Tërmeti; një qysqi, një karkalec, njerëz që heqin rrënoja me duar dhe...

Tërmeti; një qysqi, një karkalec, njerëz që heqin rrënoja me duar dhe propagandë Nga Enkel Demi

448
0

Arritëm ta çelim transmetimin në orën 05.02 në ABC News. Ishim të parët, por mund të ishim edhe më shpejt, nëse unaza që të çon drejt Sanatoriumit nuk do të ishte aq shumë e bllokuar nga makinat dhe gjindja e përfshirë nga paniku.

Nejse, nisëm një raportim me një video amatore dhe dy foto. Për ne mjaftojnë. Natyrisht, çuam nga gjumi jo vetëm gazetarët, por mbi të gjitha shtetarët.

Dinamika e një katastrofe të tillë nuk ka asnjëherë kohë. Duhen njerëz, mjete, ndihmë. Njerëz kemi, mjete nuk kemi, ndihmë japim si të mundemi.

Janë njerëzit e thjeshtë, policët, RENEA, ushtarë xhenierë që gjenden për fat aty rrotull e mbërrijnë me aq shpejtësi sa kanë takat, por të tërë kanë vetëm duart dhe zemrën e mirë që të shpëtojnë hallemadhët.

Kemi një qeveri në këmbë, një kryeministër që shkon në Durrës, por nuk duken gjëkundi forcat dhe makineritë e shpëtimit. Ato priten të na vijnë nga Kosova, Italia, Greqia. Në Thumanë është një eskavator, një karkalec. Dikush na shkruan që nuk ka qoftë një qen për be që të nuhasë për të mbijetuarit nën rrënoja.

Tërmeti e ka goditur Shqipërinë në orën 03.50, por ushtria i dërgon mjetet e veta gati katër orë më vonë. Thumana nga Tirana është vetëm 35 minuta larg.

Padyshim, ka dëshirë për të shpëtuar jetë, me thonj, por një qysqi sado e madhe të jetë dëshira është veç një qysqi.

Në dekikën, kur një trup i pajetë dilte nga rrënojat, shtabi i emergjencës na bënte me dije se do të ishte live në facebook. Mekanizmi i propagandës u vu në lëvizje, por rrënojat nuk gërmohen me statuse në rrjete sociale, lutje, thua se i kemi ministrat klerikë fetarë.

Njerëzit raportojnë në ABC News si të munden dhe thonë të vërtetën; kanë frikë, duan ndihmë. Spitalet mbushen plot, por në rrënoja ka ende të gjallë dhe ajo që duket me sy në operacionet e shpëtimit rrëfen mjerimin e këtij shteti që beson vetëm në propagandë.

Është ende herët, por lejet e ndërtimit në rërë buzë detit, tollovia e pallateve në Durrës, Tiranë, Krujë, Lezhë po na kthen reston e mbjelljes të tokës me beton. Njerëzit po i blejnë këto banesa me shumë para, por në fund edhe me jetë.

I vetmi që nuk tundet vendit është Teatri Kombëtar, të cilin thanë se një tërmet do e shëmbë, por ai nuk pyet, nuk ka një krisje. Por, ata duan ta prishin që të ndërtojnë pallate, në mënyrë që ato të na zënë brenda të nesërmen.

Sot, Shqipëria është në gjunjë, jo vetëm nga Zoti, por edhe nga këta që i bëjnë mbledhjet e emergjencës live në facebook.