“Uji i Bulqizës i pastër”, hetime për furrat e bukës dhe marketet

“Uji i Bulqizës i pastër”, hetime për furrat e bukës dhe marketet

448
0

Instituti i Shëndetit Publik thotë se uji i Bulqizës nuk ka ndotje mikrobiale. Në këtë përfundim del ISHP, pas analizave të mostrës së sjellë nga Shërbimi i Sëmundjeve Infektive, në Bulqizë.

 

“Përgjigja e mostrës së sjellë nga Shërbimi i Sëmundjeve Infektive, Njësina Vendore e Kujdesit Shëndetësor Bulqizë, në laboratorin e ISHP, ka dalë negative për ngarkesë mikrobiologjike, pra nuk ka ndotje mikrobiale. Për një përgjigje më të plotë për shkaktarin e simptomave tek qytetarët e Bulqizës duhet të presim rezultatet e tjera të analizave nga mostrat e marra nga grupi i ISHP në Bulqizë”, theksohet në një njoftim për mediat.

 

Helmimi i më shumë se 100 njerëzve në lagjen e sipërme të Bulqizës ka vënë në lëvizje policinë dhe prokurorinë. Ekspertë të fushës kanë marrë në pyetje të sëmurët, jo vetëm për ujin e pijshëm, por edhe për ushqimet që kanë konsmuar.

 

Në hetim janë përfshirë furra buke dhe marketet e produkteve ushqimore. Disa tregtarë janë marrë në pyetje dhe iu është bërë kontroll në bizneset e tyre. Deri tani nuk ka ndonjë shkak apo shkaktar të helmimit masiv.

 

Ndërkohë në spitalin e Bulqizës nuk ka patur me shtrime apo persona që kërkojnë ndihmë mjekësore. Shumë nga të helmuarit janë përmirësuar, por ka raste që vazhdojnë të kenë probleme me shëndetin./