Vrasja e kushërinjve në Laç, policia informacion ZYRTAR: Shpallen në kërkim...

Vrasja e kushërinjve në Laç, policia informacion ZYRTAR: Shpallen në kërkim 3 AUTORËT, 23 të shoqëruar (EMRAT)

622
0

Policia jep informacion zyrtar lidhur me ngjarjen e mbrëmshme në Laç, ku mbetën të vrarë dy kushërinjtë, Mikel dhe Jani Jushi.

 

Policia bën me dije se janë identifikuar dhe shpallur në kërkim 3 autorët e dyshuar të ngjarjes.

 

Kështu sipas bluve autorët e dyshuar për vrasjen e dyfishtë janë: Markel Bushi, 25 vjeç, Vinçens Bushi, 28 vjeç dhe Manuel Bushi, 23 vjeç. Mësohet se dy nga autorët janë vëllezër, Markel dhe Manuel Bushi.

 

Ndërkaq, me mbështetjen e FNSH, janë kryer një sërë kontrollesh në banesa e vende të dyshimta ku mund të ishin fshehur autorët, si dhe janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë, 23 persona  të cilët u pyetën në lidhje me ngjarjen.

 

Njoftimi i plotë i policisë:

 

Identifikohen dhe shpallen në kërkim autorët e dyshuar të vrasjes së dy shtetasve, ndodhur  mbrëmjen e djeshme.

 

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen nr. 1 Laç, Kurbin, ku pas një konflikti për motive të dobëta u plagosën me armë zjarri dy shtetas  të cilët më pas gjetën vdekjen në një nga spitalet private në Tiranë, Policia ngriti një grup të posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit  Gjyqësor Kurbin për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

 

Menjëherë sa është marrë njoftimi, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë së Kurbinit si dhe grupi hetimor. Në vijim janë ngritur pika kontrolli në të gjitha rrugët që lidhen me qytetin e Laçit si dhe disa pika kontrolli në akset kryesore rrugore, Milot -Lezhë, Milot -Kurbin -Tiranë.

 

Me mbështetjen e FNSH, janë kryer një sërë kontrollesh në banesa e vende të dyshimta ku mund të ishin fshehur autorët, si dhe janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë, 23 persona  të cilët u pyetën në lidhje me ngjarjen.

 

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, rezultoi se  ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pas një konflikti të çastit, dhe se autorët e dyshuar të vrasjes janë shtetasit: M. B., 25 vjeç, M. B., 23 vjeç dhe V. B., 28 vjeç, të tre lindur e banues në Kurbin.

 

Policia e Kurbinit vijon kontrollet intensive për gjetjen dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

 

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Pare Kurbin, për veprime te mëtejshme hetimore, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera të cilësuara, në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 79/dh, 25 dhe 278/1 të Kodit Penal.

 

DINAMIKA E NGJARJES:

 

Sherri ka nisur në lokal, që thuhet se ishte në pronesi të dy kushërinjve. Debati mes palëve ka nisur brenda. Dëshmitarët janë shprehur për mediat se dy kushërinjtë ishin të ulur në të njëjtën tavolinë.

 

Dy palët më pas kanë dalë jashtë lokalit për t’u sqaruar, mirëpo sherri ka agravuar dhe pasi kanë vënë re që autorët kishin armë me vete, dy kushërinjtë janë larguar me vrap.

 

Në këto momente ata janë ndjekur nga autorët për rreth 100 metra, ku edhe aty janë qëlluar me armë zjarri. Sipas policisë dyshohet se shkak i ngjarjes është bërë prishja e pazarit të drogës.

 

Ngjarja ndodhi në lagjen nr.1 të qytetit të Laçit. Dy të rinjtë fillimisht mbetën të plagosur rëndë, ndërsa humbën jetën në spital pasi nuk arritën tu shpëtonin plagëve të marra.