Ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri i janë komunikuar akuzat sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Prokuroria për Krime të rënda mbylli dje hetimet dhe çoi dosjen në Gjykatë me akuzën për “Trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”. Duke komentuar akuzat pas 45 minutave në zyrën e prokurorëve të çështjes, Tahiri ironizoi se pas Aldo Bares ndoshta është i dyti me këtë akuzë. Ndonëse tha se do respektojë drejtësinë, ish-ministri tha se kjo pritej duke e cilësuar proces të turpshëm, politik e të komanduar.
Tahiri nuk pranoi të thoshte se nga komandohet prokuroria në akuzat e ngritura ndaj tij, por tha se politika krimi dhe drejtësia janë aq bashkë sa ç’ështe dhe ati, biri dhe shpirti i shenjtë.