Toyota Yaris me miliona euro, ja çfarë deklaroi pronari i firmës që...

Toyota Yaris me miliona euro, ja çfarë deklaroi pronari i firmës që solli makinat në Shqipëri

422
0

Nuk ka ende një shifër zyrtare për milionat e eurove që u kapën në portin e Durrësit. Burimet thanë se janë gjetur të fshehura në Toyota Yaris 3 milionë e 470 mijë euro, gjithsesi pritet që policia të japë shifrën e saktë. Sakaq është marrë në pyetje administratori i firmës, Edi Lika, i cili ka kryer transportin e makinave ku ishin fshehur paratë. Ai ka deklaruar para oficerëve të policisë se nuk kishte asnjë dijeni për prezencën e shumës së eurove në makinë. Gjatë marrjes në pyetje pas shoqërimit në Policinë e Durrësit, ai ka thënë se makinat po i transportonte për llogari të një biznesmeni, por pa dhënë emrin e tij. “Nuk kam asnjë lidhje dhe dijeni për paratë, kam kryer thjesht transportin. Ishim kontraktuar nga biznesmenë kundrejt pagesës për të bërë transportin”, mësohet të jetë shprehur shkurtimisht Lika. Ndërsa ende mbetet mister se cili ka qenë biznesmeni nga Kosova që ka porositur 9 makinat, 7 prej të cilave “Toyota Yaris”. Përveç administratorit, Policia ka shoqëruar dhe dy shoferët e trajlerit, Klevis Lika, 19 vjeç, i cili është dhe djali i pronarit të firmës dhe Agim Ceka, 61 vjeç. Ata kanë deklaruar në Polici se nuk kanë lidhje me shumën e eurove pasi kanë kryer thjesht transportin e makinave, siç edhe kanë bërë në shumë raste të tjera. 19-vjeçari Lika rezulton se ka kryer një itinerar të tillë të paktën 4 herë nga periudha shkurt-qershor, për të transportuar makina nga Italia për në Shqipëri.

 

Kurse 61-vjeçari, nga verifikimi në sistemin TIMS, rezulton se ka kryer një proces të tillë dy herë. Policia po vijon hetimet për të zbuluar biznesmenin. Ndërkohë që makinat dhe shuma e eurove janë sekuestruar nga Prokuroria për llogari të hetimeve.

Do të jetë prokurori Sokol Nishani që do të kryesojë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të origjinës së parave të mbërritura në Portin e Durrësit të fshehura në dy automjete “Toyota”. Nishani, do të kryejë hetimet fillestare dhe më pas çështja do t’i kalojë Krimeve të Rënda.