“S’mbante inate dhe kur i hynin në hak”, bashkëpunëtori i ngushtë nxjerr...

“S’mbante inate dhe kur i hynin në hak”, bashkëpunëtori i ngushtë nxjerr ‘sekretet’: Dy herët që kam parë Ibrahim Rugovën duke qarë

543
0

Bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, Skender Hyseni, ka rrëfyer disa të pathënë që lidhen me figurën e liderit historik të Kosovës. Teksa dje u mbushën 14 vite nga ndarjan nga jeta e Rugovës, Hyseni ka kujtuar dy momente kur e ka parë ish-presidentin të mërzitej. “E kam vërejtur në dy raste kur ka qenë skajshëm i mërzitur. Njëri ka qenë në Monte Karlo në konferencën e Krans Montanës ku ai ka qenë një nga folësit kryesor në atë forum”.

Pas fjalës që e ka mbajtur, kemi shkuar në dhomë për të pushuar dhe më pas të shiheshim në sesionin tjetër. Sa kam arritur në dhomë më ka njoftuar shoqëruesi i presidentit Rugova që Xhemail Mustafa është vrarë”, tha Hyseni, në Zona B të Klan Kosovës. “Kam shkuar dhe i kam trokitur në dhomë. E gjeta duke lexuar. I tregova se çfarë ka ndodhur. Është hera e parë që e kam parë Ibrahim Rugovën me lot dhe të dërmuar shpirtërisht”, tha ai. Po ashtu Hyseni tregoi edhe rastin e dytë kur ka parë Rugovën me lotë në sy.

 

“Rasti i dytë kur e kam parë të mërzitur është vrasja e Enver Malokut. E ka përjetuar rëndë. Por kjo me vrasjen e Xhemail Mustafës ishte më intensive edhe për faktin se ndodhi pas luftës dhe ishte krejtësisht e papritur. Ibrahim Rugova ka pasur një higjienë shpirtërore që vështirë që mund ta ketë dikush. Ka qenë mision i pamundshëm që t’ia ndotësh atë higjienë shpirtërore. Nuk ka mbajtur inate personale, edhe kur i kanë hyrë në hak shumë”, tha ai.