Ushqimet e pasigurta? Ministria e Bujqësisë: Nuk ka vend për alarm

Ushqimet e pasigurta? Ministria e Bujqësisë: Nuk ka vend për alarm

427
0

Ministria e Bujqësisë ka reaguar pas denoncimit të emisioneve investigative në lidhje me mungesën e sigurisë ushqimore në Shqipëri. Autoriteti më i lartë përgjegjës për ushqimet në vend ka thënë se nuk ka vend për alarm, pasi produktet janë të certifikuara sipas standardeve dhe madje eksportohen suksesshëm jashtë vendit.

 

Ministria e Bujqësisë thotë gjithashtu se po monitoron dhe ka raportime periodike në lidhje me sigurinë ushqimore në Shqipëri.

 

“Institucionet në varësi të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural monitorojnë dhe raportojnë rregullisht lidhur me sigurinë e prodhimeve vendase. Ato kanë marrë masat përkatëse ndaj çdo rasti abuzimi që kanë zbuluar këto institucione ose që janë bërë publike në media, deri në pezullim të aktivitetit prodhues të subjekteve që kanë kryer shkelje të ligjeve dhe standarteve në fuqi”, shkruhet ndër të tjera në reagimin e Ministrisë së Bujqësisë.

 

Më herët gjatë ditës së sotme reagoi edhe Prokuroria e Përgjithshme, duke i kërkuar Prokurorisë së Beratit që të shqyrtonte faktet nëse veprimet me ushqimet përbëjnë kundravajtje penale dhe të niste hetimet.