Veliaj e quajti hajdut, regjisori gati ta padisë: Në shkallët e Teatrit...

Veliaj e quajti hajdut, regjisori gati ta padisë: Në shkallët e Teatrit do ketë një tapet me fytyrat tuaja, që njerëzit të mund t’i shkelin me këmbë

420
0

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i cili ka konfirmuar një kandidaturë të dytë nën logon e PS, mbrëmë në emisionin Opinion tha hapur se regjisori Kastriot Çipi, një nga ata që kundërshton shembjen e Teatrit Kombëtar ka marrë para për një vepër që nuk e ka prodhuar kurrë për publikun dhe se duhet t’i kthejë ato miliona. I revoltuar, regjisori Çipi ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale. Çipi e cilëson shpifje atë që deklaroi Veliaj dhe thotë se do e padisë kryebashkiakun për këtë deklaratë.

 

“Ti e humbe durimin dhe bëre gabimin fatal: shpife për mua me emër e mbiemër dhe jo vetëm kaq, por përdore fjalët “dënim penal”, “vjedhje”, “hajdut” etj. Tani do të të duhet t’i japësh gjykatës prova materiale për të provuar pafajësinë tënde, sepse unë do të të padis për shpifje”, shkruan Çipi i cili më tej shton:

 

“Unë e di se do ta kem të vështirë në gjykatë, sepse “reforma në drejtësi” e babait tënd shpirtëror Soros dhe e vëllait tënd të madh (që të bie ta thërrasësh “Lali”) Rama i ka tredhur gjyqtarët që nuk e kanë kaluar ende vettingun. E di se ti do ta ankimosh vendimin e shkallës së parë në Apel, e pastaj vendimin e Apelit në Gjykatën e Lartë. E di se ky proces mund të mbarojë pas 5 apo 10 vjetësh, por unë do ta bëj, thjesht për kënaqësinë e spektaklit që pres të shoh në procesin e shkallës së parë. Nëse arrij ta fitoj shpejt dhe ndërkohë Teatri Kombëtar nuk është restauruar ende, ato para do t’ia dhuroj Fondacionit për Restaurimin e Teatrit Kombëtar!

 

Por një gjë e di me siguri: Teatri Kombëtar nuk do të shembet, por do të restaurohet! Rihapjen do ta festojmë me një premierë, ndoshta “Vizitën e Damës Plakë” të Dyrrenmatit, që do t’ia kushtoj atit (Rama), birit (Veliaj) dhe shpirtit të shenjtë (Soros). Do ta gjeni veten të tre në atë dramë. Por do ta gjeni veten edhe në shkallët e hyrjes së Teatrit Kombëtar. Aty do të ketë një tapet me fytyrat tuaja, që njerëzit të mund t’i shkelin me këmbë duke hyrë”.