Nga njësia 10, ku vijoi turin e tij të dëgjesave me qytetarët për përgatitjen e buxhetit të vitit 2020, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh i vendosur që t’i shkojë deri në fund projekteve madhore që do t’i japin Tiranës më shumë zhvillim, si në aspektin urbanistik ashtu edhe atë arkitekturor e kulturor. Duke sjellë në vëmendje betejën e fituar me gjithë skeptikët për ndërtimin e stadiumit kombëtar, Veliaj theksoi se qyteti do të fitojë edhe betejat e tjera si për ndërtimin e Unazës së Re, Teatrit Kombëtar apo edhe rehabilitimin e Kopshtit Botanik.
“Jam sot jo vetëm krenar që kryeministri, mazhoranca jonë, qeveria jonë i qendruan atij projekti deri në fund, por jam sot më i vendosur se kurrë që edhe teatrit t’i shkojmë deri në fund, edhe unazës t’i rrijmë deri në fund, edhe kopshtit botanik t’i rrijmë deri në fund. Kur të shkruhet historia e Tiranës nuk do merret njeri me këta hienat që vetëm shajnë, apo vetëm me këta që vënë gjobat. Një garë mos të fitojnë nga kryetarit të bashkisë i plasin gjobat. Nuk do merret njeri me këta, por do thonë a u bë sheshi, u bë stadiumi, u bë parku, u pastrua Tirana, u ndërtuan këto shkollat. Historia nuk ka vend për të gjithë, por ka vend për atë gjeneratë që ka bërë gjera dhe unë ju premtoj që ne do jemi gjenerata që do hyjmë në histori që bëjmë gjera konkrete për Tiranën”, tha Veliaj.
Më tej, duke u ndalur te projekti i transformimit të Kopshtit Botanik, ai theksoi se do të shndërrohet në një hapësirë të denjë studimi të bimësisë, por edhe për qytetarët. “Më erdhi për të qeshur, kur bëra inspektimin e fundit rreth stadiumit, para se të hapeshin dyert, dhe po shikoja Rektoratin që është futur në një betejë komplet absurde me Bashkinë e Tiranës për rregullimin e Kopshtit Botanik, që sot është i gjithi një zgëqe që nuk nxjerr më shumë sesa 50 mijë lekë në vit. Nuk nxjerr as çerekun e rrogës së një roje në muaj nga të ardhurat, komplet i falimentuar. E po shihja, stadiumin, një xhevahir, e po shikoja rektoratin, po të futeni te kolonat, te Rektorati, i mbushur i gjithi me grafiti. Po të shikoni tavanin poshtë kolonave, ka dalë kallamishtja. Po të shikoni në kat të 2-të ku ka ballkonin rektori, është i mbushur i gjithi me dollape, me rraqe, me sirtarë që i ka nxjerrë jashtë dhe pyetja është: More mavri, kur ti nuk rregullon dot zyrën tënde, çfarë do t’i bësh Kopshtit Botanik? Kur vendi ku ti shkon përditë, po i bie tavani, ku ti nuk ruan dot pastërtinë dhe integritetin fizik të ndërtesës ku shkon përditë në punë, çfarë do t’i bësh Kopshtit Botanik që ka vite që është kthyer në një kosh plehrash? Kështu që, për të gjitha këto arsye, jo vetëm që nuk jemi dekurajuar nga kundërshtimet, por jemi më të vendosur që t’i shkojmë në fund edhe Kopshtit Botanik”, – shtoi Veliaj.
Më tej, ai theksoi se puna e bërë për Parkun Madh të Liqenit është një garanci për këtë. “Sot kemi hapësira në Parkun e Liqenit që është komplet park i hapur, pa biletë, pa pagesë, pa hiç, që janë më cilësore sot, që janë vënë dhe tabelat e reja, sot që edhe me kodin QR që lexon çfarë peme është, çfarë bime është, çfarë kërpudhe është, pra kemi hapësira publike ku shkon kushdo, që janë shumë herë më cilësore se Kopshti Botanik që duhet të jetë një gjë shumë herë më elitare. Për të gjitha këto arsye, pas stadiumit, vazhdojmë me Teatrin, pas Teatrit vazhdojmë me Kopshtin Botanik, derisa Tiranën ta lëmë 10 herë më mirë seç e gjetëm kur e morëm në vitin 2015”, tha kryetari i bashkisë.
Veliaj theksoi se përgjigja më e mirë për ata që kundërshtojnë çdo projekt të bukur në Tiranë është padyshim Stadiumi Kombëtar që sipas tij është sot një nga xhevahiret më të mira të kryeqytetit por edhe gjithë Shqipërisë. “Stadiumi si çdo gjë e bukur në Shqipëri dhe në Tiranë e kaloi kalvarin e të sharave, e sherreve, e stërkëmbëshave, e gënjeshtrave dhe të baltës. Nuk e di a ka ndonjë vend tjetër në botë ku gjerat e bukura bëhen me kaq shumë mundim. Dhe ne kalojmë kaq shumë kohë vetëm, duke hequr nga shpina thikat pas shpine, stërkëmbëshat, ata që të vënë gjoba, ca herë të vijnë në formë politike, ca herë gjobat të vijnë në formë pronarësh mediash. Unë u them këtyre të mive mos I dëgjoni fare çfarë thonë, ne do ecim drejt, ne do ecim përpara, ne do bëjmë atë që kemi premtuar, ne do ti shkojmë punëve deri në fund. Asnjë nga ne nuk ka paguar asnjë taks për stadiumin. Pra nëse ne kemi mundësinë që qyteti të fitojë edhe një stadium dhe një hotel me 5 yje ku të vijnë këta turist, atëherë qyteti fiton 2 me 0. Mund të kemi humbur 2 me 0 ndeshjen, por kemi fituar si qytet 2 me 0 betejën si për turizmin si për një hapësirë cilësore për sportive. Sot stadiumi është një xhevair”, – u shpreh Veliaj.