Sot 8 Marsi, festë apo protestë? Dita Ndërkombëtare e Gruas, si nisi...

Sot 8 Marsi, festë apo protestë? Dita Ndërkombëtare e Gruas, si nisi nga SHBA lëvizja për të drejtat e tyre

60
0

Sot shënohet 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas, e njohur edhe si Dita e Nënës. Origjina e saj mund të gjurmohet në lëvizjet punëtore evropiane dhe të Amerikës së Veriut që u shfaqën rreth fundit të shekullit të 20-të. Kjo ngjarje zë fill më 8 mars 1857, kur rrobalarëset e Nju ­Jorkut u ngritën në protestë për të drejtat e tyre kundër shtypjes e shfrytëzimit të egër që u bëhej atyre dhe fëmijëve në punë.

Më 28 shkurt 1909, Partia Socialiste e Amerikës e atëhershme aktive festoi Ditën e parë Kombëtare të Gruas në përkujtim të 15,000 grave që protestuan në Nju Jork kundër kushteve të vështira të punës dhe pagave më të ulëta. Në vitin 1910, Clara Zetkin, një avokate e të drejtave të grave dhe udhëheqëse e Zyrës së Grave të Gjermanisë për Partinë Social Demokrate, propozoi idenë e një Dite Ndërkombëtare të Gruas. Më 19 mars 1911 u mbajt për herë të parë Dita Ndërkombëtare e Gruas, ku morën pjesë më shumë se 1 milion njerëz në Austri, Danimarkë, Gjermani dhe Zvicër.

U desh deri në vitin 1975 që Kombet e Bashkuara të njohin dhe të fillojnë të festojnë Ditën Ndërkombëtare të Gruas (IWD). Që atëherë, OKB-ja ka shërbyer si sponsori kryesor i ngjarjes vjetore, duke inkurajuar më shumë vende të njohin “aktet e guximit dhe vendosmërisë nga gratë e zakonshme që kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në historinë e vendeve dhe komuniteteve të tyre”.

Në shumë vende të botës kjo ditë shënohet me protesta, në Shqipëri kryesisht për nder të kësaj dite, nënave dhe grave u jepen dhurata të ndryshme, ku dhuratat më të shpeshta janë lulet, të cilat simbolizojnë respektin dhe dashurinë.