Suzana Xhajanka, në kolanën e mësuesve që i dhanë famë shkollës “Qemal...

Suzana Xhajanka, në kolanën e mësuesve që i dhanë famë shkollës “Qemal Stafa”

171
0

Suzana Xhajanka, bën pjesë në pleiadën e atyre intelektualëve, mësues që vunë emër në klasifikimin e  shkollës “Qemal Stafës”, si një nga gjimnazet më cilësore të Tiranës, famë e cila përcillet edhe sot ndër breza. Znj. Suzana Xhajanka, mësuesja ikonë e Gjuhë-Letërsisë, në shkollën “Qemal Stafa”, në Tiranë, ndërroi jetë në moshën 85 –vjeçare, në datën 5 korrik të vitit 2023. Ky homazh përkujtimor vjen sot në shenjë nderimi  dhe respekti për jetën, punën dhe kontributin e saj në fushën e mësimdhënies që e dallonte zysh Xhajankën për profesonalizëm të lartë dhe tejet të vaçantë, talent, përkushtim e përgjegjshmëri në detyrën fisnike të përcjelljes së dijes. Me një karrierë shumë vjeçare, ajo punoi me pasion, përkushtim dhe nivel të lartë, në shkollën e mesme “Qemal Stafa”, duke u kthyer në një model në fushën e mësuesisë dhe të letërsisë. Suzana Xhajanka është bashkëautore e dy teksteve për shkollat e mesme. Gjithashtu, ajo botoi mbi 10 artikuj në revistat shkencore pedagogjike dhe gjuhësore. Ajo ka marrë pjesë aktive në Simpoziumet dhe diskutimet në organet e larta shkencore për problemet letrare, gjuhësore metodike. Për kontributin e çmuar që dha në këtë fushë, znj. Suzana Xhajanka është nderuar edhe me Urdhërin “Naim Frashëri”. Zysh Xhajanka , emri që e njihnin dhe u pëlqente ta thërrisin të gjithë, ish nxënës, kolegët dhe të afërmit, lindi në një familje qytetare të Durrësit, e njohur për traditën dhe kulturën, ku spikatën vlerat patriotike dhe atdhedashëse, cilësi që e karakterizuan gjatë gjithë jetës së saj profesionale dhe shoqërore. Gjyshi i Suzanës, Z. Andrea Ilia Ekonomi, i nderuar me titullin “Mësues i Popullit, është një ndër intelektualët e spikatur, i cili mbahet mend për hapjen e shkollës së parë shqipe, në qytetin e Gjirokastrës. Andrea Ekonomi u lind në një familje të njohur intelektuale të Ekonomëve në Kavajë. Pas mësimeve në shkollën greke të vendlindjes, studioi në Rumani nga ku u kthye më 1902 si një intelektual i ri, i pajisur me dije të gjera. Ai fshehtas osmanllijve, filloi t’u mësonte bashkëqytetarëve gjuhën shqipe. I kërcënuar nga osmanllinjtë, në vitin 1908, la vendlindjen dhe shkoi në Gjirokastër, ku me fondet e tij financiare, hapi të parën shkollë shqipe “liria”. Vepra kombëtare e Andrea Ekonomit nuk mund të mbulohej dhe nuk u mbulua kurrë nga pluhuri i harresës. Më 26 nëntor 1962, Andrea Ekonomi u dekorua me Urdhërin “Për Veprimtari Patriotike” të Kl. III dhe me 10 dhjetor 1992 ju  dha titulli i lartë “Mësues i Popullit” (pas vdekjes). Babai i Suzanës, Prokop Sorra, ishte muzikanti violinist i diplomuar në Bukuresht. Pas veprimtarisë së tij patriotike dhe si mësues muzike, Prokop Sorra, u vra në kampin famëkeq të Zemunit. Ai është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Gazeta Telegraf, nën titullin “Tingujt e violinës dhe ndjesitë patriotike të dëshmorit Prokop Sorra”, sjell në vëmendje të lexuesve jetën e mësuesit muzikolog, që ju përkushtua aq shumë propagandimit muzikor me masat e popullit të shumëvuajtur nga pushtimi nazi-fashist. “Ata që e njohën nga afër violinistin dëshmor Prokop Sorra në ato vite të veprimtarisë së tij, panë se si tingullin e ngrohtë të violinës,me përkushtim e kishte vënë në shërbim të popullit dhe të atdheut”, shkruan ndër të tjera gazeta Telegraf. Zonja Tefta Sorra Ekonomi, nëna e Suzanës, e diplomuar në Itali, ishte një mësuese e nderuar dhe me emër në qytetin e Durrësit. Suzana ishte bashkëshortja e inxhinierit të nderuar, Llazar Xhajanka, i diplomuar në Budapest, Hungari. Themelues i kombinatit të tekstileve në Tiranë, i uzinës së  autotraktorëve dhe me kontribute në të gjithë industrinë mekanike në vend, shumë vite ai ishte drejtor i Institutit të Studimeve dhe Projektimeve Mekanike, si dhe autor i shumë librave për mekanikën për shkollat e mesme, universitetin etj. Pasionin ndër breza të familjes së saj, për gjuhën dhe mësuesinë nuk kishte si të mos e trashëgonte edhe Suzana.

