Vjen në shqip romani “Urrejtja, gjysma e hakmarrjes” i shkrimtarit qipriot Emilios...

Vjen në shqip romani “Urrejtja, gjysma e hakmarrjes” i shkrimtarit qipriot Emilios Solomou

1035
0

Vjen në gjuhën shqipe romani i shkrimtarit qipriot Emilios Solomou. “Urrejtja, gjysma e hakmarrjes”, është vepra që bën bashkë dy ngjarje sa kronike po aq edhe politike, histori që e kthyen opinionin publik evropian kundër Greqisë. Një roman që endet midis të shkuarës dhe të tashmes, midis hakmarrjes dhe detyrës, midis dashurisë dhe urrejtjes. Në vitin 1870 vriten nga një bandë katër europianë në Greqi. Kjo ngjarje nis të gjykohet, por jo siç duhet. Europa është kundër Greqisë, që endet në sistemin e korruptuar të drejtësisë që ka lidhje me bandat. Në vitin 2013 dy të dërguar të trojkës vriten në hotel. Banda është rikthyer pas 143 vitesh. Këto dy histori i ndërthur autori qipriot nën titullin “Urrejtja, gjysma e hakmarrjes”.

Ky roman që endet mes që shkuarës dhe së tashmes, kërkon një lexues që njeh historinë e ngjarjet politike të Greqisë, pasi aq është një vepër sa policeske, po aq edhe politike.  Në këtë promovim u bënë bashkë shkrimtarë, përkthyes, gazetarë, nxënësit e shkollës “Arsakeio”, nxënësit e shkollës “Sami Frashëri” e shumë dashamirës të librit dhe letërsisë. Në panel ishte i pranishëm autori i romanit Emilios Solomu, Kristo Pulla përkthyes i romanit, shkrimtarja Diana Çuli, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, dhe  Irena Toçi nga Shtëpia Botuese “Toena”. 

Image may contain: one or more people, crowd and indoor

Toçi: Libri ka sfond ballkanik

Drejtuesja e Shtëpisë Botuese ”Toena” Irena Toçi u shpreh se ”gjatë 25 vite kjo shtëpi botuese herë është fokusuar tek letërsitë e mëdha, herë tek ato më të vogla të gjitha të rëndësishme për t’u njohur dhe për ti bërë njerëzit dhe kulturat e tyre më të afërta me kulturën tonë”. ”Libri i cili ne së fundmi kemi sjell për lexuesin në shqip i autorit qipriot Emilios Solomu ”Urrejtja gjysma e hakmarrjes” ka një stof ballkanik.

Image may contain: one or more people, people sitting and eyeglasses

Kjo sepse personazhet dhe ngjarjet në këtë libër zhvillohen në Greqinë fqinje, atë bashkëkohore të vitit 2013 në kulmin e krizës financiare kurse pjesa tjetër e romanit zhvillohet paralelisht në shek e XIX. Gjithçka që lëviz brenda këtij romani i cili ngjan si dy romane në një kanë gjëra shumë të përbashkëta me mentalitetin, me mënyrën tonë të jetuarit dhe me mënyrën tonë të mbijetuarit në kohë të vështira”, tha Toçi. Sipas saj, ky është një roman shumë i mirë epik, historik ,thriller historik-bashkëkohor nga i cili mund të marrësh një informacion shumë të pasur për historinë e Greqisë në fillimet e konsolidimit të shtetit të saj modern. “Me këto botime ne i afrojmë më shumë lexuesit me librin dhe ky është dhe misioni jonë të botojmë libra nga gjuhët e huaj për të pasuruar fondin e madh të letërsisë shqipe”-u shpreh Irena Toçi.

Image may contain: 3 people, text

Autori i librit Emilios Solomou se,”ky titull ”Urrejtja gjysma e hakmarrjes” jep një panoramë që mbretëron sot qoftë në Greqi dhe në Qipro ,por besoj që dhe shumë vende të Europës do gjejnë veten brenda një titulli të tillë qoftë në ditët e sotme dhe në të kaluarën historike .Brenda këtij romani lexuesi shqiptar do gjej shumë elementë që përputhen me historinë e vendit tuaj.Kultura sjell më afër popujt dhe ngushton dallimet mes tyre dhe më afër na sjellin të vërtetat e mëdhaja që ne i themi dhe i pranojmë”.

 

– F r a g m e n t –

 

Qëlloi e pafat në jetë. Ishte shumë e re kur njohu bashkëshortin e saj në universitet. Në Selanik. Dikë… me emrin Taki Karanikolla. Ishte ende një çupëlinë. Dashuria e saj e parë. Ishin studentë që të dy. Ai ishte një aventurier i madh. E ngopi me fjalë boshe, i premtoi jetë përrallore. Fjalëshumë, që vetëm shtirej. Një karagjoz që s’e kishte shokun, kaq i poshtër ishte, por ajo u verbua pas tij, e bindi. Ishte një fundërrinë që rrallë e gjen. E tradhtonte rregullisht, edhe para se të vinin kurorë. Por ajo, nuk kuptonte asgjë. E re në moshë, pa eksperiencë. E ku dinte ajo nga tradhtia dhe pabesia? Duhej të martoheshin, të mbetej shtatzënë, të rritej pak fëmija i tyre, që ta shihte të vërtetën në sy. E zuri me presh në dorë, me një kolege të punës. Me një shumë më të re në moshë, që sapo kishte mbaruar shkollën. Punonte si sekretare. Nuk i kishte mbushur as të njëzetat. I dëgjoi rastësisht në telefon, nga receptori i aparatit që kishin në kuzhinë. Iu errën sytë. Lanë takim në një kafene në Pangrati. I tha se do të dilte për kafe me disa kolegë. Ajo i tha se do të shkonte me fëmijën tek nëna e saj. E puthi me ëmbëlsi. “Je partnerja ime perfekte…”, i këndoi me zë të ulët. Ndjeu pështymën e tij në buzët e saj. Mbylli sytë, ktheu kokën në anën tjetër. Iu pështiros. E la fëmijën te gjyshja dhe vazhdoi programin. Gjeti vendndodhjen e kafenesë dhe po priste pak më tutje brenda në makinë. Pasdite. Ata erdhën me makinën e tij. U futën në kafene. Çfarë torture. Çdo minutë që kalonte ishte një tmerr i vërtetë. E mbërthyer pas timonit, me fytyrën që i kishte marrë ngjyrën e të vdekurve. Dolën përsëri pas një apo një ore e gjysmë. Buzëmbrëmje, dita po shuhej. U përqafuan, u puthën gjithë pasion, si të dalldisur. Pothuajse para syve të saj. U përkul. U bëri fotografi me celularin e saj, me duart që i dridheshin. U larguan. I ndoqi. Ndalën diku në Ilisia dhe u ngjitën në një apartament. Lexoi emrat tek citofoni, por nuk arriti të merrte vesh ndonjë të dhënë…