Uji me koncesion, qytetarët kundër kalimit të këtij shërbimi te privati

Uji me koncesion, qytetarët kundër kalimit të këtij shërbimi te privati

328
0

Qytetarët nuk e kanë mirëpritur nismën e Ministrisë së Infrastrukturës për të dhënë me koncesion shoqëritë e Ujësjellës-Kanalizimeve. Po përtej kësaj, Ministria ka hapur një tjetër tender për dixhitalizimin e aseteve të ndërmarrjeve të Ujësjellës-Kanalizimeve me një vlerë prej 146.2 mln lekësh. Ky fond do të merret nga buxheti i shtetit dhe vjen në të njëjtën kohë që u njoftua mundësia për dhënien me koncesion të shërbimit.

Dhënia me koncesion e ndërmarrjeve të Ujësjellës-Kanalizimeve shihet me pesimizëm nga qytetarët.

Ata shprehen se kjo nismë nuk do të zgjidhë problemin, madje theksojnë se kjo mund të rrisë çmimin për shërbimin e ofruar.

“Çfarë nuk pret nga këta, por kur arrijnë dhe te Ujësjellësi… Të na çojë dhe ne me koncesion, këtu ka vajtur çdo gjë në fund. Fatkeqësi e madhe. Asnjë fitim nuk ka.”

“Nuk kanë ndërmend ata të zgjidhin hallin e popullit.”

“Do ta rrisin çmimin patjetër, ai që është privat atë synon.”

Por përtej draftit të hedhur për konsultim nga Ministria e Infrastrukturës ku parashikohet edhe dhënia me koncesion e këtij shërbimi një tjetër tender është hapur për Ujësjellësat.

Njoftimi i shpallur në Agjencinë e Prokurimeve Publike parashikon ngritjen e një sistemi dixhitalizimi të monitorimit dhe raportimit të ndërmarrjeve të Ujësjellës-Kanalizimeve.

Fondi Limit i vënë në dispozicion për këtë  prokurim është 146.2 mln lekë me financim nga buxheti i shtetit.

Afati për dorëzimin e ofertave nga kompanitë ështe 25 nëntor i këtij viti.

Sistemi që pritet të ndërtohet ka për qëllim automatizimin e procesit të identifikimit, regjistrimit dhe mirëmbajtjes së aseteve në sektorin e Ujësjellës-Kanalizimeve.

Gjithashtu në bazë të  dixhitalizimit të të dhënave të ndërmarrjeve synohet bashkërendimi i përpjekjeve midis institucioneve në nivel qendror dhe vendor për përmirësimin e monitorimit të investimeve në këtë sektor.

Në këtë mënyrë Ujësjellësit në gjithë vendin kanë detyrimin e raportimit periodik në mënyrë shkresore pranë Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve./