Veton Surroi – Thacit: Ju i vratë rugovistët njëlloj si serbët. Do...

Veton Surroi – Thacit: Ju i vratë rugovistët njëlloj si serbët. Do përfundosh në “Tribunal Special”

461
0

53Ish-politikani Veton Surroi ka dhënë një intervistë të gjatë në gazetën e tij, Koha Ditore. Ka përdorur gjuhë pamfletiste ndaj Hashim Thaçit, të cilin e ka quajtur të padijshëm e primitiv dhe ka parashikuar arrestimin e tij nga Gjykata Speciale nëse aktakuza bazohen në të gjeturat e Prokurorit Williamson.

Ka folur edhe për UÇK-në, duke thënë se disa prej udhëheqësve të luftës kishin kapur armët kundër Serbisë aq sa edhe kundër LDK-së. Ka gjykuar votuesit e PDK-së, duke thënë se 200 mijë njerëz pajtohen se krimi është i pranueshëm. Ka rikthyer tregime historike të kohës së Ramboullet, duke treguar për puçin e Sylejman Selimit.

Ish-udhëheqësi i ORA-s, Veton Surroi e ka quajtur Hashim Thaçin Kryeministër të padijshëm e primitiv. Isa Mustafën e ka cilësuar si shpërfillës.

Në një intervistë dyfaqëshe në “Koha Ditore”, Surroi është marrë në krejt intervistën me Presidentin e Republikës, Hashim Thaçin. E ka përmendur dhjetë herë emrin e tij. Në të gjitha rastet ai e ka gjykuar si njeri që e ka dëmtuar Shtetin, e ka shkatërruar Kosovën dhe ka prishur konsensusin nacional.

Sipas tij, po të kishte konsensus të brendshëm, Kosova do të pranohej edhe në OKB. Veç se nuk ka treguar se si do të bëhej ky hap i madh i Shtetit drejt OKB’së marrë parasysh qëndrimin e Rusisë.

Mirëpo, Surroi ka folur fjalë të mira për opozitën e Ramush Haradinajt, Albin Kurtit e Famir Limajt. Ka thënë se opozita ishte mbresëlënëse për luftën që bëri në kundërshtim të Asociacionit e Demarkacionit.

“Dhe mu për këtë del të jetë shumë i nevojshëm konsensusi. Një Kryeministër i padijshëm dhe primitiv si Thaçi mund të nënshkruajë marrëveshje me Serbinë, por konsensusi do ta ruante edhe atë, e më me rëndësi, Kosovën nga pasojat e mosdijes e primitivizmit të tij. Një Kryeministër shpërfillës si Mustafa mund të nënshkruante diçka që konsideron vazhdimësi e Marrëveshjes së Thaçit, por konsensusi do ta ruante edhe atë, e më me rëndësi Kosovën nga pasojat e shpërfilljes”, ka thënë Surroi, në gazetën, në të cilën është themelues.

Surroi, i cili para luftës kërkonte pjesëmarrje në zgjedhjet e Jugosllavisë dhe kundërshtonte politikën e LDK’së dhe te Rugovës, është marrë edhe me raportet e Presidentit aktual me Presidentin historik të Kosovës. Ka thënë se Rugova krijonte konsensusin pavarësisht se Thaçi e kishte quajtur kriminel.

“Hashim Thaçi disa herë e ofendoi shumë rëndë dr. Rugovën duke e quajtur kriminel, e shtëpinë e tij shtëpi të krimit, por Rugova vazhdoi ta përfshinte në “Ekipin e Unitetit” më bindjen se në fund duhet të fitojë konsensusi”, ka shtuar ai.

Njeriu që portretohet nga gazeta e tij si aktivist shumëvjeçar deri të shpallja e pavarësisë, por që kishte dështuar të nënshkruante Deklaratën e Pavarësisë, ka folur edhe për UÇK’në. Konkretisht për dy ish-Komandantët e përgjithshëm të saj, Azem Sylën e Sylejman Selimin si dhe Sami Lushtakun. Ka treguar detaje, që sipas tij, tregojnë kriminalitetin e tyre edhe në kohë lufte.

“Pas një gjykimi të gjatë në burg u dërgua Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylejman Selimi, gjatë Rambouille’t na u tha shkurtimisht se kishte bërë puç dhe ishte bërë Komandant i UÇK’së”, ka treguar Surroi në intervistë.

Surroi ka akuzuar udhëheqësit e UÇK’së se kishin thënë se armët i kishin kapur sa për Serbinë aq edhe për Rugovën e LDK’në.

“Para nisjes në Rambouillet kishim një situatë të veshtire poltiike. Animoziteti i disa prej drejtuesve të UÇK’së ndaj Rugovës dhe LDK’së ishte shumë i madhe. Disa prej tyre konsideronin se kishin marrë armët sa kundër Serbisë, aq edhe kundër Rugovës”, ka deklaruar Surroi.

Në këtë intervistë, Surroi është marrë, po ashtu, edhe me votuesit e PDK’së. Ka thënë se 200 mijë njerëz në Kosovë pajtohen se krimi është i pranueshëm.

“Janë së paku 200 mijë njerëz që deri më tani kanë pranuar me votën e tyre s ekrimi është një veprim i pranueshëm në jetën politike”, ka deklaruar Surroi.

Thaçi do të gjykohet nga Specialja

Veton Surroi, i cili kishte pasur raporte të mira me PDK’në dhe Hashim Thaçin edhe në kohën e pasluftës, ka parashikuar një përfundim të keq për Presidentin e Kosovës. Ka thënë se bazuar në gjetjet e Prokurorit Ëilliamson, Thaçi do të përballet me akuza nga Gjykata Speciale.

“Nëse Gjykata vepron sipas verifikimit të bërë nga Prokurori i Veçantë Williamson, atëherë ka mbështetje të madhe supozimi se i arrestuar nga Gjykata mund të jetë edhe Kryetari i tanishëm i Kosovës, Thaçi”, ka parashikuar Surroi.