 

E diplomuar me nota të shkëlqyera në shkollën Pedagogjike të Tiranës, Suzana emërohet  mësuese e lëndës së Gjuhë- Letërsisë  në gjimnazin “Qemal Stafa”, shkollë ku punoi deri sa doli në pension. Zysh Xhajanka, ishte një pasuri e madhe intelektuale ndër ne, një burim frymëzimi jo vetëm për armatën e mësuesve, ku dha eksperiencën e saj më të mirë, ekselente për lëndët e gjuhë- letërsisë, por dhe për të gjithë ata që patën fatin ta njohin nga afër. Ajo konsiderohej si një thesar që, në pak kohë qëndrimi me të, të kthehej në leksion jete, teksa gjithnjë shpalosi virtytet e njeriut me karakter të fortë e zemër të madhe, ku ndërthurej dinjiteti, ndershmëria, fisnikëria, qetësia dhe zgjuarsia, simbol i maturisë njerëzore. Gjithashtu, Zysh Xhajanka është autore dhe bashkëautore e disa librave shkollorë në fushën e gjuhësisë, si Folklori Shqiptar, Antologjia e Letërsisë Shqipe, Gjuha Shqipe dhe Letërsia në shkollë, Historia e Letërsisë Shqiptare, të cilat e bëjnë atë njē mësuese të paharruar pēr të gjithë brezat si dhe autore e shumë artikujve letrarë. Ajo ishte gjithmonē e buzëqeshur dhe plot mirësi, ku përshtatej me çdo brez, duke mos e ndjerë asnjëherë diferencën e moshës. Për largimin e saj nga jeta janë shprehur me dashuri dhe respekt për figurën e saj prej intelektualeje të vërtetë shumë ish nxënës, që mësuan nga Zysh Xhajanka jo vetëm gjuhën dhe letërsinë, por dhe parimet themelore që duhet të kemi në jetë.

 

“Është dhimbje që nuk ndal! Do ta ruaj në kujtesë gjatë… Vitet e mia të gjimnazit me modelin e bukur të nënës tuaj me shpirt të madh. Ruaj për të respektin më të  veçantë.” shkruan një ish nxënëse e gjimnazit “Qemal Stafa”. Ndërsa një nxënëse e zysh Zanës shkruan në mesazhin e saj se, ruan kujtimet më të bukura nga koha e shkollës, kur zhvillohej ora e Gjuhë-Letërsisë me mësuese Xhajankën. “Kemi kujtimet më të bukura me komentet letrare emocionuese dhe mbresëlënëse të zysh Zanës. Kishim kënaqësi kur na shpjegonte. Ka qënë një mësuese speciale e veçantë. I paharruar kujtimi i saj”, shkruan ajo. “U prehtë në paqe zysha e hijshme dhe e mençur..”, ishte një mesazh tjetër ngushëllimi, që vinte në adresë të familjes Xhajanka. Ndërsa një ish-nxënës tjetër do të shprehej në mesazhin e tij, drejtuar vajzës së zysh Xhajankës se “Nëna juaj e shtrenjtë më ka lënë përshtypje të madhe si mësuese e denjë dhe e dashur me të gjithë. Ajo do të jetojë gjithmonë në zemrën time. Gjithashtu, më ka lënë përshtypje e qeshura e saj e ëmbël, ku në brendësi kishte dashuri! I paharruar kujtimi i nënës tuaj dhe zyshës tonë të shtrenjtë; respekte pafund…”. Ajo do te mbetet modeli i njē zonje të përkushtuar për profesionin dhe virtyt i vlerave të rralla njerëzore. Në kujtesën e ish nxënësve dhe kolegëve të saj do të mbeten kujtimet më të bukura dhe të paharruara, të njē mësuesje dhe kolegeje që përcillte vetëm mirësi dhe pozitivitet. Lamtumirë zysh Xhajanka, emri yt nuk do të harrohet kurrë!