Trump: Bisedimet me talibanët kanë vdekur

Trump: Bisedimet me talibanët kanë vdekur

427
0

 

Presidenti i SHBA Donald Trump tha të hënën se bisedimet me udhëheqësit e Talibanëve të Afganistanit janë anuluar, por ai ende po shikon mundësinë e një tërheqjeje të trupave amerikane atje.

“Përsa më takon mua, bisedimet janë të vdekura,” u tha Presidenti Trump gazetarëve ndërsa largohej nga Shtëpia e Bardhë për në Karolinën e Veriut.

Negociatat shumëmujore të SHBA me militantët talibanë, të cilët kontrollojnë pjesë të mëdha të Afganistanit, përfunduan të shtunën kur Presidenti Trump njoftoi befas se po i anulonte bisedimet sekrete në Camp David me talibanët dhe presidentin afgan. Bisedimet kishin për qëllim të arrihej një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës gati 20 vjeçare.

Presidenti Trump tha se ai e kuptoi se bisedimet nuk mund të vazhdonin kur javën e kaluar talebanët morën përgjegjësinë për një sulm që vrau një ushtar amerikan në kryeqytetin Kabul. Luftimet kanë vazhduar në rajon gjatë gjithë këhës që bisedohej për t’i dhënë fund luftës.

Tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani ka qenë një nga objektivat kryesore të politikës së jashtme të zotit Trump. Presidenti republikan tha se administrata e tij ishte ende duke menduar për një tërheqje të 14,000 ushtarëve amerikanë nga Afganistani.

“Ne do të donim të tërhiqeshim, por do të ikim në kohën e duhur,” tha ai.

Ndërkohë që sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha të dielën se Presidenti Donald Trump “mori vendimin e duhur” për të anuluar bisedimet e paqes me liderët talebanë në vend-pushimin presidencial për shkak të sulmeve të vazhdueshme të grupit terrorist në Afganistan.

“Duhet t’i shohim ata të aftë për të përmbushur premtimet e tyre” për t’i dhënë fund dhunës në vendin e shkatërruar nga lufta para se të “shpërblehen” me një takim me presidentin Trump, tha zoti Pompeo për kanalin CNN.