Vijon puna për ndërtimin e këndit të 16-të të lojërave te Pallati...

Vijon puna për ndërtimin e këndit të 16-të të lojërave te Pallati me Shigjeta

639
0

Veliaj: “Premtim i mbajtur, kemi bërë zgjedhjen e duhur duke u fokusuar te infrastruktura për fëmijët”

 

Një kënd i ri rekreativ po i shtohet kryeqytetit në Njësinë Nr. 5, në zonën e njohur si “Pallati me Shigjeta”. Falë investimit të Bashkisë së Tiranës, shumë shpejt do të përfundojë ndërtimi i këndit të 16-të të lojërave, i cili e transformon të gjithë zonën në një mjedis çlodhës për banorët, ndryshe nga më parë kur ishte e mbuluar nga balta dhe inertet. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet që po kryhen, duke theksuar se ky është një tjetër premtim i mbajtur para qytetarëve. “Dua të falenderoj të gjithë banorët për bashkëpunimin. Kemi qenë këtu në 2015 dhe kjo ka qenë një ndër baltovinat shembullore të Tiranës, me llucë të vazhdueshme për shkak të afërsisë me Lanën, bllokimit të kolektorëve, por edhe për faktin se që nga koha e Edi Ramës, kur ‘Pallati me Shigjeta’ mori këtë emër, nuk ka vënë njeri dorë”, tha Veliaj, duke shtuar se kjo është një ndërhyrje jo vetëm estetike, por edhe një ndërhyrje në infrastrukturë, që banorët të kenë kushte dinjitoze. “Kjo është një ndërhyrje që banorët të kenë kushte dinjitoze, asfalt, trotuare, ndriçim, por sigurisht edhe për fëmijët, të cilët janë pika e dobët e Bashkisë sonë. Në dy vitet e para besoj se kemi bërë zgjedhjen e duhur, duke u fokusuar kryesisht te infrastruktura për fëmijët, te çerdhet, kopshtet, këndet e lojërave, shkollat. Kemi filluar 4 shkolla, kemi edhe 16 të tjera dhe besoj se vetëm në këtë mënyrë, sigurohemi që qyteti ka një “pajë” për gjeneratën e ardhshme”, tha ai. Veliaj garantoi qytetarët se pavarësisht situatës politike apo pushimeve të verës, Bashkia do të jetë në terren për të përmirësuar infrastrukturën apo shërbimet për komunitetin. “Dua t’ju falenderoj, sidomos agjencitë e bashkisë, të cilat pavarësisht se është fushatë apo se do të vijnë pushimet e verës, në Tiranë do të punohet njësoj çdo ditë. Kjo do të thotë që edhe sot, edhe në datën 18 qershor, edhe kur njerëzit të ikin me pushime, Bashkia do jetë në punë, që kur ata të kthehen në shtator, t’i gjejnë të përfunduara të gjitha punët që kanë nisur dhe sigurisht të gjejnë një Tiranë shumë më dinjitoze se ajo që lamë para pushimeve”, u shpreh Veliaj.  Kryebashkiaku i Tiranës vlerësoi angazhimin e deputetit të PS, Pandeli Majko, i cili ka shërbyer si avokat i këtij komuniteti për zgjidhjen e shqetësimeve të tyre. “Suksesi që kemi arritur me kaq shumë punë në kopshte, shkolla, çerdhe, kënde lojërash, në rrugë të rëndësishme, në Parkun Olimpik, në rrugë si ajo e “Kosovarëve” e të tjera që ishin bllokuar prej vitesh apo edhe në Unazën e Madhe që më në fund po përfundon, nuk do ishin mundësuar pa Pandeli Majkon, pa një avokat të fortë të këtij komuniteti dhe një shërbëtor besnik i të gjithë atyre që e kanë votuar, por edhe atyre që ndoshta s’e kanë votuar, por që i kanë parë hajrin këtij bashkëpunimi midis deputetit dhe Bashkisë, për të çuar përpara njësinë 5 dhe gjithë Tiranën”, nënvizoi ai. Deputeti Pandeli Majko e cilësoi ndërtimin e këtij këndi tregues të mbajtjes së premtimeve nga ana e Bashkisë së Tiranës dhe të ecjes së punëve të kryeqytetit në drejtimin e duhur. “Kur kam ardhur në fushatë më thanë: Duam të na rregullosh këtë për fëmijët. Premtimi ka qenë: Nëse nuk e rregullojmë, unë nuk do vij të bëj fushatë elektorale në këtë zonë. Mendoj që bashkë me Erionin, pasi edhe në 2015-ën e përsëritëm këtë premtim sepse ishte një punë që duhej bërë nga Bashkia, jam shumë i kënaqur që punët po ecin në një drejtim të mbarë dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me këtë komunitet të mrekullueshëm”, u shpreh Majko. Investimi i Bashkisë që Tiranës parashikon vendosjen e moduleve të ndryshme të lojërave për fëmijë, si dhe ndërtimin e trotuareve, rrugicave, ndriçimin, vendosjen e stolave dhe të bimësisë dekorative, duke krijuar një mjedis të këndshëm për të gjithë banorët e zonës pranë “Pallatit me Shigjeta”.