Trajneri, deklaroi dorëheqjen kërkon falje

Trajneri, deklaroi dorëheqjen kërkon falje

431
0

Trajneri i Tiranës, Juljan Ahmataj, ka kërkuar falje për deklaratën e dhënë pas ndeshjes ndaj Skënderbeut, teksa ka zbuluar në një prononcim për “Zona Gol”, se presidenti i ka kërkuar të vazhdojë punën duke vijuar të jetë pjesë e bardhebluve.

“Dua ti kërkoj falje të gjithë ambientit bardheblu, që është shumë i ndjeshëm. Duhet ta kisha bërë më të frenuar deklaratën. Gjërat e këqija nuk bëhen për keq, bëhen edhe për mirë. Kam venë veten në tryezën e klubit. E kam sakrifikuar veten për këtë arsye. Nuk kam ardhur për të mbajtur një vend pune. Kam ardhur për të bërë diçka ndryshe. Vështirësitë janë të mëdha. Janë gjëra që duhen diskutuar brenda familjes dhe nuk duhet të dalin për mediat. I kam paraqitur dorëheqjen presidentit, por më është kërkuar të vazhdoj punën. Shpresoj që gjërat të ecin mirë.

Ky klub duhet të ketë sukses. Duhet të jemi të gjithë bashkë, për të pasur sukses. Gjërat duhen zgjidhur brenda shtëpisë. Shumë të rëndësishme për një skuadër futbolli. Po nuk i bëmë gjërat mirë nuk arrijmë te rezultati. Futbollistët janë më pak fajtor. Ne drejtuesit duhet të marrim përgjegjësitë për këtë situatë”, tha Ahmataj.

Më tej tekniku i bardhebluve theksoi: “Në skuadër duhet të kenë vendimmarrje drejtuesit dhe trajnerët. Kjo është diçka për t’u rregulluar. Jo për trajnerët. Nuk e kam natyrë të dorëzohem. Futbollistët janë munduar të bëjnë atë që duhet, por jo të fokusuar. Gjërat anësore ndikojnë te skuadra. Unë nuk jam shprehur kurrë se kush duhet të iki nga skuadra.

Po të kishte ndërhyrje, unë nuk do të isha kurrë trajner i Tiranës. Thjesht duhet të përmirësojmë gjërat. Tirana pa diskutim është për kampion. Duhet përmirësim psikologjik. Përjetojnë shumë rezultatin, mënyrën që duhet të shkojnë te goli. Të gjitha këto vijnë nga gjërat anësore.

Nuk pretendoj kurrë që punën ta ndërtoj për 2 javë apo 3 ditë. Skuadra ka forca. Ne mundohemi të luajmë futboll që ta çojmë përpara skuadrën. Po japim maksimumin për ta bërë këtë gjë. Rezultatet janë të fushës. Në qoftë se nuk marrim rezultatet, atëherë është trajneri përgjegjës”.