Vrau gjyshin gjatë grabitjes, 17-vjeçari bleu pistoletën 200 €

Vrau gjyshin gjatë grabitjes, 17-vjeçari bleu pistoletën 200 €

359
0

Detaje të reja kanë dalë në dritë, pasi 17-vjeçari Vangjel Kapllani vrau gjyshin gjatë një tentative grabitjeje. Siç shkruan “Shqiptarja.com” në numrin e kësaj të shtune, disa mesazhe të gjetura në celularin e 17-vjeçarit Vangjel Kapllani, ku ai fliste me Flarian Xhyvelaj, duke e porositur këtë të fundit ti gjente një pistoletë me silenciator, janë bërë shkak për zbardhjen e të vërtetës së vrasjes të 69-vjeçarit në Vlorë.

Fillimisht Vangjel Kapllani, nipi i viktimës ka shpjeguar se kishte dalë nga shtëpia rreth orës 18:00 dhe ka bërë xhiro në “Lungo Mare” me dy shokët e tij Menelao Toti dhe Dhimitris Dollo. Sipas dëshmisë së tij ai është kthyer në banesë rreth orës 20:30 dhe ka gjetur gjyshin e dëmtuar të shtrirë tek divani. Më tej adoleshenti ka sqaruar para grupit hetimor se kur është kthyer në banesë ka gjetur gjyshin në kuzhinë tek divani, i shtrirë dhe me dëmtime në pjesën e pasme të kokës.

Ndërkohë tek dhoma e gjumit ishte rrëmujë dhe sipas tij autorët kishin vjedhur 100.000 lekë dhe 500 euro. Në vijimësi për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë, nga ana e prokurorit Dritan Marku janë pyetur dy shokët e adoleshentit, Menelao Toti dhe Dhimitris Dollo, të cilët kanë shpjeguar se nuk ishin takuar më datë 27 shkurt 2019 me 17-vjeçarin Vangjel Kapllani. Pasi ka rënë kjo alibie e parë, autori i krimit ka pohuar se grabitjen dhe vrasjen mund ta ketë kryer vajza e viktimës, që njëherësh është dhe halla e autorit të krimit.

Mirëpo nga këqyrja e telefonit të nipit të viktimës ka rezultuar se ai ka komunikuar me sms më datë 27 shkurt 2019 me Florjan Xhyvelaj, ku sipas përmbajtjeve të sms-ve, këtij të fundit i kishte kërkuar një pistoletë me silenciator. I ndodhur në këto kushte nipi i viktimës Vangjel Kapllani ka shpjeguar se në datën 27 shkurt, ka blerë një armë zjarri pistoletë nga Florjan Xhuvelaj dhe Loris Maskaj në fshatin Risili të Vlorës për 200 euro dhe më pas me të ka vrarë gjyshin e tij në banesë. Pas kryerjes së krimit ka fshehur gëzhojën në një cep të ballkonit të katit të tretë të pallatit, ndërsa armën e kishte hedhur në një pusetë, në një rrugë përballë shtëpisë ku banonte bashkë me gjyshin.