Një emër jo pak i njohur ne botën e showbiz-it, me nje energji të pakonkurueshëm edhe me një nuhatje artistike të jashtëzakonshme. Ky është Sokol Guga, producenti e prezantuesi i cili cdo vit vjen me një risi në tregun mediatik shqiptar. Këto kohë është e vështirë ta takosh, pasi angazhimi i tij është spektakli i përvitshëm “Krishtlindje në Tiranë” të cilin “Guga Produktion” e realizon në bashkëpunim me televizionin kombëtar Klan Plus.
Ky edicion i shtatë vjen ndryshe, ndryshe sepse përherë të parë në skenë do të ngjiten emrat e njohur të artit shqiptar, por edhe nga bota e biznesit.
Artistët e këtij edicioni tashmë janë bërë publik nga producenti Guga si këngëtarja: Liljana Kondakçi, Myfarete Laze, Kozma Dushi, Eranda Libohova, Redon Makashi, Fitnete Tuda, Mariza Ikonomi, Kamela Islamaj, Festina Mejzini, Xhesika Polo, Gerald Celibashi dhe artistja Alisa Luzi. Të ftuar ndërkombëtarë janë, këngëtari i famshëm italian Albano Carrisi, fituesja e festivalit europian EuroSong 2004 Ruslana, dhe grupi i famshëm Rednex, të cilët do të elektrizojnë sallën. Por ky edicion vjen për herë të parë dhe me 9 prezantues. Duhet thënë se është hera e parë që në historinë e televizionit, por edhe në gjininë e spektaklit, vjen një program artistik me 9 moderatorë. Sokol Guga do të ftojë në skenë, prezantuesin dhe autorin e mirënjohur Albert Dumani, biznesmenen e suksesshme Antonela Hako, avokatja e mirënjohur shqiptare, e cila ndiqet çdo të dielë në rubrikën e saj “Shihemi ne gjyq” Eni Çobani e cila do të ngjitet për herë të parë në një skenë të mirëfilltë, spikerin e lajmeve, ikonën e RTSH-së Dhimitër Gjoka, Miss Albania 95 dhe moderatoren Hygerta Sako, biznesmenen e fuqishme Florentia Xheka, prezantuesen e mirënjohur Silvana Braçe, presidenten e Radio Televizionit 21 ne Kosovë Afërdita Saraçini Kelmendi si dhe Ina Jaupi, ish studente e gazetarisë dhe një figurë e re në këtë sipërmarrje të madhe. Sokol Guga është kujdesur për të gjithë brezat që janë dashamirës të produksionit “Krishtlindje në Tiranë” duke ngjitur në skenë nga një përfaqësues të brezit të tyre. Skenografia e spektaklit është besuar si çdo vit, mjeshtrit Bashkim Zahaj, i cili duket se këtë edicion ka hequr dorë nga teknologjia dhe do të sjell një skenografi tërësisht bazuar në konstruksionin metalik.
Stafi realizues premton një super spektakël si çdo vit, ku teleshikuesit do të kenë mundësinë ta ndjekin në datë 25 Dhjetor, në televizionin Klan Plus.
GazmendAgaj