbahen të lira dhe të hapura linjat e komunikimit në të gjithë zonen  euro-Atlantike.

NATO ka dhënë një kontribut themelor për paqen dhe sigurinë në Ballkan, por veçanërisht për çeshtjen shqiptare dhe pavarësinë e Kosovës. Ajo vazhdon të jetë prezente akoma në Kosovë, me afro 4600 trupa, një forcë kjo paqeruajtëse ndërkombëtare e cila pergjigjet për ruajtjen e një mjedisi paqeje në Kosovë.

Studentëve dhe nxënësve u është bërë e qartë se si funksionon pjesmarrja në operacionet luftarake të NATO-s si dhe niveli i pjesmarrjes së Shqiprisë në to.

Forcat tona të Armatosura numërojnë sot shumë misione dhe mbi rreth 7 mijë trupa të angazhuara në këto misione, të forcave tokësore dhe 150 të forcave detare, si dhe vazdojnë të  kryejnë detyra në operacione dhe misione ndërkombëtare, në Afganistan, Letoni, Kosovë, Bosnjë Hercegovinë, Detin Egje, dhe Mali. 

Para disa ditësh, me rastin e 9 – vjetorit të anëtarësimit të vendit tonë në NATO, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka  vlerësoi se pavarësisht se një vend i vogël dhe me mundësi të limituara, Shqipëria mbetet një ndër vendet më të përkushtuara në NATO dhe me kontribute të qenësishme në raport me vendin, popullsinë, Forcat e Armatosura dhe burimet ekonomike. Vendi ynë ka hyrë në hartën e vendeve që gjenerojnë dhe ofrojnë siguri. Forcat tona të Armatosura janë të përfshira në një zhvillim të vazhdueshëm dhe progresiv, në përshtatje me kërkesat e aleancës si dhe ndryshimet në ambientin e sigurisë. Ato përditë e më tepër i përngjajnë homologeve të tyre aleate, në veçanti sa i takon pajisjes, edukimit, trajnimit, të mendimit dhe të performancës.

Shqipëria ka dëshmorin e saj, Kapiten Feti Vogli, vrarë me 21 shkurt 2012 gjatë misionit luftarak në Herat në Afganistan. Në 6 – vjetorin e rënies në krye të detyrës, në shkurt të këtij viti, dëshmori i atdheut kapiten Feti Vogli u nderua edhe në vendin ku ai dha jetën, në Afganistan. Fotografia dhe vepra sublime e kapiten Feti Voglit u vendosën në Hollin e Trimërisë (Muri i të Rënëve) në Kabul, mes ushtarakëve të NATO-s të rënë në krye të detyrës.