Vila në bregdet dhe jashtë Shqipërisë, makina luksoze dhe para pa fund:...

Vila në bregdet dhe jashtë Shqipërisë, makina luksoze dhe para pa fund: Zbulohet pasuria e anëtarëve të Bordit të BSH

789
0

banka-e-shqiperise-naten_1471000636-914128

Zbardhet pasuria e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, e cila sipas një raporti sekret të KLSH, është përfshirë në një tjetër skandal të rëndë financiar, me bankat e nivelit të dytë, ku janë përvetësuar dhe ndarë 21 milionë euro. Përgjatë dy viteve të fundit, 2014-2015, njerëzit që mbikëqyrin veprimtarinë, politikat e administrimit dhe operacionet e Bankës se Shqipërisë, kanë deklaruar pranë ILDKP vila në bregdet dhe jashtë Shqipërisë, apartamente në Tiranë, makina të shtrenjta, të ardhura nga bizneset, llogari bankare etj.

Anëtari i Këshillit Mbikëqyrës, Petraq Milo,deklaron se është bashkëpronar me 75 për qind i një apartamenti në Tiranë, me vlerë 53 037 lekë si dhe bashkëpronar i një shtëpie banimi në Vlorë, përfituar me trashëgimi. Milo deklaron gjithashtu një makinë me vlerë 17 mijë euro, 190 mijë euro sigurim jete në Francë, 57 627 euro plan për sigurim banese, 5 287 euro nga titujt financiar, 1 312 884 lekë të ardhura nga puna në Universitetin e Tiranës, 4 795 385 lekë të ardhura nga konsulenca, 2 003 915 lekë të ardhur nga Këshilli Mbikëqyrës, 4 147 881 lekë interesa nga bono thesari, 2 600 euro të ardhura nga qiratë, pagën e djalit, pagën e bashkëshortes dhe disa llogari bankare.

Denada Prifti

Anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Denada Prifti deklaron se është pronare e një shtëpie për t’u restauruar në Spanjë, të cilën e ka blerë për 7 675 euro. Po ashtu zonja është pronare e një trualli me sipërfaqe 419 m2 në Gjermani, blerë më 01.10.2014, për 13 000 euro. Ajo thotë se ka marrë një kredi 30 000 euro, ndërsa deklaron një veture tip Citroen C5 me vlerë 32 802 euro, veture tip Smart me vlerë 11 555 euro, ortake me 100% i shoqërisë “Enrima GmbH” etj. Denada Prifti deklaron 48 191 euro të ardhura nga paga në Komisionin Europian, 1 680 703 lekë nga Këshilli Mbikëqyrës, 33 458 euro të ardhura nga paga si eksperte etj.

Elisabeta Gjoni

Elisabeta Gjoni, anëtare e Këshillit Mbikëqyrës ka përfituar një apartament si e pastrehë, me sipërfaqe 84.4 m2, nga Enti i Banesave, me vlerë 1 428 592 lekë. Por zonja në fjalë rezulton pronare e një tjetër apartamenti banimi me sipërfaqe 96 m2, përfituar me trashëgimi nga prindërit. Po ashtu, ajo deklaron se ka blerë një tjetër shtëpi, me anë të një kredie të marrë në Maji të 2012, me afat shlyerje për 30 vjet. Gjoni deklaron gjithashtu 3 623 329 lekë të ardhura nga Banka e Shqipërisë, 903 148 lekë honorare dhe 28 850 lekë të ardhura nga mësimdhënia.

Deklaratat

Njerëzit që mbikëqyrin veprimtarinë e BSH kanë deklaruar pranë ILDKP vila në bregdet dhe jashtë Shqipërisë, apartamente në Tiranë, makina të shtrenjta, të ardhura nga bizneset, llogari bankare etj.

Paradoksi

Elisabeta Gjoni, anëtare e Këshillit Mbikëqyrës ka përfituar një apartament si e pastrehë nga Enti i Banesave, me vlerë 1 428 592 lekë, por zonja rezulton me tre apartamente dhe me shumë të ardhura.

Shtëpi 7 mijë euro

Anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Denada Prifti deklaron se është pronare e një shtëpie për t’u restauruar në Spanjë, të cilën e ka blerë për 7 675 euro.